E Diel, 1 Nëntor 2026

Lul Berisha: “Të dëshmojë Kryeministri dhe Kryeparlamentarja”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
I cilësuari si kreu i Bandës së Durrësit i ka kërkuar dje Gjykatës së Krimeve të Rënda të thirren për të dëshmuar në procesin kundër tij krerë të lartë të shtetit. Në listën e Lulëzim Berishës është përfshirë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, Kryeparlamentarja Josefina Topalli si dhe ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi. Numri një i Bandës së Durrësit ka pretenduar se akuzat e bëra në adresë të tij në sallën e Parlamentit duhet t i komunikohen përballë në sallën e gjyqit. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga trupi gjykues duke “revoltuar” kështu të pandehurit, të cilët kanë braktisur seancën së bashku me avokatët e tyre. Në këto kushte, as kësaj here nuk i është dhënë shansi të penduarit të drejtësisë të japë deklarime në lidhje me bëmat e bandës, pjesë e së cilës ka qenë dhe ai vetë.
Seanca
Avokatët e Bandës së Durrësit braktisin seancën pas refuzimit të kërkesës së tyre që në gjykatë të vijnë për të dëshmuar edhe kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ish-ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi. Pas kësaj, avokatët thanë se gjyqi është i montuar politikisht dhe, duke akuzuar disa prej krerëve të shtetit, provë për të cilën kërkonin të administronin një CD me fjalimet në Parlament të krerëve të shtetit shqiptar, kur ata kanë përmendur emrat e të pandehurve.
Kundërshtarët
Dy kundërshtarët e “Bandës së Durrësit” kanë mbajtur paktin e bërë mes tyre, duke lënë sallën në mënyrë demonstrative, në momentin që i penduari Adriatik Coli do të dëshmonte mbi krimet. Justifikimi ka qenë vendimi i dhënë nga gjykata mbi provat që do të sjellë mbrojtja në këtë proces, një pjesë e të cilave janë hedhur poshtë. Pas kërkesës së avokatit Arben Qeleshi, i cili ka bërë kërkesë që të njihej me vendimin e lexuar nga gjykata, klienti i tij, i pandehuri Lulëzim Berisha, i ka kërkuar gjykatës që të merrte një vendim për kërkesën e mbrojtësit të tij.
Kur prokurori i ka kërkuar gjykatës që të pyetej dëshmitari i parë, pikërisht i penduari Ardiatik Coli, i cilësuari si kreu i Bandës, Berisha, është ngritur në këmbë, duke kërkuar të dalë nga kafazi. Gjykata ka vendosur të bëjë 15 minuta pushim, duke iu vënë në dispozicion mbrojtësve edhe vendimin për prova. Ndërkhë pas nisjes së procesit, mbrojtësi i të pandehurit Lulëzim Berisha ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues. Vetë i pandehuri ka lënë sallën, duke bërë me dije se Prokuroria edhe mund të jepte konkluzionet e saj përfundimtare dhe gjykata mund ta dënonte. Kundërshtari i tij, Endrit Dokle, ka lënë sërish sallën. “Kam nevojë të konsultohem me dy mbrojtësit e mi. Jam injorant, nuk e kuptoj këtë çka shkruhet këtu, prandaj kam mbrojtës ligjor. Dy mbrojtësit e mi nuk do ta vazhdojnë procesin gjyqësor pa mua”,- i ka bërë me dije dje gjykatës i pandehurit Endrit Dokle, duke lënë më pas kafazin. Të njëjtin veprim ka ndjekur edhe i pandehuri Sardjan Sulejmani. Pas largimit të tre të pandehurve nga salla, janë larguar edhe mbrojtësit e tyre ligjorë. Ndërsa avokatët i kanë bërë me dije gjykatës se ata nuk po largohen në mënyrë demonstrative, por janë duke përmbushur dëshirat e klientëve të tyre, me të cilët edhe kanë lidhur kontrata. Avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar vendimin e marrë nga gjykata për thirrjen e disa dëshmitarëve. Sipas tyre, në fashikullin e gjykimit nuk gjendet asnjë dëshmi e personave që kanë qenë në vendngjarje në momentin që kanë ndodhur episode të ndryshme, për të cilat edhe akuzohen të pandehurit. Avokati Riza Hicka i ka bërë me dije gjykatës se duhet të thirren të gjithë personat që kanë parë këto ngjarje, për këtë duhet që gjykata t i vinte në dispozicion të gjitha aktet që ndodhen në fashikuj për t i gjetur ata.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›