E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lul Berisha, trafik femrash e droge”

 

Armand Bajrami

“Lulzim Berishën e kam njohur në Monza, Itali, në vitin 1994. Në atë kohë unë qëndroja në Monza, ndërsa Lulzimi qëndronte në Rimini.
Aty ai shfrytëzonte një femër si prostitutë. Gjithashtu e dija që ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Shoku që qëndronte në një shtëpi me mua në Monza, shkoi të takohej me Lulin dhe djemtë e tjerë në Rimini. Sapo ishte larguar prej tyre, ai kishte marrë telefonatë nga ata. I kishin thënë që pas largimit të tij, kishte mbërritur policia dhe kishte bastisur banesën. Në vijim Lulzimi dhe djemtë tjerë erdhën në Monza. Unë pastaj u largova në Gjermani, ku qëndrova për disa vjet. Në vitin 1997 jam ritakuar me Lulzim Berishën në Durrës, pasi ai jetonte në një shtëpi afër meje. Në vitin 1998 unë kam qenë në të njëjtin ambient me Lulzim Berishën, kur ai është plagosur pas një sherri banal. Të nesërmen e asaj dite mësova se Plaurent Dervishaj dhe dikush tjetër shkuan në Xhafzotaj. Shkuan të qëllonin mbi Festim Qolin dhe një person tjetër. Kur janë kthyer thanë se i kishin vrarë, por më vonë morëm vesh që ata vetëm ishin plagosur”. Kjo ka qenë dëshmia e dhënë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga Adriatik Coli, i penduari i “bandës së Durrësit”. Dëshmia e tij është mësuar nga burime zyrtare të seancës, pasi gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e medias.
Dëshmia e
të penduarit
Pas më tepër se dy vite e gjysmë në të cilat procesi ka njohur vetëm seanca të dështuara, Adriatik Coli, i penduari i “bandës së Durrësit” filloi dje rrëfimin e tij para Gjykatës për Krimet e Rënda. Në seancën me dyer të mbyllura, bashkëpunëtori i drejtësisë “theu” heshtjen në të cilën ishte detyruar të qëndronte përgjatë më shumë se dy viteve si pasojë e dështimit të gjyqit nga manovrat e avokatëve. Me nisjen e dëshmisë së Colit, Gjykata për Krimet e Rënda nxori dje nga “ngërçi” që kishte kapluar këtë gjykim që prej fillimit të tij, në qershor të vitit 2007. Edhe pse i penduari filloi rrëfimin, dëshmia e tij është ndërprerë vetëm pak minuta më pas, për shkak të precipitimit të situatës në seancë. Palët në proces u përfshinë në debate mes tyre, të cilat kanë detyruar gjykatën deri në marrjen e masave për nxjerrje jashtë sallës. Tentativat e avokatëve për të dështuar seancën nuk kanë munguar as dje. Sipas burimeve nga gjyqi, menjëherë pas prezantimit të palëve, avokati i të pandehurit Kristian Begu ka pretenduar se nuk mund të qëndronte në sallë, pasi nuk ndjehej mirë nga ana shëndetësore. Por duke e parë si një justifikim të pabazuar, trupa e kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari ka vijuar seancën. Sipas burimeve brenda në seancë, Coli rrëfeu dje njohjen e tij me të akuzuarin nga Prokuroria si kreun e “bandës së Durrësit”, Lulzim Berishën. Për shkak të kohës së shkurtët që ka folur, Coli nuk arriti të japë detaje të hollësishme, ndërsa ka përmendur se ka qenë i pranishëm kur Berisha është plagosur në vitin 1998 dhe një ngjarje kriminale ku edhe ai ishte përfshirë.
ZHBLLOKIMI 
“Skema” e djeshme e avokatëve për shtyrjen e seancës dështoi kur kryesuesi i seancës nuk mori parasysh pretendimin e avokatit Pjetër Deda për t’u larguar nga seanca. Mësohet se avokati i të pandehurit Kristian Begu kërkoi të largohej, me arsyetimin se një kafe e konsumuar përpara fillimit të seancës nuk i kishte bërë mirë për shëndetin. Por, menjëherë pas nisjes së dëshmisë së Colit, situata në sallën e gjyqit është “ndezur”. Ndërhyrjet e prokurorëve për disa saktësime gjatë dëshmisë së Colit janë marrë si sugjestionime nga ana e mbrojtësve. Në replika dhe në ngritje të tonit të zërit janë përfshirë edhe disa prej të pandehurve, që ishin të pranishëm në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit. Në të tilla kushte gjykata ka urdhëruar largimin nga salla për avokatin Riza Icka. Më tej trupi gjykues kërkoi nxjerrjen jashtë sallës edhe për të pandehurit Lulzim Berisha dhe Kristian Begu. Mësohet se Begu, para se të dilte kërkoi të mos mbrohej më nga avokati i tij.

Banda, dështon gjyqi për Bujar Gashin
TIRANE – Një tjetër trupë gjyqësore e Krimeve të Rënda nuk mundi të njihet dje me dëshminë e Adriatk Colit në procesin gjyqësor në ngarkim të Bujar Gashit. Angazhimi i trupës në një seancë tjetër gjyqësore, që zgjati jashtë afateve të parashikuara, çoi në pamundësinë e zhvillimit të seancës në ngarkim të Gashit, një prej të akuzuarve të “bandës së Durrësit”, që gjykohet i veçuar nga pjesa tjetër e grupit. Edhe pse në shumicën e rasteve shkak për shtyrjen e seancave bëhen mungesa e njërës prej palëve, ditën e djeshme avokati mbrojtës i Gashit dhe prokurori i çështjes ishin të pranishëm. E caktuar për të filluar në orën 14:00, palët qëndruan në pritje deri në përfundimin e orarit zyrtar të punës në Gjykatë, në orën 16:00 dhe më pas u larguan. Gjatë gjithë kësaj periudhe ata nuk u kontaktuan nga asnjë prej punonjësve të gjykatës. Bujar Gashi është arrestuar rreth një vit më parë në Milano në Itali. Ai u ekstradua në Shqipëri në 26 maj të këtij viti.

I penduari i maskuar si polic, me supermasa për dy vjet në gjykatë
TIRANE - Prej dy vitesh, Adriatik Coli, një nga ish-anëtarët e "bandës së Durrësit" shoqërohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë me supermasa nga forcat speciale të policisë. I veshur me antiplumb, me një skafandër në kokë, poshtë të cilës qëndron një maskë, dhe i vendosur në një autoblindë të policisë, Adriatik Coli shoqërohet në gjykatë në çdo seancë nga një autokolonë prej të paktën katër makinash të forcave speciale të policisë. Vendstrehimi i tij shpeshherë ka qenë objekt hamendësimesh, megjithatë Adriatik Coli ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë që prej pranverës së vitit 2007 dhe çdo informacion lidhur me vendqëndrimin e tij është klasifikuar sekret. Programi i supermasave të sigurisë që shoqërojnë të penduarin që zbërtheu "bandën e Durrësit", parashikon qëndrimin e tij edhe në sallën e gjyqit i rrethuar me forcat speciale të policisë, të gjithë të maskuar në fytyrë. Edhe i penduari është i veshur si efektiv policie në të gjitha lëvizjet jashtë gjykatës, në mënyrë që të mos identifikohet nga persona të ndryshëm. Në momentin e hyrjes në seancë, për efekt identifikimi, Adriatik Colit i hiqet skafandra dhe maska, me qëllim që gjykata dhe palët në proces të identifikojnë personin që rrëfen krimet e bandës me mbi 18 anëtarë. I gjithë operacioni i shoqërimit të të penduarit, megjithëse i justifikuar konsiderohet të ketë një kosto financiare të kushtueshme për shtetin shqiptar, aq më tepër që prej dy vitesh procesi gjyqësor ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme, derisa dje gjykata ka arritur të hapë "kapitullin" e dëshmisë së gjatë të Adriatik Colit. Menjëherë pas kapjes së anëtarëve kryesorë të "bandës së Durrësit" në vitin 2007, Adriatik Coli u riatdhesua nga Italia ku u arrestua prej policisë shqiptare. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në disa prej krimeve të bandës, ku ka qenë i pranishëm për vite me radhë. Në cilësinë e anëtarit të organizatës kriminale, si një person që kishte qenë i pranishëm në shumicën e krimeve, Adriatik Coli dha deklarime mbi aktivitetin e "bandës së Durrësit" duke zbardhur për Prokurorinë episode të panjohura më parë. Dëshmia e Adriatik Colit përbën një nga provat kryesore të dosjes penale të Prokurorisë kundër anëtarëve të "bandës së Durrësit". Rrëfimi voluminoz i Adriatik Colit i shërbeu organit të akuzës për rihapjen e një sërë dosjesh "pa autor", pas të cilave fshiheshin anëtarët e bandës që veproi kryesisht në qytetin bregdetar. tr.so           

Lul Berisha "dëbohet" nga gjyqi

Më tepër se asnjëherë tjetër, Gjykata për Krimet e Rënda u tregua e ashpër dje në procesin e të akuzuarve si anëtarë të "bandës së Durrësit". Pas fillimit të debateve në sallë, Gjykata mori masa dhe një nga të "ndëshkuarit" ishte edhe i akuzuari nga prokuroria si kreu i kësaj bande, Lulzim Berisha. Mësohet se gjykata ka urdhëruar largimin e tij nga seanca me argumentimin se po ushtronte presion ndaj një avokateje të caktuar kryesisht. Mësohet se në seancën e djeshme ishin të pranishëm vetëm një pjesë e vogël e të pandehurve. Për shkak të reagimeve të tij  kundër avokatëve, gjykata urdhëroi nxjerrjen jashtë sallës për Lulzim Berishën, duke kërkuar vazhdimin e procesit pa praninë e tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›