Pranga për abuzim punonjësve të KESH-it
Kolonjë- Policia ka vënë në pranga dy punonjës të KESH-it në Kolonjë të Korçës, të akuzuar për përvetësim të parave të qytetarëve.
Sipas burimeve policore mësohet se ata në bashkëpunim nuk kanë bërë derdhjen në arkë të parave të qytetarëve, që vinin nga faturat e energjisë elektrike, por i kanë marrë për vete.
Gjithçka është zbuluar pas denoncimit të qyteratëve që edhe pse i kishin paguar shumat që detyroheshin në bazë të faturave për konsumin e energjisë elektrike, rezultonin debitorë.
“Në pranga kanë përfunduar shtetasit Ali Karadhiqi, 50-vjeç nga Leskoviku dhe Desdemona Maçe, 50-vjeç po nga Leskoviku”- thanë burimet policore, duke shtuar se iI pari akuzohet për veprën penale të mashtrimit dhe e dyta për përvetësim dhe shpërdorim detyre.
Të dy shtetasit e ndaluar janë punonjës të ndërmarrjes elektrike Kolonjë. Në ngarkim të tyre ka filluar procedimi penal, pasi kanë përvetësuar një shumë prej 211 mijë lekë të reja të grumbulluara nga faturat e energjisë elektrike nga qytetarët e Leskovikut.
Materialet i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërkohë që të ndaluarit do të qëndrojnë në pritje të caktimit të masës së sigurisë.