E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Tetori gjerman", kujton rënien e Murit të Berlinit

 

Kujtesë historike në filma, ekspozita, shfaqje teatrale dhe forume. Ashtu siku-ndër është kthyer në traditë, data 1 tetor shënon fillimin e muajit kulturore "Tetori Gjerman". Një muaj i mbushur me aktivitete, ku çdo ditë do të ketë një ngjarje kulturore, apo sportive. Ky vit përkon me 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe 60-vjetorin e Republikës Federale Gjermane dhe si i tillë është i mbushur me aktivitete, që na kthejnë pas në kohë, në ato momente të rëndësishme jo vetëm për historinë e Gjermanisë, por edhe asaj botërore. Është një mundësi më shumë për të folur për luftën dhe paqen, për diktaturat dhe për demokracinë. "Në datën 9 nëntor të vitit 1989 Muri i Berlinit ra. Të kujtuarit e kësaj ngjarjeje për ne, gjermanët është me rëndësi të veçantë. Rënia e Murit të Berlinit simbolizon në mënyrë figurative fundin e regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe Juglindore. Në këtë kontekst 9 nëntori 1989 nuk është vetëm një ditë kujtese kombëtare për ne gjermanët, por ka rëndësi historike, që shkon përtej kufijve të vendit tonë. Pikëprerje të shumta rezultojnë dhe në historinë shqiptare", shprehet ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchard. Pikërisht kujtesa do të jetë në qendër të diskutimit "Politika dhe kultura 20 vjet pas rënies së Murit", ekspozita artistike në ambientet e hotel "Dajti" "Feedback '89", në ekspozitën e librave shkollorë "Rënia e Murit të Berlinit në librat shkollorë evropianë", konferenca shkencore "Vende të kujtesës", "Nga revolucioni paqësor, tek bashkimi i Gjermanisë", etj. Plot 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit harta politike e Evropës ka ndryshuar rrënjësisht. Ndarja ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit është kapërcyer, Bashkimi Evropian ka zgjeruar kufijtë e tij drejt Lindjes, ndërsa janë krijuar territore të reja kombëtare. Por si ka ndryshuar harta kulturore e Evropës në dy dekadat e fundit? A është kultura një riprodhim i transformimeve politike, apo ajo vijon rrugën e saj të pavarur? A është kultura një urë mirëkuptimi mes popujve, apo forcon identitetet kombëtare? A ka disnivel mes kulturës së Lindjes dhe Perëndimit. Këto janë disa nga pyetjet që mundohen t'u përgjigjen aktivitetet e "Tetorit Gjerman", i cili do të njohë një intensitet diskutimesh dhe trajtesash në tryeza e forume të ndryshme. Do të zhvillohet gjithashtu, një ekspozitë posterash në gjuhën angleze, e cila hedh dritë mbi prapaskenat e ngjarjeve të vjeshtës së vitit 1989 në Gjermani. Por nuk do të mungojnë edhe aktivitetet me karakter tërësisht artistik dhe letrar. Do të zhvillohen disa mbrëmje poetike, ku do të lexohen poezi e pjesë në prozë nga poetë e prozatorë gjermanë e shqiptarë. E tillë do të jetë "Adami dhe Evelina" nga Ingo Schulze, "Pjesët më të mira në prozën e viteve të fundit", "Poezi moderne gjermane në shqip", etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›