Pajisja me pasaportë biometrike, procedurat që duhet të ndiqen
Artan CENA
TIRANË - Ardhja e emigrantëve për pushime në Shqipëri pritet të sjellë një fluks tjetër në aplikimin e pasaportave biometrike, që janë një nga hapat për liberalizimin e vizave. Për të marrë një pasaportë të re, që kanë hyrë në fuqi që një vit më parë, duhet të ndiqet një procedurë e rregullt, që fillon me blerjen e kuponit në zyrat e Postës Shqiptare dhe përfundon me marrjen e dokumentit të identifikimit në zyrën e bashkisë apo të komunës ku është bërë aplikimi. Një nga kushtet e vëna dhe më i rëndësishmi është që tërheqjen e pasaportës mund ta bëjë vetëm personi që ka bërë aplikimin për t’u pajisur. Sipas procedurave, askush tjetër nuk mund ta marrë dokumentin për shkak të aktivizimit të çipit ku ndodhen të dhënat personale të aplikantit. Aktivizimin e të dhënave mund ta bëjë vetëm personi të cilit i përket dokumenti biometrik.
Procedurat
Lidhur me mënyrën se si duhet të veprohet për aplikimin dhe pajisjen me pasaporta biometrike për shqiptarë, Ministria e Brendshme ka përgatitur një udhëzim. Dokumenti detajon veprimet që duhen kryer nga shtetasit shqiptarë dhe punonjësit e minibashkive, komunave dhe bashkive kur shtetasit paraqiten pranë tyre për aplikime. Sipas këtij udhëzimi, shtetasit aplikojnë për pasaportë biometrike në mjediset e përcaktuara nga koncesionari për këtë qëllim dhe në përputhje me rregullat e miratuara në kontratën koncesionare midis Ministrisë së Brendshme dhe grupimit SAGEM. Dokumentacioni shkresor ruhet nga koncesionari në arshivë për një periudhë 5-vjeçare pas prodhimit të pasaportës. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, referuar Udhëzimit Nr. 308, nuk ka fuqi vendimmarrëse në procesin e aplikimit, por kryen vetëm verifikimin e identitetit të aplikuesit, duke e konfirmuar në formularin e aplikimit. Një pasaportë biometrike kushton 6 mijë lekë të rinj, ndërkohë që kuponi për pajisje merret pranë sporteleve të Postës Shqiptare.
Aplikimi, për moshën nën 16 vjeç
Në një pikë të veçantë të këtij udhëzimi detajohet mënyra se si do të veprohet me shtetasit nën 16 vjeç. Sipas udhëzimit, ashtu si dhe më parë, shtetasit nën 16 vjeç do të aplikojnë për pasaportë biometrike në prezencë të të paktën njërit prej prindërve, të kujdestarit ligjor ose të përfaqësuesit me prokurë të posaçme. Të miturit nga 0 deri në 6 vjeç do të pajisen me pasaportë biometrike, por pa iu nënshtruar procedurës së marrjes së shenjave të gishtave. Ndërsa, për shtetasit nga 6 deri në 16 vjeç, gjatë aplikimit do t’u merren, përveç të tjerave, edhe shenjat e gishtave. Vlefshmëria e pasaportës për shtetasit nën moshën 16 vjeç është 5 vjet, ndryshe nga personat e rritur.
Procedura e pajisjes me pasaportë biometrike
Udhëzimi i Ministrisë së Brendshme përcakton se pajisja me pasaportë biometrike bëhet brenda 30 ditëve nga data e aplikimit. Pas prodhimit, në datën e caktuar, pasaportat biometrike do të tërhiqen pranë drejtorive apo komisariateve të policisë sipas procedurës së miratuar. Tërheqja e pasaportës kryhet nga aplikanti, përfaqësuesit e përcaktuar sipas ligjit (kujdestar ligjor apo me prokurë të posaçme), ose një pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija). Pikërisht në këtë moment, kur kanë marrë në posedim pasaportën biometrike, të gjithë shtetasit shqiptarë do të vihen në dijeni për pavlefshmërinë e pasaportës të mëparshme, kësaj aktuales, e cila është e vlefshme deri më 1 janar të vitit 2011. Ky veprim do t’i komunikohet menjëherë përfituesit të pasaportës së re, asaj biometrike, nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit pranë DPPSH-së.
Si veprohet në rastet kur pasaporta aktuale ka vizë të vlefshme
Në rastet kur shtetasit disponojnë një vizë të vlefshme në pasaportat aktuale dhe ndërkohë janë pajisur me pasaporta biometrike, atëherë ata paraqesin pranë organeve të kufirit pasaportën biometrike të shoqëruar me pasaportën ekzistuese në të cilën ndodhet viza e vlefshme. Pasaporta e vjetër evidentohet dhe shënohet duke ia dorëzuar shtetasit për përdorim deri në përfundim të vlefshmërisë së vizës.
Si do të procedohet nga TIMS në pikat kufitare?
Pas lëshimit të pasaportave biometrike, sistemi i Kontrollit të Kufirit (TIMS) do të kryejë këto procedura:
a) Transferimi i të dhënave do të kryhet manualisht, periodikisht deri në momentin kur të dyja sistemet do të mund të komunikojnë online.
b) Kompania koncesionare dërgon periodikisht në rrugë manuale/elektronike/online, informacion mbi pasaportat e lëshuara. Ky grup pasaportash do të krahasohet me pasaportat aktive në sistemin TIMS; të gjitha krahasimet pozitive çaktivizojnë pasaportat ekzistuese në sistemin TIMS.
c) Në çdo rast kur shtetasi kërkon të ripajiset me pasaportë, do të zbatohen të njëjtat procedura si për marrjen e saj për herë të parë, por duke lëshuar nga ana e aplikantit një deklaratë për arsyet e kërkesës për ripajisje.
Kur kërkohet ripajisje me pasaportë biometrike
Një shtetas kërkon të pajiset me pasaportë biometrike para mbarimit të afatit të pasaportës që disponon kur:
a) pasaporta e mëparshme është vjedhur ose dëmtuar;
b) pasaporta e mëparshme ka humbur;
c) ndryshohen gjeneralitetet.
Penalizimi në rast shkeljesh të procedurave
Në rast të konstatimit të shkeljeve të procedurave të përcaktuara në këtë udhëzim të Ministrisë së Brendshme, të shpërndarë në çdo njësi bashkiake në vend ndaj nëpunësve të ngarkuar me zbatimin e këtij akti do të merren masa disiplinore. Organet e ngarkuara për zbatimin e këtij udhëzimi janë zyrat e gjendjeve civile në bashki/komuna/njësi bashkiake, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Dokumentet e aplikimit për pasaportën
Në rast të aplikimit më vete për pasaportë biometrike shtetasi vepron si më poshtë:
a) Për shtetasit nën moshën 16 vjeç, aplikimi për pasaportë biometrike bëhet vetëm në prezencë të paktën të njërit prej prindërve, të kujdestarit ligjor ose të përfaqësuesit me prokurë të posaçme. Në këtë rast duhet të paraqiten dokumentet e mëposhtme:
- kuponi për aplikim (kupon i pagesës);
- një dokument i vlefshëm me fotografi që vërteton identitetin e tij.
Një dokument i tillë mund të jetë:
- pasaportë;
- certifikatë personale me fotografi.
b) Për shtetasit nën moshën 16 vjeç, aplikimi për pasaportë biometrike bëhet duke paraqitur dokumentet e mëposhtme:
- kuponi për aplikim (kupon i pagesës);
- vetëm letërnjoftimi elektronik.
Tërheqja e pasaportës biometrike bëhet pranë zyrave të shpërndarjes në Drejtorinë e Policisë përkatëse. Tërheqja e pasaportës kryhet nga aplikanti, nga kujdestari ligjor për shtetasit nën 16 vjeç ose persona të autorizuar me prokurë të posaçme si dhe nga pjesëtarë të afërt të familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija). Aplikimi për letërnjoftim elektronik mund të bëhet në çdo qendër aplikimi pranë njësive të qeverisjes vendore. Tërheqja e letërnjoftimit elektronik bëhet pranë zyrës në të cilën është bërë aplikimi vetëm nga vetë aplikanti.
Aplikim për letërnjoftim elektronik
Çdo shtetas, i cili ka mbushur moshën 16 vjeç, paraqitet pranë çdo qendre aplikimi për dokumente identiteti duke paraqitur dokumentet e mëposhtme:
- kuponi për aplikim (kupon i pagesës, i cili blihet pranë zyrave postare);
- një dokument i vlefshëm me fotografi që vërteton identitetin e tij.
Një dokument i tillë mund të jetë:
- pasaportë;
- certifikatë personale me fotografi;
- patentë;
- letërnjoftimi i vjetër;
- dokumente të tjera identifikimi me fotografi.
Aplikimi për letërnjoftim elektronik mund të bëhet në çdo qendër aplikimi pranë njësive të qeverisjes vendore. Tërheqja e letërnjoftimit elektronik bëhet pranë zyrës në të cilën është bërë aplikimi vetëm nga vetë aplikanti.
26 Qershor 2010