Reforma zgjedhore po varros edhe koalicionin majtist, të ndërtuar sipas hilesë së Edvinit

Parimi “peshku i madh e ha të voglin” s’pi më ujë për aleatët e PS-së. Paskal Milo, kreu i PDS-së e deklaron hapur, se, nëse nuk ndryshon shpërndarja e mandateve zgjedhore për partitë e treta, është e sigurt se ai dhe partnerët e tjerë të koalicionit, do ta grisin marrëveshjen politike me Edi Ramën
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo shpreh zhgënjimin mbi mungesën e shqyrtimit të kërkesës për korrektim kombëtar të sistemit zgjedhor, nga ana e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore. Zhgënjim, i cili bëhet më i madh, kur kërkesa për ta shtyrë ka mbërritur pak ditë më parë nga kryesocialisti Edi Rama.
Milo shton se ende nuk kanë humbur shpresat për korrektimin e sistemit. Por, ai thekson se nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë është e pashmangshme edhe prishja e aleancës me Partinë Socialiste. Drejtuesi i Demokracisë Sociale, thotë se dy partitë e mëdha po punojnë në bazë të një konsensusi të heshtur.
Sipas tij, komisioni i reformës zgjedhore, nuk ka shqyrtuar elementet bazë të rishikimit të ligjit zgjedhor, siç është numërimi elektronik, identifikimi i zgjedhësve, rikompozimi i KQZ-së, procesi i ankimimit dhe korrektimi kombëtar. Në këtë këndvështrim, ai thotë se nuk është bërë gjë tjetër vetëm kozmetika e ligjit në fuqi. Për pasojë komisioni ka dështuar në objektivin e tij.
Akuzat e aleatëve ndaj Edi Ramës janë bërë të shpeshta kohët e fundit, kur edhe duhet të përfundojë reforma zgjedhore.
Përpos shqetësimit se PS s’po bën aq sa duhet për problem e shprehur nga partitë e vogla, ekziston edhe risku se Edi Rama s’është i interesuar për vazhdimin e bashkëpunimit me to. Dhe nga kjo lind domosdoshmërisht qëndrimi i ri se, partitë e vogla të opozitës duhet të shohin pozitat e tyre në koalicionin me PS-në. Ndaj, jo më kot deklarata e Paskal Milos, nuk është më një kërcënim apo shantazh për vëmendje, por de facto është largimi i PDS-së (së shpejti edhe të aleatëve të tjerë), nga koalicioni me Partinë Socialiste.