Përmbyten në Durrës 300 shtëpi dhe dyqane,tragjedi me dasmorët, dy vetë i rrëmben lumi
DURRES/ OERD ULQINI
Durrësi gdhihet i përmbytur nga rrebeshi i pandërprerë i shiut. Qindra biznese dhe shtëpi banimi të ndodhura jo vetëm në periferi, por edhe në qendër të qytetit janë vënë brenda pak orësh nën pushtetin e ujërave. Dëmet janë të pallogaritshme, pasi dhjetëra automjete, qindra televizorë, frigoriferë, instalime elektrike etj., kanë dalë tërësisht jashtë përdorimit. Veç kësaj në shumë njësi tregtare si floktore, minimarkete, dyqane etj., të ndodhura në lagjet 4, 18, 15, 13 dhe 14 të Durrësit, uji ka depërtuar brenda duke u ngjitur 1.5 metra lart nga dyshemeja. Në shumë dyqane ushqimore malli i depozituar i llogaritur në tonelata të tëra është prishur. Për fat të keq shirat e rrëmbyeshëm kanë përkuar me faktin se hidrovorët e qarkut, ai i Porto-Romanos dhe i Hamallajt kanë qenë jashtë funksioni për një defekt në hidrocentralin e Fierzës. Stacionet e pompave që zbrazin ujin e qytetit në det nuk kanë funksionuar në momentet më kritike, nga ora 22:00 e deri në 04:00 të mëngjesit, kur mbi qytet zbrazeshin nga qielli miliona metra kub ujë. Është e pamundur të llogaritet saktësisht vlera e dëmit, por me siguri fatura e tij do të jetë miliona dollarë.
Përballë kësaj situate, prefekti i sapoemëruar i Qarkut, Genci Alizoti, mblodhi në kohë rekord shtabin e emergjencës. “Nuk është bërë pastrimi i plotë i kanalit. Për shkak dhe të ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar mbi kolektor, kjo ka bërë që uji të dalë nga shtrati”, tha prefekti i Durrësit, Genci Alizoti. Në përballjen e situatës u rreshtua shumë shpejt edhe bashkia e qytetit bregdetar. Përfaqësuesit më të lartë të saj ndërtuan së bashku me vendorët e Qarkut dhe të Prefekturës strategjinë për përballimin e situatës.
Qyteti i Durrësi është zgjuar i tronditur nga sasia befasuese e reshjeve. Këto kapriçio të motit nënvizojnë rëndësinë që duhet të kenë investimet në infrastrukturën kulluese dhe kanalizuese, pasi fakti që Durrësi në disa pjesë të tij gjendet nën nivelin e detit e bën situatën alarmante. Shirat e furishëm kanë rrezikuar jetë njerëzish. Në Spitallë kanali kullues ka dalë nga shtrati, duke u derdhur në pak sekonda mbi familjen Buziu, që në atë moment gjendej në gjumë. Kryefamiljari Ardian Buziu rrëfen momentet e tmerrit, kur nxori nga dritarja dy fëmijët e vegjël, pasi dhoma ku ata qëndronin po kthehej në një grackë mbytëse nga uji që depërtonte kudo. Në shtëpinë e tij në Spitallë forca e ujit ka rrafshuar çdo orendi. Por si familja Buziu, në Spitallë, Porto-Romano, ish-Kënetë dhe Shkozet numërohen afro 100 raste të tjera të ngjashme, ndërsa rreth 300 objekte në të gjithë qytetin.
Rrezik të madh ka paraqitur situata e rënduar e reshjeve edhe në Kodër-Vilë. Në atë pjesë argjilore të qytetit janë lokalizuar shpeshherë shkarje dheu, të cilat bien nga lartësitë drejtpërsëdrejti mbi shëtitoren Bërryl-Currila. Ndërkohë në portin detar situata e ngarkim–shkarkimit është pezulluar përkohësisht për shkak të forcave madhore të natyrës. Kjo masë, e cila është shoqëruar me mbylljen e hambarëve të anijeve për të shpëtuar pa lagur ngarkesën, ka zgjatur deri në mesditë. Ndonëse deti nuk ka qenë më i fortë se tre-katër ballë, anijet e vogla të peshkimit dhe ato të tonazhit të mesëm kanë preferuar të qëndrojnë në kalatë, duke e shtyrë lundrimin për një tjetër moment. Ndërkohë që mësohet se linja e trageteve me Italinë ka funksionuar, por janë shënuar vonesa disa orëshe për shkak të motit.
Mat, shembet këmba e urës, 20 mijë vetë izolohen
BURREL - Të paktën 20 mijë banorë të komunave Rukaj, Derjan, Macukull, Lis e Selishtë janë bllokuar që dje paradite për shkak të shembjes së urës së Lufit, në fshatin Zenisht të rrethit Mat. Reshjet e shumta të shiut kanë krijuar rrëshqitje dhe kanë dëmtuar njërën këmbë të urës, në veri të saj. Që në orët e para të mëngjesit, efektivë të policisë rrugore Mat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe fillimisht nuk kanë lejuar asnjë mjet transporti të lëvizë mbi urë me pasagjerë. Ndërkohë për mjete të tonazhit të lartë as që bëhej fjalë. Policia rrugore dhe ndërmarrja e rrugëve rurale porositën të gjithë poseduesit e mjeteve që ndodheshin në Burrel, por u përkisnin banorëve të komunave që janë izoluar, të lëviznin për të dalë në anën tjetër të urës, pasi rreth orës 11:00 policia dhe specialistët e rrugëve vendosën bllokimin total të urës për shkak të rreziqeve që ajo paraqet. Drejtori i ndërmarrjes së rrugëve rurale Mat, Petrit Demiri, tha se gjendja është shqetësuese dhe se ai ka informuar Këshillin e Qarkut Dibër, policinë dhe Ministrinë e Transporteve në lidhje me situatën e krijuar. “Kam kërkuar ndihmën e strukturave të shtetit për nxjerrjen nga izolimi të pesë komunave, pasi mbi këtë urë të dëmtuar dhe amortizuar rëndë nuk mund të lëvizet. Me ndihmën e policisë kemi bllokuar hyrje-daljen e urës deri në riparimin e këmbës së saj. As policia dhe as ne nuk mund të lejojmë lëvizjen e mjeteve mbi këtë vepër tashmë të dëmtuar keq. Edhe herë të tjera kjo urë është dëmtuar, por herën e fundit dëmtimi është i rëndë”, tha ai. h.p
Tragjedi me dasmorët, i rrëmben lumi
GRAMSH/ ALDO KOZARIA
Fuoristrada me katër dasmorë nga Lushnja u rrëmbye dje nga rrjedha e njërës prej degëve të lumit të Devollit. Për pasojë, dy prej dasmorëve humbën jetën, ndërsa tragjedisë arritën t’i shpëtonin dy të tjerë. Sipas policisë, Eduart Kadiu 32 vjeç, shofer i mjetit, Artan Hysa 33 vjeç, Ilir Mema 35 vjeç dhe 18-vjeçarja Elsa Rika po kalonin në lumin e fshatit Sojnik në rrethin e Gramshit, kur papritur mjeti është gjendur jashtë kontrollit të tyre. Drejtuesi i mjetit me tragë LU 1379 C, kur ka parë se nuk mund të manovronte më dhe se jeta e tyre ndodhej në rrezik, sinjalizoi menjëherë sallën operative të Gramshit. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, kur katër të rinjtë nga Lushnja ishin nisur në drejtim të një prej fshatrave më të thellë të qarkut të Elbasanit, për të marrë pjesë në një dasmë. Por teksa po tentonin të kalonin nga njëra anë e lumit në tjetrën, mjeti është rrëmbyer nga ujërat që vërshonin me furi. Kur janë ndodhur në mes të ujërave, drejtuesi i mjetit është hedhur më pas nga makina. Pasagjeri që ndodhej në vendin e parë, sipas deklaratave të tyre të mëvonshme, ka thyer xhamat për të përfunduar në lumë. Të dy personat e mbijetuar kanë mundur me shumë vështirësi të dalin prej ujërave, por përpjekja e tyre për të shpëtuar dy pasagjerët që ndodheshin në sediljen e pasme ishte e kotë. Fuoristrada notonte në ujë, duke e shpurë mjetin rreth 200 metra më poshtë vendit ku ndodhi ngjarja. Menjëherë pas alarmit SOS të të rrezikuarve nga mbytja në lumë drejt vendit të ngjarjes u nisën efektivë të shumtë të policisë dhe drejtues të saj, jo vetëm nga Gramshi, por edhe nga Elbasani. Pasi përshkruan rreth dy orë rrugë me makinë, ata mbërritën në vendin ku dyshohej se ishte përmbytur mjeti tip fouristradë. Jashtë fuoristradës ata gjetën shoferin, Eduart Kadiu dhe pasagjerin e tij, Artan Hysa. Ndërsa 35-vjeçari Ilir Mema dhe mbesa e tij 18 vjeçe, Elsa Rika, rezultonin të zhdukur. Në vendngjarje nisën operacionin e kërkimit rreth 25 forca policie, por edhe banorë të zonës. Pas disa orësh ata mundën të lokalizonin mjetin, ku fillimisht u dyshua se mund të ndodheshin edhe viktimat. Por operacioni ishte mjaft i vështirë, pasi ujërat ishin tejfryrë dhe ndërhyrja e bluve në rrjedhën e saj mund të rrezikonte edhe jetën e tyre. Gjatë operacionit, u evidentuan pak metra më tej të dy trupat e viktimave, të cilët gjer në orët e vona të darkës nuk ishin nxjerrë nga ujërat. Policia njoftoi menjëherë polumbarët që t’i bashkoheshin operacionit, për të nxjerrë trupat e Ilir Memës dhe mbesës së tij. Sipas burimeve, dyshohet se ata kishin ndërruar jetë që në mjet, të asfiksuar edhe nga uji, dhe më pas rrjedha mund t’i kishte nxjerrë. Policia qëndroi për disa orë në vendngjarje, duke ndjekur viktimat që të mos u humbisnin nga sytë, derisa të vinin polumbarët për nxjerrjen e tyre. Makina u gjet e ngecur tek disa shkurre, ndërsa viktimat pak metra më tej, shumë afër njëri-tjetrit, të ngecur gjithashtu nëpër gurë e shkurre. Sipas banorëve të zonës, shkak i kësaj tragjedie është bërë mungesa e një ure lidhëse në zonën që të çon në fshatin Sojnik. Drejtuesi i mjetit deklaroi në polici se në momentin që po kalonte lumin prurjet ishin minimale, por më pas rrjedha ishte shtuar fare papritur, duke e bërë të pamundur kalimin në anën tjetër të saj.
VIKTIMAT
Ilir Mema,
35 vjeç, banor i fshatit Dushk në Lushnjë
Elsa Rika, 18 vjeçe, mbesa e Memës
Të mbijetuarit
Eduart Kadiu, 32 vjeç, drejtuesi i mjetit
Artan Hysa,
33 vjeç, pasagjeri