E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Decentralizimi, i papërfunduar - njësitë vendore të mbledhin taksat

19-05-2012 / Gazeta 55

Projekti i USAID, 9.3 milionë dollarë për Qeverisjen Vendore

Në prezantimin e projektit të USAID për qeverisjen vendore ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu ka bërë thirrje për bashkëpunim mes qeverisë dhe pushtetit vendor, përtej përkatësive politike. Teksa e vuri theksin te transparenca e transferimit të fondeve dhe përmirësimi i menaxhimit publik, ai shprehu mbështetjen që SHBA i jep këtij partneriteti dhe besimin e tejkalimit të kësaj sfide.
“Kërkohet dialog mes përfaqësuesve të qeverisë qendrore dhe vendore Transferimi i fondeve nga qendra në vendorët të jetë i drejtë dhe transparent. Shërbimet publike të përmirësojnë menaxhimin. Kam besim se të gjithë ju do kaloni këto sfida. Qeveria e SHBA-së e mbështet këtë partneritet dhe ta çojmë përpara këtë mbështetje të rëndësishme”, u shpreh Arvizu.
USAID prezantoi një projekt të ri pesëvjeçar prej 9.3 milionë dollarësh “Planifikimi dhe  Qeverisja Vendore” në Shqipëri (PLGP), i cili do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë e Shqipërisë dhe qeveritë vendore, për të prezantuar dhe institucionalizuar metoda praktike dhe efektive për administrimin vendor, dhe për të vazhduar mbështetjen për një qeverisje të decentralizuar në Shqipëri.
Në ceremoni kryetarët e 15 bashkive nënshkruan Memorandume Bashkëpunimi me Projektin e USAID-it, ku parashtrohet programi i asistencës pesëvjeçare të këtij projekti. Pjesëmarrës në ceremoni morën pjesë Ambasadori i SHBA Alexander Arvizu, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, dhe Kryetarët e Bashkive Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Kamëz, Kashar, Korçë, Kuçovë, Lushnjë, Paskuqan, Patos, Sarandë, Tiranë, Vlorë dhe Vorë. Gjithashtu, USAID-i nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), ku përshkruhet mbështetja që USAID do t’i japë Agjencisë në drejtim të planifikimit dhe menaxhimit më të mirë të strategjive të rritjes urbane dhe rajonale. Përzgjedhja e 15 bashkive dhe komunave, që do të marrin pjesë në këtë program, u bë nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Për këtë përzgjedhje u morën në konsideratë kapacitetet fiskale të bashkive, niveli i interesit, dhe angazhimi i tyre për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike, planifikimi dhe teknologjia e informacionit, si dhe pjesëmarrja  e qytetarëve në vendim-marrjen e pushtetit vendor.

Kryeministri Berisha
Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha e vuri theksin tek decentralizimi fiskal, i cili sipas tij për motive politike nuk ka ecur ashtu si duhet, pasi marrëveshja që u arrit me shoqatat nuk u votua në parlament ndërsa theksoi se me këtë projekt do të ridimensionohet decentralizimi fiskal dhe qeveria do të ndajë të ardhurat fiskale mbi bazë ligjesh transparente. “Eksperimenti i parë i bërë me taksën e biznesit të vogël, nuk mund të konsiderohet i suksesshëm. Mosrealizimi vjen nga mos mbledhja, mos administrimi si duhet i taksës së biznesit të vogël. Nuk duhet të kemi pengesa në decentralizimin fiskal, por ju e dini cila është përqindja e taksës së pasurisë. Janë simbolike shumat që ju mblidhni si taksë pasurie. Regjistri i fundit dëshmon se pothuaj gjysma e familjeve shqiptare kanë më shumë se një banesë, pse duhet të nguroni të mblidhni taksën e pasurisë në këto rrethana. Pse Peja, 60 km nga Kukësi, të ketë rreth 18 për qind të buxhetit të saj nga taksa e pasurisë dhe Kukësi apo Saranda kanë gjithsej 5 për qind”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë, Berisha shprehu gatishmërinë për t’u dhënë vendorëve çdo kompetencë për ujësjellësit, për të marrë përsipër një menaxhim efiçent të burimeve.
“Nëse mendojmë se do ecim si në socializëm pa paguar, do ecim mbrapa. Duhet të forcojmë disiplinën në të gjitha hallkat. Nuk ka gjë më kryesore se të ardhurat buxhetore për ju”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu ai u bëri thirrje vendorëve për të ushtruar kompetencat e tyre për të drejtën e administrimit të territorit dhe mjeteve për të ushtruar këtë të drejtë.
“Do ndajmë një seri taksash me ju në bazën e këtij projekti. Ju bëjmë thirrje ju të ushtroni kompetencat tuaja. Gjykata kushtetuese e më vonë parlamenti ju dha të drejtën e administrimit të territorit dhe mjetet për ta ushtruar atë të drejtë. Në këtë projekt fat i madh që parashikohet planifikimi. Duhet të gjejmë të gjithë forcën e ligjit për të vendosur ligjin në hapësirën territoriale aty ku jetojmë”, shtoi më tej ai.
Berisha deklaroi se USAID po asiston në mënyrë që të shfrytëzohet partneriteti publik-privat për zhvillimin e qyteteve dhe komunave për shfrytëzimin e pasurive të territoreve ku ju qeverisni në interesin më të mirë të qytetarëve.
“Projekti parashikon dixhitalizimin e një seri shërbimesh dhe procesesh. Dhe kjo përbën domosdoshmëri të madhe në përpjekjen tonë për Shqipërinë dixhitale. Ajo është Shqipëria transparente dhe e shërbimeve më të mira ndaj qytetarëve”, theksoi kryeministri ndërsa shtoi se nuk ka pasur asnjë ankesë për shpërndarje fondesh mbi baza partiake. Ndërkaq ai tha se nëse në 2005 kishte standarde të papranueshme decentralizimi, gjatë këtyre viteve janë bërë hapa të mëdhenj.
“Në një raport të ri që ne e quajtëm partneritet pushtet vendor e qendror ne ia dolëm të investojmë në mbarë vendin, në qytet e fshatra, në të gjitha zonat e këtij vendi, miliarda euro, që të gjitha me qëllimin e vetëm, për të ndërtuar për qytetarët shqiptarë infrastrukturën që ata nuk kishin, infrastrukturën që ata meritojnë, deklaroi Berisha, teksa u shpreh se, pa këtë partneritet sot nuk do të mund të kishim një realitet të ri infrastrukturor në Shqipëri”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›