"Lul Berisha, shtyhet gjyqi për në shtator
Tiranë- Pezullohen afatet e paraburgimit për 16 të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të “bandës” së Durrësit dhe shtyhet gjyqi për në shtator. Sot, me tre orë vonesë ka filluar seanca e radhës gjyqësore pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda për shqyrtimin e procesit penal ndaj 16 të pandehurve të “bandës” së Durrësit, por mungesa e 6 avokatëve dhe tre të pandehurve detyroi gjykatën të shtyjë seancën për datën 4 shtator.
Menjëherë, pas verifikimit të palëve në seancë dhe evidentimit të mungesave të avokatëve, avokati i Lul Berishës, akuzoi policinë për rrëmbimin e klientit të tij, të bërë tre ditë më parë për marrjen në pyetje për një çështje tjetër hetimore të prokurorisë së Durrësit, që nga mbrojtësi ligjor u cilësua si rrëmbim personi dhe marrjen e tij në pyetje larg institucionit të paraburgimit në Linzë shkakton frikë për jetën e tij.
Pas, kësaj kërkese gjykata e vlerësoi të drejtë shqetësimin e mbrojtësit, duke kërkuar nga policia dhe prokuroria që për çdo lëvizje të Lul Berishës të njoftohet gjykata.
I penduari
Vendosja prapa hekurave të burgut të 16 pjesëtarëve të “bandës” së Durrësit ka ardhur me ndihmën e të penduarit Adriatik Coli, i cili ishte pjesë e kësaj organizate kriminale për disa vite dhe për llogari të saj ka kryer rreth 8 vrasje.
I pandehuri ka nënshkruar marrëveshjen me prokurorinë dhe ka fituar statusin e të penduarit, Coli erdhi pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda i shoqëruar nën masa të rrepta të sigurisë, ku ishte i veshur me antiplumb.
Ndërsa, pas shtyrjes së seancës i penduari është shoqëruar jashtë dyerve të gjykatës, me mjete të blinduara dhe nën vëzhgimin e rreptë të forcave të zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë.
Sipas akuzës, dëshmia e tij ka fundosur të 16 të pandehurit e kësaj bande, duke dëshmuar me hollësi për të gjitha ngjarjet dhe vrasjet e kryera nga të pandehurit që janë të arrestuar dhe atyre të shpallur në kërkim.