Afatet e rishpërndarjes së bonove të privatizimit për të përndjekurit
Laureta Rryçi
Ministria e Financës përcakton afatet e rishpërndarjes së bonove të privatizimeve që janë investuar vite më parë nga ish-të përndjekurit. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm udhëzimin e plotë që mban firmën e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Ky i fundit ka rregulluar procedurën që do të ndiqet nëpër banka. Sipas udhëzimit, kthimi i bonove do të bëhet në vlerën që edhe është investuar. Po kështu, ministri ka përcaktuar procedurën që do të ndiqet në rastet kur ish- i përndjekuri që ka bërë investimin ka vdekur. Në të tilla raste bonot do të tërhiqen nga trashëgimtarët e të përndjekurit. Të gjithë ish-të përndjekurit që kanë interes, kanë afat deri në fund të muajit shtator për t’i tërhequr këto bono.
Udhëzimi
Udhëzimi “Për procedurat dhe afatet e rishpërndarjes së bonove të investuara në Fondet e Investimeve të krijuara në përputhje me Ligjin Nr. 7979, datë 26.07.1995 “Për fondet e investimeve”, është akti nënligjor i hartuar në zbatim të pikës 4 të nenit 137 të Ligjit Nr. 10198, datë 10.12.2009 ”Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”. Sipas kësaj dispozite, ministri i Financave, me hyrjen në fuqi të ligjit, është autorizuar të rregullojë me udhëzim procedurat dhe afatet e rishpërndarjes së bonove të privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me Ligjin Nr. 7979, datë 26.07.1995. Udhëzimi, në pikën 1 të tij, përcakton që rishpërndarja e bonove të privatizimit dhe e letrave të të përndjekurve, të investuara në fondet e investimeve, të krijuara në përputhje me Ligjin nr. 7979 datë 26.07.1995 “Për fondet e investimeve”, do të kryhet pranë bankave të nivelit të dytë që kanë shërbyer si banka depozitare të fondit përkatës. Afati i rishpërndarjes, sipas pikës 2, do të fillojë në datë 1 prill 2010 dhe do të mbyllet më 30 shtator 2010. Tarifat e shërbimit të bankave të nivelit të dytë për procesin e rishpërndarjes do të vendosen nga organet vendimmarrëse të këtyre institucioneve.
Tërheqja
Udhëzimi parashikon njëkohësisht që çdo individ i interesuar gëzon të drejtën e tërheqjes së bonove të investuara sipas pikës 1, në bankën përkatëse. Autoriteti përgjegjës për përcaktimin e dokumenteve identifikuese dhe dokumentacionit të nevojshëm është vetë banka. Kthimi i bonos/bonove do të bëhet në vlerën e investuar. Në përfundim të afatit të parashikuar në pikën 2 të këtij udhëzimi, banka depozitare paraqet raportim me shkrim pranë ministrit të Financave, në lidhje me sasinë e rishpërndarë të bonove, si dhe sasinë e mbetur pa shpërndarë. Procedurat e asgjësimit të bonove të mbetura do të rregullohet me një akt të veçantë, në përputhje me legjislacionin e fushës. Në rast se individi që ka investuar në fondin e investimit rezulton i vdekur, kthimi mbrapsht i bonos/bonove të depozituara do të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil që rregullojnë trashëgiminë.
box
Ku po përdoren bonot e privatizimit
Ish-të përndjekurit dhe të persekutuarit e diktaturës komuniste tani do të kenë edhe një mundësi më tepër kompensimi, e cila do të jetë me anë të letrave me vlerë. Kjo formë kompensimi do ta përfshijë këtë kategori në të gjitha proceset e privatizimeve që do të bëhen në vend, si dhe në ato raste kur ish-të përndjekurit mund të kenë objekte të palegalizuara. Qeveria, meqenëse u ka shpërndarë një sasi mjaft të madhe letrash me vlerë ish-të përndjekurve, kërkon që ata t’i rihedhin ato në qarkullim duke u bërë pjesë deri në privatizimet strategjike. Për këtë qëllim, qeveria ka hartuar një projektligj të posaçëm që e favorizon këtë kategori personash në përdorimin e letrave me vlerë. Ata persona që kanë në zotërim këto letra me vlerë mund t’i përdorin për procesin e legalizimit tre muaj pasi të ketë hyrë në fuqi ky ligj. Gjatë këtyre tre muajve ata duhet të paraqesin një kërkesë zyrtare në Agjencinë e Legalizimeve, ku të shpjegojnë se duan të shlyejnë 80 për qind të pjesës së detyrimit financiar me letra me vlerë. Edhe ata që e kanë shlyer tashmë të gjithë vlerën duhet të paraqesin të njëjtën kërkesë brenda të njëjtit afat.
26 Qershor 2010