“Pse i duhet Liverpulit, Çelsit, Mançesterit e Arsenalit një Cana”
Leonard Karaj
Është Lorik Cana i destinuar për në një nga katër klubet më të mira në Angli? Kjo ka qenë pyetja e gazetarit të Sport.co.uk, i cili ka analizuar edhe arsyet e këtij sondazhi. Sipas tij Lorik Cana është futbollisti që duhet ndjekur me shumë kujdes gjatë këtij sezoni. Kjo edhe për faktin se një skuadër si Sanderlend pagoi një shifër të konsiderueshme për të. Pasi bën një ekspoze të karrierës së Lorik Canës nga fillimet e tij te Paris Saint-Germain e deri tek skuadra angleze, analisti kujton faktin se lojtari ka qenë në shënjestrën e Arsen Venger prej kohësh, një skauteri që rrallë herë i shpëtojnë talentët e rinj. Një politikë të tillë Venger ka ndjekur edhe me lojtarë si Patrik Viera, Çesc Febregas, teksa ka ardhur koha që pikërisht Arsenali i tij të ketë nevojë për një lojtar si Cana pasi është pjesa defensive e këtij ekipi që çalon më shumë. Në të njëjtën linjë qëndron edhe problemi te Liverpuli. Pas largimit të Ksabi Alonso, problemeve shëndetësore të Akuilanit dhe paqartësisë shpesh herë të Josi Benajoun e Havier Maskeranos duket se Rafa Benitez do të kthejë kokën pikërisht nga një lojtar si Cana, që siguron mirë pjesën defensive të skuadrës. “Ai nuk mund ti lejojë veten luksin për të kthyer në mesfushë një lojtar si Zherard, duke pasur mundësi investimi tek një si Cana”, thuhet në analizën e specialistit anglez të futbollit. Por sipas tij një Lorik Cana është i vlefshëm edhe për klube si Çelsi e Mançester, jo me më pak probleme se dy skuadrat e para. Blutë e Londrës kanë mbështetur lojën e tyre përgjithësisht tek Esien, Mikel, Lampard, Balak dhe Deko, lojtarë këta që nuk mund të japin siguri për më shumë se një sezon, kjo nisur edhe nga mosha e tyre. Ndërsa Mançester pa një Pol Skolls, në fund të karrierës së tij, me një Darren Fletçer jo gjithmonë në formë të mirë fizike, me një Darren Gibson ende i ri për të marrë përgjegjësi dhe me një Ouen Hargrivs më shumë i dëmtuar sesa në dispozicion të trajnerit e ka më emergjent gjetjen e një lojtari si Lorik Cana. E megjithatë “katërshja elitare” nuk do ta ketë fort të lehtë për ta bërë të vetin një si Cana, kjo edhe për faktin se Sanderlend parashikon ta mbajë për disa sezone në skuadër por edhe për faktin se në tratativa mund “ti fusin hundët” edhe klube si Totenham dhe Mançester Siti të cilave nuk u mungojnë paratë.