E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët, midis kushtetutshmërisë dhe antikushtetutshmërisë



Dr. Kujtim Çako
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë përshëndet Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e 2 neneve të Ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
Kanë kaluar 6 muaj e gjysmë nga zhvillimi i seancës plenare, datë 12 tetor 2009, dhe së fundi Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit, Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Shoqatës dhe Sindikatës së Policisë së Shtetit, për papajtueshmërinë me Kushtetutën të Ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura,…”. Nga 19 dispozita ligjore të kërkuara për t’u shfuqizuar në papajtueshmëri me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese vendosi të shpallë të tilla vetëm 2 prej tyre.

Analizë për vendimin

Në Vendimin e saj Nr. 33, datë 24.06.2010, shkruhet: “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, duke u bazuar në nenin 131, shkronjat “f” dhe “g”, neni 134, pika 1, shkronja “ë” të Kushtetutës, si dhe në nenet 72 e 77 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: “Shfuqizimin si antikushtetues të pikës 2, të nenin 14, si dhe të nenit 27 të Ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
1. Vendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese është sa kushtetues dhe për t’u falënderuar në shfuqizimin e dy neneve, aq dhe antikushtetues në lënien në fuqi të neneve të tjera që përkeqësojnë nivelin jetik ligjor të ushtarakëve në pension. Skema e llogaritjes, heqja e tavanit e kufizimeve të së drejtës së pensionit nga përfituesi është një arritje e Drejtësisë shqiptare dhe sukses për ushtarakët.
Neni 14 i ligjit, pika 2 e Ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009” që shfuqizohet, thekson: “Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1 të këtij neni, në çastin që lind e drejta për përfitim:
a) për personat, që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993 ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar;
b) për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993 ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës”.
Për shkak të kësaj, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nga data 27.06.2009, e çdo ushtaraku do të llogaritet me formulën: 50% e pagës mesatare referuese mujore për 12 vjet vjetërsi shërbimi për femrën dhe 15 vjet për mashkullin, dhe 2 për qind të pagës mesatare referuese për çdo vit tjetër shërbimi mbi 12 e 15 vjet shërbim. Ky shfuqizim do të thotë që të hidhet poshtë kufizimi i masës së pensionit “në 2 pensione bazë”, të përcaktuar me VKM, për ushtarakët, por edhe për përfituesit e tjerë, si ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje.
Gjykata Kushtetuese meriton të falënderohet për këto dy aspekte në shfuqizime, që ruajnë parimin e së drejtës së fituar dhe sigurinë juridike të ushtarakëve dhe kategorive të tjera. Ky veprim duhet konsideruar si një arritje e Drejtësisë shqiptare dhe njëkohësisht e shoqërisë civile, e shoqatave ushtarake, si një fitore morale dhe financiare e ushtarakëve dhe e gjithë kategorive të tjera përfituese.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, i parë në kuadrin e kundërshtimit edhe të dispozitave të tjera, flet se duheshin shfuqizuar ato si antikushtetuese sepse shpien në përkeqësim të nivelit jetik dhe në cenimin e lirive themelore të njeriut për ato të ushtarakëve të arritur me dispozitat ligjore të mëparshme.

Neni 124 i Kushtetutës, pika 1, thotë: “Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj” dhe në pikën 2: “Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës”.
“Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik”.

Humbjet pas vendimit
Ushtarakëve me status të veçantë u janë njohur e garantuar edhe një sërë të drejtash të tjera që burojnë nga veçoria e shërbimit ushtarak dhe veprimtarisë së tyre, nga rëndësia e misionit të këtij shërbimi, nga privacionet e lirive të njeriut për shkak të profesionit, të vështirësive dhe rreziqeve për jetën edhe nga sëmundje të shumta profesionale. Shoqëria dhe shteti, këto veçori të këtij profesioni të veçantë i ka sanksionuar në ligj. Në nenin 1 të statutit, ushtarakut i përcaktohet pozita juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Me ligjin organik “Statusin e ushtarakut”, krahas lirive, të drejtave dhe përgjegjësive si qytetar, ushtarakut i njohin e garantojnë pozitë të veçantë juridike, ekonomike-financiare e shoqërore, por edhe detyrime e kufizime si dhe garancitë ligjore në respektimin e zbatimin e tyre. Të gjitha këto marrin rolin, peshën dhe vlerën e akteve kushtetuese që burojnë prej pozitës Kushtetuese të Forcave të Armatosura që sanksionon neni 12 dhe 167 i Kushtetutës. Cenimi apo mosrespektimin sadopak i të drejtave të miratuara me ligjin organik për statusin e ushtarakut, por edhe me ligj të sigurimit shoqëror suplementar është tjetërsim dhe dhunim i tyre.
Po radhisim disa prova të qarta si drita e diellit, që nuk kanë të bëjnë me përllogaritje apo argumente juridiko-sociale dhe ekonomiko-financiare që Gjykata Kushtetuese, me ligjin në fuqi, duke mos i shfuqizuar disa dispozita e nene të tjera, sjell një përkeqësim të nivelit jetik të ushtarakut në pension.

* Neni 7 i Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar, përcakton: ”...periudha që mbetet është mbi 6 muaj, llogaritet vit i plotë...”, pika 3 e nenit 3 e ligjit të ri, duke u shprehur: “...viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë”; mohon këtë të drejtë edhe për një ditë më pak shërbim. Pra, mohohet njohja e vjetërsisë së shërbimit edhe për 364 ditë pune, shërbim ushtarak.
* Neni 8, pika 1 përcakton si pagë referuese pagën bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit, së bashku me shtesat që përfiton ushtaraku i së njëjtës gradë, në çastin e lindjes së të drejtës së përfitimit. Paragrafi 2, pika 2 e nenit 4 nuk njeh si pagë referuese për efekt përfitimi këtë. Ai përcakton se; “paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Kjo ul masën e pagës referuese për llogaritjen e përfitimeve dhe me rillogaritjen e pensionit pakëson masën e tij.
* Statusi i ushtarakut, Ligji Nr. 9210, datë 23.03.2004, nëpërmjet përcaktimeve të nenit 35 ”Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi”, përcakton si kusht përfitimi vetëm vjetërsinë e shërbimit: 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt. Neni 46, ”Ristrukturimi”, në pikën 2 për ushtarakun që nuk plotëson kriteret për pension të parakohshëm, njeh shpërblimin në masën e pagës së plotë mujore për çdo vit të plotë shërbimi aktiv. Me këto është përjashtuar plotësisht aplikimi i pagës kalimtare për të dy këto kategori ushtarakësh. Ligji i ri, në nenin 12, “Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare”, shpërfill këtë dhe rikthen pagën kalimtare.

* Rikthimi i pagës kalimtare ushtarakëve që dalin në rezervë apo lirim dhe që plotësojnë kushtin për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, u mohon të drejtën e përfitimit të këtij pensioni me daljen në rezervë a lirim, që u njeh neni 35 i statusit të ushtarakut. Ushtarakëve që dalin në rezervë a lirim dhe që nuk plotësojnë kushtin për pension të parakohshëm u kufizon përfitimin në rast punësimi dhe u mohon shpërblimin e menjëhershëm në aq paga sa vjetërsi shërbimi kanë në Forcat e Armatosura (neni 12 pika 5). Të dy kategorive për 2 vjet u kufizon masën e përfitimit deri në 50% të pagës mesatare referuese (pika 2 dhe 3, neni 12).

* Pika 3 e këtij neni mohon shpërblimin në dy paga dhe fillimin e trajtimit me pagë kalimtare menjëherë me daljen në rezervë a lirim që njihte neni 10 i Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar dhe neni 12 i Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar. Këtë e bënë pika 2, e cila thotë: “Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim”.

Vijon në numrin pasardhës

Në numrin e ardhshëm do të lexoni

Të drejtat e ushtarakëve, ankesë në Gjykatën e Strasburgut

Dr. Kujtim Çako analizon vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Të drejtat që i mohohen kësaj kategorie pas vendimit
Shoqatat e ushtarakëve shqyrtojnë mundësinë për ankim në Strasburg

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

VENDIMI
Policia: Gjykata Kushtetuese nuk i vlerësoi pretendimet tona

TIRANË - Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit është shprehur e pakënaqur me vendimin e dhënë dy ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese duke deklaruar se nuk janë marrë parasysh të gjitha pretendimet e paraqitura. Drejtuesi i kësaj sindikate, Sadetin Fishta, deklaroi dje se Kushtetuesja “ka vendosur shfuqizimin e një neni shumë të rëndësishëm që dëmton përfitimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, në një masë mjaft të konsiderueshme”. Sipas tij, pika 2 e nenit 14 vendoste kufizime në masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për të dy kategoritë, si ato që paguanin kontribut suplementar, ashtu dhe ato që nuk paguanin. Por, kufizimi tavan është hequr dhe njëkohësisht hiqet barazia në shpërblim e punonjësve të policisë për kontributet që kanë derdhur gjatë karrierës së tyre. “Kryesore për ne ka qenë që punonjësit e policisë të dalin nga ky vendim me sa më pak humbje të të drejtave të tyre, në aspektin e përfitimeve suplementare, gjë për të cilën rrëzimi i këtij neni na favorizon në mënyrë të kënaqshme, por, përsa u përket disa neneve të tjera të veçanta, punonjësve të policisë u cenohen disa përfitime”, - tha Fishta në deklaratën e shpërndarë në media ditën e premte. “Ne do vazhdojmë të mbrojmë punonjësit e policisë për çdo cenim që u bëhet të drejtave të tyre kushtetuese ligjore dhe do të kërkojmë zgjidhjen sa më të shpejtë të tyre në të gjithë nivelet institucionale si brenda, ashtu edhe jashtë vendit”, - pohoi kreu i Sindikatës së Policisë.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›