E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulishtja në Tiranë, Olldashi: Trualli shtetëror, ja dokumentet

 

Kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka reaguar sërish për pronësinë e truallit në kryqëzimin e rrugës së Durrësit dhe Kavajës. Sipas tij, ky është një truall shtetëror dhe ministria ka të gjithë dokumentacionin e duhur që e vërteton një gjë të tillë. Gjatë deklaratës së djeshme, ministri publikoi një shkresë, e cila ishte e firmosur nga administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, më datë 1 prill 2009, drejtuar nga Patriot Çobaj, drejtor i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Tiranë. “Në këtë shkresë thuhet se nga verifikimet që u kryen me Hartat Treguese të Pasurisë dhe Librin e Ngastrave, rezulton se brenda konturit të pronës së këtij subjekti, bëhet fjalë për familjen Kika, figuron pronë shtetërore publike trotuar e rrugë. Në një shkresë zyrtare, Zyra e Avokatisë së Shtetit i ka bërë të ditur Bashkisë së Tiranës se brenda kufijve të pronës së familjes Kika figuron të ketë dhe prona shtetërore, në të cilat përfshihet dhe ky shesh. Nisur nga kjo, Bashkia Tiranë, me firmë të kryebashkiakut Rama, i ka kërkuar zyrës rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që në lidhje me pronën e familjes Kika të mos procedohet me kthim fizik, pasi ky truall nuk është i lirë, pasi është truall shtetëror. “Të gjitha këto dokumente që ne vëmë në dispozicion, tregojnë vetëm një gjë, që zoti Rama dhe e gjithë Bashkia e Tiranës janë qartësisht në dijeni të faktit që ajo është një pronë publike, e cila është shkelur në mënyrë të parregullt”, është shprehur dje ministri Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›