E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakël “shterpë” në Portugali-Brazil



Portugalia arriti në raundin e dytë të Kupës së Botës, pas barazimit 0-0 me kryesuesin e grupit G, Brazilin, por dy fuqitë e mëdha futbollistike dështuan të shënonin të paktën një gol për të kënaqur tifozët në “Moses Mabhida Stadium”. Ndeshja ishte nga më të shumëpriturat në fazën e grupeve, pasi ishte një përballje midis dy ekipeve me një numër të madh talentesh dhe stil sulmues.
Sulmuesi brazilian Nilmar vuri në provë portierin e Portugalisë, Eduardo, në minutën e 30-të, ndërkohë goditja me kokë e Luis Fabianos në të 39’ ishte jashtë kuadratit. Portugalia pati shansin më të mirë për të shënuar në minutën e 60-të, kur portieri brazilian Julio Cesar shpëtoi portën pas një gjuajtjeje të Raul Meireles pas një vrapimi të rrezikshëm të Kristiano Ronaldo. Brazili e kishte siguruar avancimin për në 16 më të mirët e Botërorit, dhe fitoi grupin G me shtatë pikë, dy më shumë se Portugalia. Bregu i Fildishtë, që mundi Korenë e Veriut 3-0, përfundoi i treti me katër pikë. Koreanët e mbyllën aventurën me zero pikë dhe 12 gola të pësuar në tri ndeshje. “Portugalia avancoi me meritë dhe ne tani jemi duke menduar për ndeshjet tona të ardhshme”, - tha trajneri i Portugalisë, Karlos Keiroz. “Ishte një ndeshje e vështirë si për Brazilin ashtu dhe për ne. Barazimi ishte një rezultat i drejtë”. Brazili është ekipi më i mirë në botë në renditjen e FIFA-s, ndërkohë që Portugalia është numri 3. Të dyja skuadrat kishin arritur fitore dominuese në takimet e mëparshme, Brazili mundi Bregun e Fildishtë 3-1 dhe Portugalia shkatërroi Korenë e Veriut 7-0. Rezultati i bardhë e çoi në 19 numrin e ndeshjeve pa humbje të Portugalisë, qysh kur kishte humbur në një miqësore në vitin 2008 me Brazilin 6-2 bë Brazili. Barazimi i dha fund nga ana tjetër një serie prej shtatë fitoresh të Brazilit. “Ishte një grup i vështirë dhe është mirë të përfundosh i pari. Tani fillon pjesa më e fortë dhe ne nuk duhet të humbasim kurrsesi”, - tha portieri i Brazilit, Julio Cesar.
“Ne kemi shumë besim për turin tjetër”, - tha kapiteni i Portugalisë, Kristiano Ronaldo.

“Elefantët” largim me lot gëzimi

Bregu i Fildishtë i dha lamtumirën Botërorit më një fitore argëtuese kundër një Koreje të Veriut inekzistente edhe në takimin e tretë, e që do të mbetet me kujtimin e një goli të shënuar kundër pesë herë kampionëve të botës, Brazilit, në takimin e parë. Yaya Toure (12’) dhe Romaric (20’) shënuan në pjesën e parë, ndërkohë që Salomon Kalou kompletoi fitoren honorifike të “elefantëve” të Afrikës. Me katër pikë në tri ndeshje, Bregu i Fildishtë i udhëhequr nga suedezi Sven-Goran Erikson dhe kapiteni Didier Drogba (lojtari më i mirë i ndeshjes kundër koreanëve) u rendit i treti në grupin G, pas Brazilit (i pari, shtatë pikë) dhe Portugalisë (e dyta, pesë pikë).
Koreja e Veriut shkoi në shtëpi duke pësuar tri humbje në po aq takime dhe në kontrast të plotë me Korenë e Jugut, që nga ana e saj do të përballet në raundin me eliminim direkt kundër Uruguait. Koreja e Veriut pësoi edhe humbjen më të thellë në këtë botëror: 7-0 nga Portugalia e superyllit, Kristiano Ronaldo.

Spanja shmang supersfidën me Brazilin

Spanja fitoi 2-1 me Kilin duke kapur vendin e parë në grupin H dhe duke shmangur përplasjen me Brazilin e Kakasë, por duke gjetur Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Heroi i takimit ishte David Vija me një gol të rrallë nga 35 metra në minutën e 25-të. Andres Iniesta dyfishoi rezultatin në minutën e 37-të, ndërkohë që një minutë më pas, Kili mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Estradës (38’). Zëvendësuesi Rodrigo Milar shënoi golin e vetëm të Kilit në minutën e 48-të, pas devijimit të topit nga spanjolli Zherard Pike. Në një të tetat, Spanja do të luajë kundër Portugalisë, një duel fqinjësh, ndërsa Kili do të përballet me Brazilin në një sfidë amerikanojugore. Në takimin tjetër të këtij grupi, Zvicra nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Hondurasin. Të dy këto ekipe i dhaën lamtumirën Botërorit.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›