E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i mbytur 17-vjeçari Ndriçim Myftari

Autori i Lajmit: red.
Kanë jetuar për plot pesë ditë me shpresën se djali i tyre 17-vjeçar, një prej klandestinëve në tragjedinë e Butrintit, kishte mundur të mbijetojë. Por shpresat për një lajm të mirë janë shuar pasditen e djeshme për familjen Myftari. I ati i Ndriçimit, që ka ndjekur në çdo moment kërkimet e polumbarëve të RENEA-s, ka identifikuar të birin sapo është nxjerrë nga ujërat e Butrintit. Plot 13 polumbarë, në orët e mesditës, kanë nxjerrë nga ujërat e liqenit të Butrintit trupin e pajetë të një djali. Trupi është identifikuar menjëherë nga familjarët dhe ka rezultuar se viktima e 5-të e tragjedisë së Butrintit është 17-vjeçari Ndriçim Myftari. Adoleshenti kërkohej prej 4 ditësh nga polumbarët, pasi familjarët e tij deklaruan se Ndriçim Myftari ka qenë në varkën që u mbyt mbrëmjen e së dielës.
Viktimat
Përkeqësohet bilanci i tragjedisë së Butrintit duke e çuar në 5 numrin e viktimave. Në orët e mesditës polumbarët kanë nxjerrë nga ujërat e liqenit trupin e pajetë të 17-vjeçarit Ndriçim Myftari nga rrethi i Lushnjës. Ndërkohë që 17-vjeçari ishte shpallur i zhdukur pas tragjedisë së ndodhur të dielën në mbrëmje, por sot trupi i tij është gjetur nga polumbarët, dhe më pas është identifikuar edhe nga familjarët. Burime nga policia bënë të ditur se trupi i pajetë është nxjerrë dje nga liqeni i Butrintit në prani të familjarëve. Trupi i viktimës është dërguar menjëherë në morgun e Sarandës ku ka qenë daja i tij ai që ka bërë edhe identifikimin e trupit të Ndriçim Myftarit.
Zhdukja
Zhdukja e Ndriçim Myftarit është bërë e ditur nga klandestinët e mbijetuar nga tragjedia dhe nga familjarët e tij. Këta të fundit deklaruan humbjen e tij duke u shprehur të bindur se 17-vjeçari ndodhej në varkën që u mbyt në ujërat e liqenit të Butrintit mbrëmjen e së dielës. Ndërkohë viktimë e kësaj tragjedie kanë mbetur edhe katër persona të tjerë, mes të cilëve edhe një vajzë 3-muajshe, së bashku me nënën e saj. Ndërsa të mbijetuarit e kësaj tragjedie dëshmuan se tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë ilegale për shkak të mungesës së dokumentacionit të ligjshëm për të prekur kufirin grek. Sipas tyre, kushtet ekonomike i detyruan të lënë atdheun për të gjetur punë në Greqi, që të mund të mbanin familjet me të ardhura. Burime nga policia bënë të ditur se 13 polumbarët që kërkuan dje në liqen kanë ndërprerë kërkimet duke lënë të kuptohet se 17-vjeçari nga Lushnja mund të jetë edhe viktima e fundit e tragjedisë së Butrintit. Megjithatë, ende nuk është bërë reagimi zyrtar i Policisë së Shtetit, i cili pritet të deklarojë nëse operacioni i kërkimit është ndërprerë përfundimisht dje, apo do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

Tragjedia
Më 19 tetor, rreth orës 19.18, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar se në liqenin e Butrintit, mbas parkut, tek ish-Peshkimi, një grup i përbërë prej 20-25 personash, në tentativë për të kaluar në bregun tjetër të liqenit, në vendin e quajtur “Bufi”, për t iu shmangur postbllokut të shërbimeve të Policisë Kufitare, të dislokuara pranë vendit të quajtur “Lundra”, duke përdorur dy varka druri, kanë tentuar të kalojnë nga Butrinti në Xarrë. Pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga barkat është përmbysur dhe personat kanë rënë në ujë.
Patrulla e Policisë Kufitare, sapo ka konstatuar aksidentin, ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme për t u dhënë ndihmë personave të përfshirë, duke bërë të mundur shpëtimin e 7 prej tyre. Me mbërritjen në orën 19.30, të përforcimeve nga Komisariatet e Policisë Kufitare dhe të Rendit të Sarandës, ambulancave dhe mjekëve të spitalit të Sarandës, është bërë e mundur dhënia e ndihmës për personat e përfshirë në këtë ngjarje. Nga kontrolli i ushtruar rezulton se është mbytur shtetasja Elvira Demir Jaho, 22 vjeç, banuese në fshatin Lapardha 2 Berat, foshnja e saj, Klara Jaho, 3- muajshe. Identifikimin e 2 viktimave e bëri shtetasi Dritan Bahir Jaho, 27 vjeç, i cili ishte bashkëshorti i Elvirës dhe babai i Klarës, i mbijetuar, i cili është shpëtuar nga forcat e Policisë Kufitare, pasi ishte në ujë duke u mbytur.

Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›