E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: “Reforma në Drejtësi, peng i krizës politike”



TIRANË - Reforma në Drejtësi po has vështirësi për shkak të mosmiratimit të ligjeve kryesore. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë një konference që u organizua dje nga USAID-i, është shprehur i shqetësuar në lidhje me ecurinë e reformës në Drejtësi. Sipas Spahiut, reforma po pengohet për shkak të mungesës së vullnetit politik të partive parlamentare, të cilave u ka bërë apel të japin konsensus. “Për momentin jemi të ndërgjegjshëm për të pranuar vështirësitë që po kalon vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por edhe reforma në Gjyqësor. Për mëse 2 vjet KLD-ja e ka të pamundur ngritjen e gjykatave administrative për shkak të pamundësisë së miratimit të projektligjit në Kuvendin e Shqipërisë. Shfrytëzoj nga rasti për të përmendur jo vetëm projektligjin për Gjykatën Administrative, por një sërë ligjesh të tjera organike të rëndësishme po pengojnë thellësisht reformën në Drejtësi. Shfrytëzoj nga rasti për të apeluar në çdo parti mundësinë e dhënies së konsensusit për të miratuar në Kuvend në mënyrë që të mund të realizohet reforma gjyqësore”, - theksoi Spahiu. Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha se reforma në sistemin e drejtësisë është prioritet i ministrisë që ai drejton dhe i qeverisë shqiptare. “Reforma në Drejtësi dhe forcimi i pushtetit gjyqësor është prioritet i veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë në materializimin e politikës së qeverisë shqiptare për mbrojtjen e vendosur të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, rikthimin e besimit të qytetarëve te Drejtësia, rritjen e transparencës dhe luftën pa kompromis kundër shfaqjeve korruptive”, - theksoi Nishani. Në këtë takim, përfaqësuesi i USAID-it, tha se perceptimi i qytetarëve shqiptarë për sistemin e drejtësisë është në rënie. Ai tha se duhet të ecet përpara me reformat dhe nëse nuk ndiqet kjo rrugë, Shqipëria do të jetë larg Bashkimit Europian.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›