Pafajësia reale e Aldo Bumçit
Pashë dje Aldo Bumçin që del e mbron një gjë që nuk përbën vepër penale. E kam parë që së paku ka nja tre muaj rresht që del e bën gjithë gjërat më të panevojshme për një politikan normal. Është krejt i ndryshëm nga ai Aldo Bumçi ministër. Nëse ju kujtohet, portreti i tij politik në atë kohë ishte krejt i ndryshëm. Atëherë ishte një ekstremist i llojit tjetër. Nuk denjonte të bënte asnjë reformë në administratën e ministrisë, nuk ndërronte as shoferin e ish-ministrit, nuk pranonte të mbështeste nisma politike të PD që synonin thjesht marrjen e pozicioneve politike në administratë. Ishte shumë i ndjeshëm ndaj kërkesave të opozitës dhe iu jepte atyre gjithmonë shumë të drejtë. Ishte në të vërtetë një ministër dizastër që të linte pa fjalë me mosveprimin dhe mungesën e nervit politik.
Gjithçka është e kundërt tani. Dhe ata që kanë qenë më “skifterë” në PD, janë më të qetë dhe më normalë në krahasim me Bumçin, i cili ishte simbol i heshtjes dhe partizan i bashkëpunimit me çdo kusht me opozitën. Dhe të mendosh që opozita e para dy viteve ishte opozitë bilbilash, kurse kjo e sotme, shumë luajale me Berishën, së paku në çështje të reformave ligjore.
Po ku është problemi?
Problemi është banal dhe Bumçi duhet të ketë kurajë ta paraqesë ashtu siç është. Në javën e ndërrimit të tij si ministër, më 13 mars 2007, nga faksi i tij në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes janë dërguar komentet për projektvendimin që i hapte rrugë ndërtimit të Gërdecit, në një faks të Ministrisë së Mbrojtjes. Për lehtësi, sekretarja e tij apo dikush tjetër nga institucioni i tij ka shkruar sipër faksit shënimin “Për Shkëlzen Berishën”. Faksi është protokolluar dhe është ruajtur si i tillë me këtë shënim në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe është sekuestruar prej prokurorisë. Kjo e fundit ndoshta do të ketë nevojë të pyesë zotin Bumçi, në mos e ka pyetur për këtë detaj, dhe kaq. Këtu përfundon gjithë kjo histori. Nuk ka vepër penale këtu. Nuk ka thyerje të ndonjë ligji. Nuk ka ndonjë gjë, për të cilën Aldo Bumçin do ta shikojmë me pranga. Ka vetëm një gjë banale, për të cilën realisht Bumçi, jo vetëm që nuk do të dënohet, por do të ecë përpara. Ka fatin e madh të ketë raportuar te djali i kryeministrit, në vend që të raportojë te babai i tij. Asnjë shkelje ligjore s’ka dhe të rrijë i qetë. Opozita të mbyllë gojën, se nuk është një aksion i saj as gjetja e këtij fakti dhe as shkuarja në prokurori. Kritikët e tij të heshtin, se nuk ia vlen të ngrihen dyshime për shkelje ligjore prej Bumçit, në një kohë që s’i ka bërë. Ajo që ju mendoni se është skandal, në të vërtetë është një fat që Bumçit i ka rënë nga qielli, pasi jam i sigurt se dhe vetë nuk ka qenë i ndërgjegjshëm për fuqinë që do t’i jepte ajo copë shënimi e sekretares së tij mbi faks. Ai është realisht tani heroi i familjes në pushtet dhe ndaj del përditë që t’ia përmendin këtë faks, që në fakt është fati i tij real për karrierë në politikë. Ai quhet që e ka dhënë provën e tij. Bumçin mund ta thërrasësh në prokurori, po s’ke për çfarë e pyet. E vetmja gjë e sigurt është që ai faks është nisur nga zyra e tij dhe ka mbërritur te faksi zyrtar i Fatmir Mediut, por nuk përbën vepër penale dhe as shkelje ligjesh. Ai është vetëm një ilustrim banal i nivelit ku ka rënë shteti, i pushtetit absolut të fëmijëve të kryeministrit mbi ministrat që kanë nevojë për karrierë brenda PD dhe mbi të gjitha tregues i mungesës së sinqeritetit të kryeministrit që thotë se për Gërdecin dëgjoi për herë të parë më 2008.
Ndaj unë e ftoj zotin Bumçi të jetë i qetë dhe të mos dalë më publikisht fare për këtë problem. Përmbajtja e komenteve është korrekte. Jokorrekt është fakti që ministrat i raportojnë Shkëlzen Berishës, në vend që t’i raportojnë Sali Berishës dhe kjo bëri që më 15 mars të vitit 2008, Shkëlzeni dinte gjithçka, po nuk i tregonte babait as për baxhanakun, kurse kryeministri nuk dinte asgjë se ministri i tij i ka pas raportuar djalit dhe jo atij. Kaq është e gjithë historia. Askush nuk mund ta ndëshkojë Bumçin për këtë histori. Çdokush që hedh insinuata për vepër penale të tij, gabon. Asnjë ligj dhe asnjë nen nuk ka prekur. E vetmja gjë që ka bërë, është se na ka provuar kush e ka pushtetin realisht dhe cila është rruga të bësh përpara në PD. Ai faks është fati real politik i Aldo Bumçit. Ai është fati i rënë nga qielli. Për këtë arsye ai nuk është më si më parë, i moderuar, i tërhequr dhe dyshues për gjërat që bën PD. Ai është i qartë, në rresht dhe i sigurt, se pret të shpërblehet për atë që ka bërë.