E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis Festivali i të Drejtave të Njeriut

 

Dhuna, prostitucioni, diktatura, probleme etnike dhe identiteti. Realiteti i sotshëm i përkthyer në film. Nis sot edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi". Gjatë 5 ditëve të Festivalit do të shfaqen 37 filma nga e gjithë bota, si SHBA, Suedi, Holandë, Greqi, Hungari, etj., të përzgjedhur nga komiteti selektiv i festivalit. Një pjesë e këtyre filmave do të prezantohen nga vetë kineastët, fitues të çmimeve ndërkombëtare, që tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Ndonëse vijnë nga vende të ndryshme, filmat trajtojnë çështje të së drejtave të njeriut që hedhin dritë mbi realitetin dhe fenomene të shoqërisë shqiptare. Filmat trajtojnë tablo rrëqethëse, ankthe, dilema e tabu nga jeta e përditshme e mbarë planetit tonë ku janë vënë në pikëpyetje vlera morale, etike e shpirtërore; ku individë, grupe shoqërore e vende të ndryshme kanë humbur çdo lloj perspektive e shprese ndaj të ardhmes së tyre. Fëmijë që shiten, gra që dhunohen, glorifikime krimi tiranësh e diktatorësh, korrupsion e lavazh truri e parash si normë e model të jetuari, oligarkë feudalë e ndotës bërthamorë që detyrojnë popuj të zgjedhin mes helmit dhe varfërisë, intolerancë etnike, fetare e homofobike. Këto janë disa nga temat që trajtohen në filmat e këtij festivali. Risi e këtij viti janë dhe organizimi i forumeve të hapura me nxënës të shkollave të mesme të interesuar për të diskutuar çështjet të drejtave të njeriut. Festivali hapet sot në ambientet e Akademisë "Marubi" me filmin amerikan "Hijshmëritë e Marias". Hyrja është e lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›