Luli Bitri, femra ideale që kërkojnë meshkujt
Ajo është një aktore mjaft e këndshme, e brishtë dhe e lirshme në skenë teksa interpreton personazhet e saj. Është diplomuar për dramë dhe dashuron në mënyrë të veçantë aktrimin për vetë faktin se ka qenë një ëndërr e rastësishme. Është pjesë e një brezi të ri aktorësh që ka spikatur mjaftë bukur në skenën shqiptare dhe padyshim që ka sjell diçka të re me karakterin e veçantë të saj.
Kjo është aktorja Luli Bitri, e cila beson se me përpjekje, punë dhe dëshirë mund të ecësh përpara. Me personazhet që ka vendosur në skenë ajo e ka bërë për vete publikun, i cili gjithmonë dhe më shumë e vlerëson për atë që ajo sjell në teatër si një aktore e re e skenës shqiptare. Luli Bitri ka një karrierë të pasur artistike, edhe pse është pjesë e brezit të ri të aktorëve që interpretojnë në skenë, ka sjellë para publikut personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet për një periudhë të shkurtër kohore.
Personazhet që ka ngjitur në skenë po shënohen me sukses njëri pas tjetrit. Një rol që i ka lënë më shumë mbresa është roli i “Alis”. Një vajzë lozonjare e ngërthyer në dramën e tre personazheve të tjerë që ka folur shqip përmes aktores Luli Bitri.
Ajo që e bën të ndihet në vetvete shumë e sigurt drejt këtij profesioni ka qenë fakti se fillimet për të kanë qenë të mrekullueshme pasi ka interpretuar përkrah merave të njohur si Timo Flloko dhe ka bashkëpunua me regjisor të suksesshëm si Gëzim Kame, Kiço Londo dhe Artan Minarolli. Duartrokitjet dhe spektatorët janë gjithmonë dhurata më e bukur dhe emocioni më i madh për të. Në një intervistë për “Albania Weekend”, aktorja rrëfen për emocionet në skenën teatrore, si dhe projektet artistike të mëtejshme. Më tej ajo tregon për projektet dhe rolet më të spikatura që ka pasur gjatë këtyre katër viteve dhe për projektin më të fundit teatror ku iu besua roli i Kloes te “Më e vërtetë se e vërteta”, me regji të Rozi Kostanit. Një komedi e shkruar nga autori francez Martial Courcier, lëvrues i mirënjohur i komedisë jo vetëm në Francë, por edhe në Belgjikë, Itali, Spanjë, etj, na vendos përpara situatave intriguese të një roboti dhe dy qenieve humane-meshkuj që tentojnë të prekin dashurinë. “Në këtë vepër është punuar butë, pa kuptuar, pa kërcitje, pa debate, pa kontraste të forta, kemi provuar, kemi eksperimentuar, jemi përpjekur ti gjejmë të vërtetat e indeksit të shkruar. Çdo gjë ka ardhur shumë natyrshëm, mbase ngaqë Rozi më ka njohur që në akademi dhe prandaj dhe ma besoi atë rol. Çdonjëri nga ka pak nga roli që i është besuar”- pohoi aktorja Luli Bitri.
Më tej, gjatë kësaj interviste ajo na tregon më shumë për jetën e saj artistike, cilat janë emocionet që i fal skena dhe na zbulon dhe projektet në vazhdim.
Kush është Luli Bitri për publikun shqiptar?
Është aktorja e shfaqjes “Pak më afër”, aktorja e shfaqjes “Kopraci”, aktore në shfaqjen e fundit “Më e vërtetë se e vërteta”, aktore në filmin “Gjallë” të Artan Minarollit, aktore në filmin “Gjoleka i biri Abazit” e shumë të tjera. Kam mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, dega Dramë në vitin 2004.
Si ka nisur rruga drejt aktrimit?
Rruga drejt aktrimit ka nisur krejt rastësisht dhe as e kisha menduar ndonjëherë se do të bëhesha aktore. Ka qenë diçka shumë larg ëndrrave të mija, gjithsesi në momentin që kam konkurruar në Akademinë e Arteve dhe fitova konkursin u ndjeva pjesë e këtij realiteti dhe më shijoj jashtë mase shumë dhe vazhdon të më shijojë edhe sot di dhe jam krenare dhe ndjehem e kënaqur vetëm për një gjë në këtë botë se zgjedhja më e mirë që kam bërë është ky profesion.
Cila ka qenë shtysa që ju drejtoi drejt kësaj rruge të bukur arti?
Ka qenë një mikja ime e ngushtë që është Syzheta Mali dhe i jam borxhli që ajo ka arritur të shohë tek unë. Domethënë ajo më ka sugjeruar; Luli ti je e ndjeshme edhe mënyra se si ti e sheh botën si i sheh gjërat mund të jesh mirë tek një artiste apo aktore. Eksperiencat e para i kisha në Akademinë e Arteve, them se kam punuar dhe kam qenë kaq shumë kurioze që ta kuptoj se çfarë është ky profesion dhe profesorët më kanë dhënë maksimumin, profesor Niko Kangjeri dhe regjisorja e shfaqjes së sotshme ka qenë asistente pedagoge Rozi Kostani ju jam shumë mirënjohëse se më kanë dhënë bazat e një aktrimi. Më tej pasuan eksperiencat me radhë duke më çuar mbase drejt profesionalizmit.
Si e kujtoni daljen tuaj të parë në skenë?
Shumë e emocionuar. Përveç këtyre provimeve që janë bërë në shkollë, shfaqja e parë ka qenë “Stinë e mërzitshme në Olimp” me regji të Gëzim Kames ku u zgjodha për të bërë një rol dytësor dhe ishte një monolog që do ta bëja me Timo Fllokon. Ka qenë një përgjegjësi e bukur edhe pse ndoshta nuk mund të ketë qenë maksimumi im gjithsesi ka qenë një eksperiencë e bukur si fillim. Është një bazë e mirë të interpretosh përkrah një aktori të talentuar dhe një regjisori të përgatitur që në fillimet e karrierës për të ecur përpara.
Së fundi morët duartrokitjet nga publiku me shfaqjen “Më e vërtetë se e vërteta”. Si ndjeheni?
Duartrokitjet e mbrëmshme i kam akoma të veçanta pasi unë kthehem në skenë pas katër vjetësh. Shfaqja e fundit e imja ishte “Pak më afër” me regji të Kiço Londës dhe ai ka qenë një ndër rolet që i kam më shumë përzemërt dhe vazhdoj ta shijoj akoma. Shfaqja e mbrëmshme “Më e vërtetë se e vërteta” me rolin e Kloes më ka shijuar jashtë mase shumë. U përpoqa të jap më të mirën si njeri nga vetja, u përpoqa të gjejë më të mirën e Lulit se si është Luli e dashuruar dhe kam përshtypjen se kjo femra ideale që kërkojnë meshkujt ekziston tek çdonjëra nga ne. Mjafton që situata të jenë të tilla, rrethanat të jenë të tilla dhe ne të kujdesemi që lidhja të ketë vetëm kujtime të bukura. Të gjitha femrat mund të jemi pak Kloe, mund të jemi ajo femra ideale.
Sa të vështirë e kishit përshtatjen me këtë rol, duke pasur parasysh se “Kleo” ishte femra ideale e një mashkulli?
Unë e kam marrë përpara se aktorët e tjerë këtë tekst sepse kam bërë përkthimin e shfaqjes edhe më ka shijuar jashtë mase shumë, dorë pas dore. Kam hasur dhe vështirësi ashtu siç has çdo aktor me çdo rol, por me këtë rol është punuar butë dhe duke punuar butë jam ndjerë shumë mirë me partnerët Neritan Liçajn dhe Lulzim Zeqon. Në këtë vepër është punuar butë, pa kuptuar, pa kërcitje, pa debate, pa kontraste të forta, kemi provuar, kemi eksperimentuar, jemi përpjekur ti gjejmë të vërtetat e indeksit të shkruar. Çdo gjë ka ardhur shumë natyrshëm, mbase ngaqë Rozi më ka njohur që në akademi dhe prandaj dhe ma besoi atë rol. Çdonjëri nga ka pak nga roli që i është besuar.
Sa profesionalizëm keni arritur në këtë profesion?
Mendoj se jam në fazë duke eksploruar veten, po përpiqem të kuptoj se çfarë jamë e aftë të bëj? Nuk besoj se këto vite dhe këto role që më janë besuar mund të quhen arritje, them se jam si ajo fëmija që ngrihet në këmbë , në ato faza jam nuk e kam filluar akoma vrapin.
Cilin rol do të veçonit si më mbresëlënësin?
Do veçoja rolin në filmin e Dhimitër Anagnostit “Nemeja” tek filmi “Gjoleka biri i Abazit” që është një rol që më ka shijuar dhe është një rol karakter. Veçoj rolin e “Ales” tek premiera “Pak më afër” me regji të Kiço Londës ka qenë një punë e bërë me kaq dashuri, me kaq pasion që më k shijuar. Por nuk mund të lë pa përmendur dhe rolin e Kloes që më ka besuar regjisorja Rozi Kostani, që i kam punuar me shumë dëshirë.
Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin me Artan Minarollin te filmi “Gjallë”, duke pasur parasysh që është një film që ka marrë pjesë dhe në festivalet ndërkombëtare?
Falënderoj Minarollin për vetë faktin se duke qenë se jetoj jashtë Shqipërisë mu dha mundësia të isha pjesë e këtij filmi. Kur u ktheva nga Italia, rastësisht bëra një kinoprovë dhe isha një ndër të parat që bëra kinoprovë për këtë film. Thirrja më erdhi shumë e bukur; Luli e ke fituar rolin dhe mund të vish. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, ishte një rol komplet ndryshe, ishte një sfidë e imja. Nuk e di sa kam arritur të bëj pasi një aktro nuk di kurrë se çfarë arrin por unë besoj tek shijimi; nëse unë e shijoj atë që bëj besoj se është maksimumi që bëj unë, gjithmonë shqetësohem të bëj maksimumin tim jo të bëj çudira.
Duke ditur që jeton mes Shqipërisë dhe Italisë, çfarë mund të na thoni rreth aktivitetit tuaj në Itali?
Unë jam një aktore e lirë dhe shumicën e kohës e kaloj duke shkuar nëpër kastin ku më çon agjencia ime. Në Itali jam marrë më shumë me publicitetin, më janë ofruar shumë mundësi, kam bërë role të vogla nëpër filma të ndryshëm. Gjatë gjithë kohës përpiqem të mbahem në stërvitje me stazhe, laboratorë, duke mbajtur aktrimin gjallë edhe pse ka qenë një periudhë që le të them ja kam dedikuar familjes time. Mendoj se ka një kohë për të gjitha, nuk dua që një ditë të më vras ndërgjegjja që nuk kam arritur të komunikoj me prindërit e mijë, nuk kam arritur të njoh familjen time. Duke qenë se ata erdhën bashkë me mua në Itali unë jam përpjekur që t’ju tregoj se jam përpjekur tu rri afër.
Çfarë është për ju familja?
Familja është gjithçka. Nuk di si mund ta përkufizoj ndryshe. Është vendi ku ti shkarkon gëzimet, mërzit dhe je e pranueshme çfarë do të bësh.
Si e shikojmë Luli Bitrin jashtë skenës?
Një ditë shumë të komplikuar, që herë-herë jam shumë kontradiktore, pasiononte me pak fjalë pak nga të gjitha, një tip shumë i rrëmujshëm. Herë jam e trishtuar, herë super e gëzuar, një njeri që kërkon të jetë e rrethuar nga një ambient i ngrohtë. Natyrë shumë delikate por një njeri që merr një forcë të jashtëzakonshme kur ndodhe me njerëzit e duhur dhe në situata e duhura.
Ka ndonjë pasion të dytë për ju përveç aktrimit?
Në Itali kam hapur një atelie dhe është një vend ku unë shkarkoj pasionin e dytë që është stilimi, veshja. Teatri në fakt më ka pushtuar të tërën, kështu që i kam harruar të gjithë të tjerat.
Si ju shikojmë mes teatrit dhe filmit duke ditur që ke role si në film dhe në teatër?
Teatrin nuk do ta zëvendësoj me asgjë në botë, është i bukur që nga momenti kur nis provat, që nga momenti kur lexon tekstin deri tek momenti i fundit që është boshllëku që ti ndjen pas premierës kur gjithçka mbaron dhe ajo mbetet një copëz shumë e bukur. Sigurisht dhe në film ndjen emocione por unë nuk i shijoj maksimalisht. Mua më pëlqen teatri, e adhuroj teatrin.
Çfarë është dashuria për ju?
Dashuria është motivi për të cilën rrotullohet bota. Përpiqem të dashuroj çdo moment sepse është e vetmja që më jep forcë për të ecur përpara, është e vetmja gjë që të bën të dashurosh gjënë më të shëmtuar dhe përpiqesh të shikosh tek e keqja anën pozitive edhe mund ta mbash buzëqeshjen gjatë.
Cilat janë projektet që do t’ju shfaqin gjatë muajve në vazhdim?
Do largohem për dy muaj në mënyrë që të rishoh familjen time, dhe do rikthehem për shfaqjen “Më e vërtetë se e vërteta”. Kam disa projekte dhe disa propozime por që akoma nuk janë të konfirmuara por kam përshtypjen se do të jetë një sezon i gjatë që unë do të jetoj në Shqipëri.
26 Qershor 2010