E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në zgjedhjet e ardhshme do ketë zgjedhje

 

Ilir Beqja

Vijojnë mesazhet dhe komentet nga burime të ndryshme dhe në formate të ndryshme se PS-ja nuk po jep asnjë alternativë, nuk po bën asnjë propozim dhe për pasojë “politika e re” e Edi Ramës, përveç ndryshimit në formë, nuk pritet të sjellë asnjë gjë të re në përmbajtje, duke ua bërë të vështirë zgjedhësve se për çfarë të zgjedhin në zgjedhjet politike të vitit 2009 Pa dyshim që këto mesazhe më shqetësojnë. Me veten time them që  persona që shkruajnë, edhe pse të vëmendshëm ndaj çfarë ndodh në vend, nuk kanë arritur të marrin vesh çfarë është bërë në PS në 12 muajt e fundit për hartimin e programit të ri qeverisës. Ndoshta për ta nuk është i rëndësishëm procesi i hartimit të programit, pasi u intereson vetëm se çfarë do të propozojë PS-ja. Sidoqoftë, edhe fakti se çfarë është bërë për të hartuar programin nuk është arritur të kuptohet në publik, më bën të mendoj se e meta është edhe tek ne.
Sekretariati për programin
Përgatitja e programit të ri qeverisës është një proces i filluar që në gusht 2007, pra 2 vjet para ballafaqimit normal elektoral. I gjithë procesi është inxhinieruar i plotë, por publikut i është shfaqur hap pas hapi. Si i tillë, është së pari një risi sasiore në kohë. Kjo kohë më shumë, e vënë në dispozicion, sjell edhe risi cilësore, pasi ka më shumë kohë për të ballafaquar ide.
Po prej gushtit të 2007-ës në sekretariatin e PS-së, të zgjedhur nga Asambleja Kombëtare, ka një sekretar për programin, deputeti Andis Harasani, dhe dy nënsekretarë. Edhe kjo është risi sasiore, por jo vetëm e tillë.
Dialog me Shqipërinë
Procesi i hartimit të programit është zhvilluar në dy linja kryesore. Një linjë është ajo e zhvilluar në “Dialog me Shqipërinë”. Ky proces politik është i njohur për publikun. Nuk është vendi të rendis numrin e takimeve që zhvilloi Edi Rama apo numrin e personave të takuar. Për 9 muaj resht, nga shtator 2007 deri në maj 2008, çdo muaj është diskutuar për një temë të veçantë, me qëllimin kryesor që të kuptonim sa më mirë çfarë shqetëson shqiptarët dhe pse për 17 vite me radhë përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat. Por në çdo takim kanë qenë prezentë edhe disa persona të tjerë, anëtarë të Komisioneve të ndryshme që funksionojnë pranë Asamblesë Kombëtare të PS-së. Këta persona ndoshta nuk janë shfaqur para kamerave, por kanë dëgjuar, pyetur, mbajtur shënime, ngacmuar debat. Kështu, ne në PS kemi arritur të prodhojmë pas çdo muaji dëgjesash dhe diskutimesh, dokumente të veçantë, ku paraqitet gjendja në çdo fushë që kemi cekur. Për publikun shqiptar janë tashmë të njohur Enciklikat e Arsimit, Bujqësisë, Energjisë, Mjedisit, Ujit, Çështjeve Sociale, Shëndetësisë. Them që janë të njohur jo vetëm për faktin e thjeshtë që prezantimi i tyre publik është bërë nga Kryetari i Partisë, apo që i kemi shpërndarë në mijëra kopje dhe po ashtu i kemi dërguar po në mijëra adresa e mail, por për faktin se kemi marrë me qindra komente me zë, me të shkruar apo edhe me e mail. Ky i fundit ka qenë një mjet i mrekullueshëm komunikimi edhe me shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë. Më tej janë organizuar tryeza për tema të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Për arsimin kemi organizuar fillimisht tryeza në çdo bashki e më pas tryezë në çdo qark. Për bujqësinë kemi organizuar tryeza në çdo komunë. Nisur nga sasia shumë e pakët e të dhënave disponibël për bujqësinë, kemi intervistuar mbi 5 mijë familje fermere dhe kemi bërë tashmë edhe përpunimin e këtij informacioni. Edhe për bujqësinë kemi organizuar tryeza në çdo qark. Për mjedisin kemi organizuar tryeza vetëm në nivel qarku. Nisur nga specifikat e problematikave të mjedisit, me kërkesë të njerëzve, kemi organizuar tryeza edhe në Lushnje, në Ballsh dhe në Burrel. Procesi i tryezave do të vijojë dhe finalizimi do të jenë tryezat kombëtare për çdo fushë. Në tryezat kombëtare do të prezantohen propozimet e PS-së për fushën përkatëse. Këto propozime janë përgatitur nga më shumë se 70 ekspertë të Komisioneve të AK që citova më lart. Gjithë çfarë përshkrova më lart, prej muajsh mund të konsultohet në www.dialogumeshqiperine.com. I gjithë procesi “Dialog me Shqipërinë” ka patur si qëllim të fillojë të mbjellë idenë se identiteti politik i PS-së duhet të jetë programi i ri qeverisës. Të bashkuar rreth këtij programi, ne mund të ndërtojmë një vokacion maxhoritar për partinë tonë. Pra maxhoritare për ne duhet të jetë partia, programi i saj, ekipi i saj dhe jo grupimet e interesave të pjesshëm. Këtë frymë kanë edhe ndryshimet e fundit kushtetuese aq shumë të përfolura dhe anatemuara. Nëse nuk është arritur të kapet ky mesazh, ne nuk ndjemë faj për cekëtinë e gjykimit të të tjerëve.
Fondacioni “Qemal Stafa”
Linja e dytë e zhvillimi të procesit të hartimit të programit është angazhimi i Fondacionit “Qemal Stafa”. Dihet që fondacioni është një OJF pranë Partisë Socialiste. Fondacioni në periudhën 8 shkurt – 8 qershor ka ftuar në bashkëbisedim me dyer të hapura specialistë të ndryshëm, jo detyrimisht simpatizantë të së majtës apo anëtarë të PS-së. I gjithë ky proces është bërë në sytë e publikut. Fondacioni ka gati librin e rekomandimeve për Partinë Socialiste për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin e territorit, për drejtësinë, për politikën e jashtme, për integrimin evropian, për tregun e punës. Për të arritur në librin e rekomandimeve edhe fondacioni ka zhvilluar nga tre tryeza për secilën nga 6 fushat që përshkrova. Janë mbi 120 persona që kanë marrë pjesë në një apo më shumë tryeza. Edhe aktiviteti i fondacionit në funksion të ndihmës për përgatitjen e programit të PS-së është prej muajsh i konsultueshëm në www.fqs-al.org.
Bashkëpunimi me
 ekspertë të huaj
Një aspekt i veçantë dhe mjaft interesant i përpjekjeve për të hartuar programin e ri qeverisës është edhe bashkëpunimi me ekspertë të huaj. Janë ekspertë, të cilët janë ofruar të na ndihmojnë jo vetëm sepse janë pjesë e partive simotra të majta evropiane, por edhe pasi janë njohur me të gjithë elementët e inxhinierimit të procesit, punën voluminoze dhe detajet kapilare që ne u kemi vënë në dispozicion. Deri më sot që unë shkruaj janë mbi 30 ekspertë të huaj, kryesisht nga Italia, por edhe nga Gjermania, Franca, Hungaria dhe Bullgaria. Këta ekspertë po bashkëpunojnë me ekspertët tanë për bujqësinë, mjedisin, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, peshkimin, energjinë, administrimin e territorit, administrim fiskal, administrimin e territorit, mediat, administrimin e ujërave. Brenda fundit të vitit 2008 ne do të kemi rakorduar propozimet tona edhe me gjetjet dhe sugjerimet e këtyre ekspertëve të huaj.
Programi
E gjithë kjo punë voluminoze në 12 muajt e fundit, ka bërë që sot që unë po shkruaj, bazuar në një material të shkruar rishtas për rreth 500 faqe, ne të kemi një version paraprak të programit të ri qeverisës, i cili është një program i plotë dhe i detajuar. Bazohet në një detajim prej 107 çështjesh për të cilat do të japim propozime konkrete. Përcaktimi i listës së çështjeve dhe grupimi i tyre bazohet në një klasifikim ndërkombëtar të funksioneve të qeverisjes. Është një klasifikim që na lejon të bëjmë analiza të detajuara prapa në kohë, por edhe të projektojmë për të ardhmen për më shumë se një mandat qeverisës. Është një klasifikim që na lehtëson edhe projeksionet buxhetore, pasi jemi në gjendje të bëjmë një kostim të detajuar. Por, përveç identifikimit të çështjeve kemi gati, sot që unë shkruaj, propozimet konkrete për 96 çështje dhe po punojmë intensivisht edhe për 11 të tjerat.
* * *
Më lart shpjegova procesin dhe realizimin e tij në 12 muajt e fundit. Një proces i ngjashëm nuk është zhvilluar më parë.  Eksperienca më e fundit rrëfen që PD-ja e filloi këtë proces vetëm 5 muaj para zgjedhjeve. Kjo është arsyeja kryesore që qeveria që kemi u soll pa busull për më se dy vjet dhe sot në tre vjet qeverisje ka një bilanc negativ rrëqethës.
Megjithatë çfarë thashë më lart nuk i intereson shumë publikut, apo atyre që do të jenë zgjedhës në verën e ardhshme. Atyre u intereson se çfarë ne do të propozojmë dhe më pas ata të mund të zgjedhim. Ne për këtë po përpiqemi. Pra, që në verën e 2009-ës gara elektorale të jetë më së shumti ballafaqim programesh. Sidoqoftë, sado malinj të duash të jesh ndaj PS-së apo individëve të caktuar në të, nuk mund të mendosh që e gjithë kjo sipërmarrje është shumë zhurmë për asgjë, apo që jemi tallur me burra të mençëm e të famshëm si Michel Rocard, Giuliano Amato apo Massimo D’Alema. Dhe, edhe në se dikush e mendon këtë, nuk e gjej me vend pse duhet të provokojë publikisht që PS-ja nuk ka ide dhe nuk ofron zgjedhje meqë 1 vit para zgjedhjeve nuk po prezanton programin e saj.
PS-ja do të fillojë të prezantojë teza të ndryshme të programit në shtator 2008. Jo si reagim ndaj provokimeve për mungesë propozimesh, por sepse këtë e kemi përcaktuar që në shtator 2007, bërë publike nga goja e kryetarit të PS-së. E kemi përcaktuar edhe në kalendarin politik të PS-së për gjashtëmujorin e dytë të 2008 që miratuam në Asamblenë Kombëtare në javën e parë të korrikut 2008. Në periudhën shtator 2008 – mars 2009 do të rikthehemi tek shqiptarët për t’u paraqitur propozimet tona. Do të dëgjojmë komentet e tyre, se çfarë mendojnë ata për propozimet tona. Përsëri do të mbledhim komentet e tyre. Kjo do të bëjë që në fushatën e vërtetë elektorale të paraqesim një program që është përgatitur bashkë me qytetarët. Që kur të shkojmë t’u kërkojmë votën, të jetë hera e tretë që diskutojmë me ta. Pasi mendojmë se ka ardhur koha të fillojmë të zbatojmë qeverisjen me diskutim. E kemi testuar qeverisjen me diskutim në disa njësi të mëdha të qeverisjes vendore që drejtojnë socialistët. Ne socialistët kemi diskutuar nën moton “Gjykoni punën time” apo “Thuaj fjalën tënde”. Nga shtatori 2009 do ta shtrijmë këtë proces edhe në qeverisjen qendrore.
* Nënsekretar për programin në PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›