E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Berisha, vazhdojnë replikat për punët publike

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vazhduar edhe dje në distancë replikat me kryeministrin Berisha në lidhje me investimet në rrugë dhe shkolla. 

Rama i konsideroi akuzat e Berishës gënjeshtra dhe iu rikthyer figurave të përrallave për ta konkretizuar më mirë këtë ide. "Berisha gënjen për investimet në shkolla. Nuk janë dhënë para nga buxheti për shkollat", u shpreh Rama dje paradite në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare "Skënder Caci" në Tiranë. Kryeministri Berisha e akuzon Ramën se ka abuzuar me fondet e qeverisë, për të cilat qeveria ka akorduar 18 milionë lekë. "Dua të shpreh dhimbjen dhe keqardhjen se në Tiranë nuk është ndërtuar ndonjë shkollë e mesme, përkundrazi tek shkolla "Misto Mame" çdo tre vjet priten shirita inaugurimi për të njëjtin motiv. Tirana ka nevojë jo për deklarata në letër, jo për statistika të paqenë, por për shkolla dhe qeveria i ka dhënë Tiranës 2 miliardë lekë për 18 shkolla. Zoti Rama duhet t'u thotë qytetarëve se ku janë shkollat me kredinë e qeverisë. Ne nuk po kërkojmë llogari për fondet e bashkisë, se atë duhet ta bëjë Këshilli Bashkiak, por kjo është kredi e qeverisë. Por kësaj nuk i jepet përgjigje duke dalë e deklaruar se ka ndërtuar 23 shkolla të reja, se qytetarët e Tiranës janë banorë që e njohin në çdo pëllëmbë Tiranën dhe ç'është e vërteta bukëvalet që kryetari nxjerr çdo ditë në treg nuk i hanë", u shpreh kryeministri gjatë një inaugurimi në Bashkinë e Vorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›