E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e bregdetit, çelësi për t i kthyer këtë vit

Autori i Lajmit: red.
“Kthimi i tokave të bregdetit te pronarët e ligjshëm bëhet brenda vitit 2008 nëse nuk sabotohet”. Këtë vlerësim e bën Kosta Konomi, në Qeparo ku ai jeton dhe ka vendosur të bëjë një vlerësim mbi zhvillimet e fundit në vend që lidhen me pronat.
Anëtar i shoqatës “A.K.Bregdeti”, Konomi jep disa opsione që thekson se mund të japin zgjidhje për problemin tashmë të shndërruar në gangrenë, atë të rikthimit të pronës tek ish-pronarët.

Letra e plotë, dërguar për median e Kosta Konomit
Nëpërmjet shtypit dëshiroj të falënderoj Ambasadorin e ShBA Xhon Uidhers dhe Ambasadorin e KE në Shqipëri z. Hemut Lohan për reagimin e tyre të shpejtë në mbrojtje të pavarësisë së institucionit të prokurorisë, por njëkohësisht dëshiroj që të drejtoj në vëmendjen e tyre problemin e pazgjidhur dhe më serioz për popullin e zonës së Bregdetit, kthimin fizik të pronës tek i zoti. Tashë edhe nga Kryeministri, Berisha është pranuar se grabitja e pronës në zonat turistike ka ushqyer dhe vazhdon të ushqejë korrupsionin në administratën shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë. Përse duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë anarki institucionale permanente. Fjalët NATO, Këshill Evrope dhe Bashkim Evropian janë pa kuptim nëse këto institucione nuk thonë një fjalë që të detyrojë qeverinë për ta kthyer pronën tek i zoti. Në Bregdet nuk mund të ketë stabilitet, përparim, demokraci dhe zhvillim. Unë nuk kuptoj pse edhe nga deputetët tanë vazhdon të bëhet veshi i shurdhër për këtë shqetësim kaq serioz që na fut në konflikte me njëri-tjetrin. Unë u çudita nga një shkrim i deputetit Nikollaq Neranzi botuar në një të përditshme para disa ditësh. Më vjen keq që ky djalë bregdetas, në vend që t i vërë në dukje ambasadorit të SHBA, strukturave të KE dhe BE se në zonën turistike Vlorë-Sarandë, popullata autoktone kërkon kthimin e pronave të grabitura nga diktatura, ky deputet në vend që të ngrejë kudo dhe sa mundet faktin se komisionet që në krijim kanë funksionuar sipas interesave të klaneve, se të fortët e politikës vazhdojnë edhe sot ndërtimet pa leje dhe pushteti qendror nuk vepron, se tokat e ish-fermave bujqësore janë grabitur nga politikanët, se edhe pronat e lira në zonën turistike Vlorë-Sarandë, akoma nuk ju janë kthyer pronarëve, se Shoqata Bregdeti nuk është pranuar si palë për zgjidhjen e këtij problemi kyç, se vazhdon të shkelet neni 181 i Kushtetutës dhe me këmbënguljen që e karakterizon të kërkojë zbatimin e Kushtetutës, ky deputet i zonës na bën të kundërtën. Deputeti Neranzi na pretendon se Kuvendin për pronat e Bregdetit në Himarë e paska iniciuar ai si bir i Himarës por tani ankohet publikisht se ja paska përvetësuar dhe përdorur Kryebashkiaku i Himarës z. Bollano, që sipas tij nuk paka bërë asgjë për sa është angazhuar. Nikollaq Neranzi diskuton dhe përkatësinë etnike të z.Vasil Bollano por unë nuk dëshiroj të futem në mënyrë dëmprurëse në këtë diskutimin e me këtë mënyrë që ka zgjedhur deputeti Neranzi, se kjo është e drejta e tij. Mua më shqetëson fakti dhe nuk do të hesht derisa pronat në Qeparo që janë të babait tim, nuk më kthehen mua dhe trashëgimtarëve të pronarit të ligjshëm por prej 17 vjetësh shfrytëzohen dhe mbahen të uzurpuara nga persona të tretë. Jam i shqetësuar se nuk po shikojmë asnjë vullnet politik për të zbatuar këtë detyrim kushtetues. E vërteta është se kryebashkiaku Bollano është nga ata pak politikanë që respektohet nga populli se ka mbështetur idenë e kthimit të pronës në origjinë. I kujtoj z. Nikollaq se ne të shoqatës Bregdeti vendosëm ta ftojmë deputetin në Konferencë dhe nuk ka sesi ai të pretendojë se paska qenë ai nismëtari dhe nuk bëhet fjalë për përvetësim nga Bollano. Të gjithë e dimë se ka qenë Kryesia e Shoqates A. K “Bregdeti”, me Shoqatat e tjera te zones se Bregdetit, që e organizoi Kuvendin e VIII-të Mbarëbregdetar për pronat, në Himarë me datën 10 Gusht te këtij viti. Organizimi është bërë në bashkëpunim me Pushtetit Vendor (Bashkinë e Himarës dhe Komunën e Lukovës) Nuk e kuptoj shkakun qe e shtyn deputetin Nikollaq Neranzi që në vend të një autokritike publike për qëndrimin e gabuar në Konferencë, ta paraqesë ndryshe të vërtetën dhe të mos thotë se edhe ai bashkohet me të drejtën e ligjshme të gjithë popullit të zonës kërkojnë kthimin e pronës së grabitur dhe distancohet nga vjedhja e pronave tona. A e dini zoti deputet se ligji 7501 që mbrojnë hajdutët e pronave tona është zbatuar në më pak se ¼ e vendit por nga zyrtarët e shitur raportohet sikur është zbatuar në mbi 97%. A e dini ju se ky ligj nuk mund të aplikohet në zonat tona sepse ato janë zona turistike dhe jo toka bujqësore. Nga puna e Shoqatës në te gjithë degët e saj në fshatra është sqaruar opinioni se kjo e keqe e madhe u zhvillua nga politikanët, që e konsiderojnë pronën e shtetëzuar nga diktatura si pronë të mirfilltë të shtetit. Nuk është e vërtet ajo që pretendohet nga ju z. Neranzi se nuk është bërë asgjë. Pasi të lexojë këto rreshta, zoti Neranzi le të lexojë edhe kritikat e reduktuara për personin e tij dhe deputetin Spartak Ngjela botuar në disa gazeta. Kthimi i pronës te pronari është vështirësuar artificialisht me kërkesat absurde që nxjerrin kryetarët e komisioneve, që praktikisht bëjnë biznes me pronat tona, Në emër të ligjeve ata kërkojnë harta e dokumente e shumë burokracira të panevojshme në një kohë që komisioni krahas vendimit do të bëjë vetë hartën e tij. Këto kërkesa për pronarin kërkojnë shumë shpenzime dhe janë një sebep për ti penguar për vite me radhë. Nuk e kuptoj përse Kryeministri dhe Qeveria nuk pranojnë që bërja e hartave dhe kthimi i pronës të jetë detyrë e shtetit, por këkohen nga ne dokumenta të panevojshme, dokumenta që i disponon vetëm shteti, nga ana tjetër për të legalizuar pushtuesit e trojeve tona me ndërtime pa leje shtetit i mjafton vetëm kërkesa dhe fotografia e ndërtimit të paligjshëm. Nëse Qeveria e pëlqen sinqerisht ofertën për t u pranuar në NATO dhe në BE përse nuk i kthen secilit pronën e babait të tij por pëlqen këtë anarki. Vendimi i Kuvendit të Bregdetit për të marrë secili pronën e tij është pritur me gëzim nga ne me përjashtim të disa politikanëve dhe disa vendasve që kanë përfituar padrejtësisht pronat e të tjerëve dhe që shkelin parimin e shenjtë se familja nuk mbahet me „bukë të vjedhur“. Numri i këtyre vendasve është pakësuar ndjeshëm por është shtuar demagogjia dhe rezidenca nga politikanët për ti zgjatur jetën kësaj situate absurde. Ne komuniteti Bregdetas e quajmë fitore, që nga kërkesat pa fund drejtuar organeve të larta të shtetit, kalimin në veprime konkrete që çdo trungu familjar ti rikthehet e drejta e posedimit për pronat e trashëguara atë që na e kanë lënë trashëgim baballarët dhe jo dëshirën e politikanëve për të na bërë pronarë !!!. Këtë të drejtë të pamohushme na e jep Kushtetuta e miratuar me referendum popullor, Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut si dhe zakonet tona fisnike për të jetuar në harmoni pa prekur e pa vjedhur pronën e tjetrit, por secili me pronën dhe djersën e tij. Janë shumë Vendime Unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë që kanë nënvizuar faktin se ligjet dhe procesi i kthimit të pronës nuk janë mënyra të reja konstituimit të pronës… se të shpronësuarit nuk e kanë humbur titullin e pronësisë as në kohën e diktaturës, por kanë humbur të drejtën e posedimit. Eshtë fakt se politikanët grabitqarë nuk duan t ja dinë as për vendimet unifikuese e as për Kushtetutë dhe nenin 181 të saj, por kemi dhe eksperiencën 17 vjeçare se sapo të afrohen zgjedhjet të dy krahët do vijnë të premtojnë se do zbatojnë kushtetutën dhe do kthejnë pronën. Mendoj se me këta politikanë do të mjaftonte një fjalë nga ambasadori i SHBA ose ambasadorit të KE që do të zgjidhte situatën. Ne populli e kërkojmë pronën tonë se pa kthim të pronës tek i zoti nuk ka stabilitet dhe zhvillim, dhe as investitorë të huaj privatë. Të huajt nuk afrohen nëse nuk janë të sigurtë për origjinën e pronës sipas kadastrës së 1945, Investitorët e huaj janë të kulturuar dhe e ndjejnë se do të priten si zaptues. Ajo që mund të mos ta dijë zoti Neranzi është se në procesin e kthimit të pronës me udhëzimet e fundit të Shoqatës, më prapa është Dhërmiu dhe vendin e lavdëruar për kthimin e pronës në origjinë e ka Palasa e Piqerasi, te cilat ndiqen nga Sasaj, Himara, Piluri dhe procesi po vazhdon. Ajo që ngatërron zoti Neranzi është se puna konkrete që bëhet në te gjitha fshatrat, per respektimin e titujve te pronësisë, duke kthyer pronat në kufijtë secilit, degët e shoqatës në fshatra bashkëpunojnë me kryepleqësitë e çdo fshati, dhe kjo do të jetë një punë e lavdëruar në mbrojtje të kushtetutës. Ne kërkojmë nga Pushteti Qendror, që të mos lejojë hajdutët e pronave tona që të na sabotojë duke përdorur vegla qorre. Në të vërtetë puna e Shoqatës Bregdeti dhe degët e saj e lehtësojmë Qeverinë dhe financat e shtetit pasi, duke kthyer pronën tek pronari shmangen kërkesat për kompensim, duke kthyer fizikisht pronën te pronari respektojmë këtë të drejtë themelore të njeriut që duhet të ishte detyra e parë e shtetit pas përmbysjes së diktaturës në 1991. Kushdo që di shkrim e këndim e kupton se kompensimi që ka nisur është vetëm tullumbace për të maskuar vjedhjet e tokave të bregdetit. Kompensimi që ka nisur nuk mund të përfundojë as pas shumë shekujsh dhe deputetët Neranzi e Ngjela duhet të demaskojnë këtë gënjeshtër që ju inretrson politikanëve grabitës të cilët në këto 15 vjet janë pasuruar me pronat tona. Nje lehtesi tjeter edhe me e madhe që ne i bëjmë Pushtetit Qendror, është shkurtimi i aparateve të fryra, që sjellin vetëm pengesa me pronat tona si dhe shpenzimet e shumta per mbajtjen e tyre. Praktikisht ne që jemi dhe taksapaguesit po paguajmë rrogat e hajdutëve të pronave tona. Rrealisht korrupsioni fillon në komisione dhe mbaron në zyrat e regjistrimit të pronës. Ndërkohë shteti duhet të kryejë si duhet detyrat të tij, siç janë çlirimi i trojeve tona dhe prishja e ndërtimeve pa leje që kanë uzurpuar tokat që kanë pronar dhe marrjen e masave për largimin e inerteve përpara mbarimit të këtij viti. Pas çlirimit të tokave nga pushtimi i politikanëve vijnë, përmirësimi i rrugëve, sigurimi i energjisë, i ujit te pijshem, i planeve urbanistike etj. Kur të na ktheni pronat mund të kërkoni votat dhe duartrokitjet tona. Besoj se të gjithë njerëzit e ndershëm mbështesin realizimin e këtij qëllimi jetik, fisnik e te shenjtë për familjet tona ku bën pjesë dhe familja e z. Nikollaq Neranzi sot deputet por nesër i gjykuar për qëndrimin e tij ndaj pronës private.
Kosta Konomi, Qeparo
Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›