E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profili komunal i debatit politik Rama - Berisha

Kryeministri, Sali Berisha, ia ka dalë ta tërheqë liderin e opozitës, Edi Rama, në një debat me profil të ulët komunal rreth ujërave të zeza apo të bardha në breg të Lumit apo të Lanës, si dhe rrugicat që shtrojnë në komuna apo lagjet e harruara të Tiranës. Ndërkohë që Shqipëria ka marrë paralajmërime serioze se mund të mos ratifikohet protokolli për anëtarësim në NATO dhe kur disa kancelari perëndimore, përfshi dhe përfaqësuesit e lartë të OSBE, po theksojnë kritikat ndaj saj, dy udhëheqësit kryesorë shqiptarë janë përfshirë “në debat të nxehtë” se kush është më i zoti në punët komunale. Gracka, nëse do ta quajmë kështu taktikën e Berishës për ta tërhequr Ramën në këtë debat me profil të ulët, ngjan e mrekullueshme për gjithë opozitën. Të prirur të mbivlerësojnë aftësitë menaxheriale të liderit të tyre, Edi Rama, socialistët në përgjithësi, por sidomos stafi politik i PS, mendojnë se është legjitime që Rama të luftojë për të mbrojtur kështjellën e punëve publike si pasuri të vetën dhe kapitalin, me të cilin ai do të fitojë zgjedhjet në Shqipëri. Kjo situatë është absurde dhe regresive. Së pari, Edi Rama nuk mund të bëhet kryeministër i Shqipërisë, pse ka prishur kioska dhe ka ngritur pallate të tmerrshme në Tiranë. Ai s’mund të bëhet kryeministër i Shqipërisë, as pse prish ndërtime pa leje dhe ndërton të tjera me leje. Ai s’mund të bëhet kryeministër i vendit tim, edhe nëse e bën vërtet të bukur dhe moderne Tiranën, e cila në të vërtetë është larg atyre standardeve. Ai mund të bëhet kryeministër i këtij vendi, vetëm kur të japë prova se është garant i standardeve demokratike dhe perëndimore në vend dhe se është thellësisht i shqetësuar për to. Por tendenca e tij për t’u përfshirë në debat publik me Berishën për punët komunale të Tiranës dhe periferisë së saj është qesharake dhe kriminale njëkohësisht. Është qesharake, pasi është debat i vlefshëm për nivelin e Flamur Nokës me Eduard Shalësin në Këshill Bashkiak, dy figurina qesharake, dhe jo debat mes dy liderëve kryesorë të vendit. Po, nga ana tjetër, është kriminale, pasi në një kohë kur diplomacia amerikane dhe ajo evropiane po ngrenë tonet dhe po rrisin paralajmërimet për dështimin e mundshëm të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dy liderët tanë kryesorë debatojnë për Bregun e Lumit dhe Bregun e Lanës. Është anormale që diplomacia perëndimore të flasë si opozitare në këtë vend dhe lideri i opozitës të flasë si diplomat me rezerva për deformimet e rrezikshme të demokracisë. Nuk jam partizan i toneve luftarake dhe as i ndezjes së luftës, por i mbajtjes gjallë të debatit rreth shqetësimeve kryesore të Perëndimit për Shqipërinë. Së paku mos ta devijojmë debatin nga NATO në brigjet e Atlantikut në Bregun e Lumit në Tiranë.

Tendenca e Berishës për ta tërhequr vëmendjen nga debati me diplomacinë perëndimore, angazhimi i lobistëve të tij për ta mbyllur këtë debat duke nisur me urgjencë ndonjë emisar të tij në Uashington dhe përdorja ekstreme e personalitetit të tij në funksion të tërheqjes së vëmendjes, deri te publikimi i videos gazmore, ku ai u shfaq duke notuar, janë elemente që e bëjnë të besueshme një taktikë të tij për të mos u vazhduar ky debat publik. Por, nëse ky është qëllim legjitim i Berishës, nuk ka pse bëhet axhendë e punës dhe e Edi Ramës. Ai, së paku, nëse nuk ka dëshirë të flasë për këto devijime të rënda që mund të dëmtojnë demokracinë, mund të heshtë. Kështu, së paku, merret opinioni publik me kryeministrin dhe nuk ka pse zhvendoset debati rreth NATO-s me debatin rreth “rrugicave që kërkojnë diell” nga Rama dhe Berisha. Debati për punët e tyre komunale është më i mërzitshëm se Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe s’ka arsye të jetë debat kombëtar. Ne nuk kemi nevojë për kryeministra që bëjnë punë publike. Të tillë kemi pasur dhe Mehmet Shehun që bëri shumë herë më tepër se gjithë kryeministrat shqiptarë rrugë, hidrocentrale dhe vepra pesëvjeçari, por ishte diktator komunist. Devijimi i debatit mbi demokracinë në debat komunal është prirje për të mos folur për tema, të cilat testojnë realisht standardin demokratik të një kryeministri në demokraci dhe kjo e bën të dyshimtë këtë zhvillim, edhe sikur të jetë spontan dhe i pamenduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›