Hamdi Salihi, në 11-shen e javës në Austri
Është njeriu i javës në Austri. Shënoi dy gola të bukur dhe ka zënë vend në formacionin më të mirë të Bundesligës austriake për javën e nëntë të saj. Madje Hamdi Salihi rezulton të jetë edhe ndër lojtarët me notën më të lartë dhënë nga specialistët e futbollit në këtë vend. Vetëm portieri i Salzburgut, Edi Gustafson është vlerësuar me lart se sulmuesi shqiptar, me notën 9.5. Ndërsa Salihi ka marrë notën 9 së bashku me sulmuesin e Austrisë së Vjenës, Tomas Jun. Treshes së sulmit më të mirë të kësa jave i është bashkangjitur edhe ish-kolegu i Salihit deri pak javës te Riedi, Nacho. Por rekordet e Hamdi Salihit nuk mbarojnë këtu. Ndonëse nuk është ende golashënuesi më i mirë i këtij kampionati (ndodhet në vendin e 6-të me 5 gola) shkodrani ka një mesatare të frikshme në shënimin e golave. Gjatë këtij sezoni, me Riedin dhe Rapidin ai ka shënuar 1 gol për gati 100 minuta lojë. Madje për t’u theksuar është fakti se përkundrejt pesë lojtarëve të tjerë në listën e golashënuesve të cilët kanë luajtur gjithmonë si titullarë, Salihi nga 9 ndeshje në vetëm 4 pesë prej tyre ka luajtur q nga minuta e parë. Ndërsa në katër të tjera është futur në lojë si zëvendësues por gjithsesi ka mundur të ambientohet shpejt duke shënuar në dy ndeshje. Ndërkohë Rapidi i Vjenës do të jetë mysafir ditën e enjte në “Ibroks Park” të Gllazgout për javën e 2-të të Europa League ndaj Sëlltikut. Mediat skoceze i kanë bërë jehonë jo vetëm formës së mirë të futbollistit shqiptar por edhe një deklarate të bujshme ku Salihi theksonte se nuk do të mund ta ndalin dot as në Skoci. “Do të udhëtojmë për në Skoci me idenë për të marrë një rezultat pozitiv. E patëm provuar me shumë sukses si ndaj Aston Vilës dhe Hamburgut, ndaj do të jemi në gjendje të marrim edhe ndaj Sëlltikut një fitore. Jam gati të mund Sëlltikun dhe mezi po pres tu tregoj fansave skocezë golin tim të parë në Europa League”, ka pohuar Salihi.