E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: Brenda vitit nis aplikimi on-line i lejeve dhe licencave

19-05-2012 / Gazeta 55

Nevojë akute ndarja territoriale

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha i pranishëm në prezantimin e projektit të USAID e vuri theksin tek rëndësia e decentralizimin për të ofruar një shërbim më të mirë qytetarëve, ndërsa bëri apel për bashkëpunim për planifikimin e ndarjes territoriale, të mos jetë peng i axhendave parlamentare.
“Besoj edhe në emër të shumë e shumë kryetarëve të njësive vendore që nuk ndodhen këtu, nevojën akute për të rishikuar ndarjen administrative të territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili për nga kilometrat katrorë që ka dhe njësitë në të cilat ndodhet, të lë përshtypjen e një shteti të madh të kontinentit Europian, por nuk është kështu. E gjithë kjo, vjen në kurriz të efiçencës, në kurriz të planifikimit më të mirë, dhe në fund të fundit, në kurriz të një shërbimi më të reduktuar ndaj qytetarëve, i cili fare mirë mund të përmirësohet nëpërmjet një reforme administrative, ku shumë flitet por asgjë nuk është bërë. Besoj, shpirti bipartizan i kryetarëve të njësive vendore mund të shërbejë këtu, si një “taban” për të nisur një diskutim në dobi të qytetarëve dhe jo axhendave politike në Parlamentin e Shqipërisë”, u shpreh Basha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur, se në kuadër të transparencës dhe përmirësimit të shërbimit ndaj biznesit dhe qytetarëve, brenda vitit do të nisë aplikimi on-line i lejeve dhe licencave.
“Mund t’ju kujtoj këtu, se kemi reduktuar 60 tarifa dhe taksa vendore, kemi hapur sportelin unik për lejet dhe licencat, por as këtë nuk e konsiderojmë si hap të mjaftueshëm. Brenda këtij viti, të gjithë lejet dhe licencat, duke përfshirë edhe 90 për qind të komponentëve të lejeve të ndërtimit, do të mund të realizohen on-line. Plani i ri Urbanistik, projekti i të cilit do të prezantohet sot rreth mesditës dhe që më pas do i nënshtrohet një diskutimi dhe konsultimi me qytetarët dhe grupet e interesit, derisa të shkojë në fazën e miratimit ligjor, është një garanci transparence në vendimmarrje, garanci për t’i prerë rrugën çdo praktike abuzive dhe korruptive, në procedurat e ndërtimit dhe zhvillimit të pronës private, apo ruajtjes dhe zgjerimit të hapësirave publike në Tiranë”, tha Basha. 
Kryetari i Bashkisë ka sjellë në vëmendje edhe vendimin për kalimin e Ndërmarrjes së Ujësjellës - Kanalizimeve të Tiranës, në varësi të Bashkisë, si një përpjekje për t’u ofruar shërbimin e duhur qytetarëve të Tiranës, duke garantuar dhe cilësinë e shërbimit.
“Arsyet që vendosën të përfundonim procesin për marrjen në përgjegjësi të Ndërmarrjes së Ujësjellës - Kanalizimeve, nëpërmjet kalimit të saj në varësi të Bashkisë, ishte pikërisht për t’i thënë fund kohës kur lanim duart, në kuptimin figurativ të fjalës dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për ujin e pijshëm në qytetin tonë dhe për shërbimet e tjera të kanalizimit e pastrimit që kjo ndërmarrje ofron”, u shpreh kreu i Bashkisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›