I fundmi i bolshevikëve të publicistikës
Rexhep Qosja u rishfaq përsëri me një ese. Kësaj radhe nuk e kritikoi Ismail Kadarenë, por shënjestër e kishte politikën. Megjithëse, stili dhe mënyra e argumentimit të sulmeve dhe kritikave të tij do ta bënin secilën fletushkë komuniste të publikuar në shqip që të skuqej nga zilia
E lexova disa herë dhe me shumë vëmendje esenë e fundit – sepse shkrimet në gazetë zakonisht janë shumë më të shkurtra – të Rexhep Qosjes. Nuk e di përse e lexova disa herë. Jo që s’e kuptova që në leximin e parë, por, me gjasë, ngase s’po mund të besoja se çfarë po lexoja. Ndoshta edhe për shkakun se, paralelisht, doja të gjeja çfarëdo kuptimi të asaj që Qosja po e thoshte me plotë bindje. I vetmi kuptim doli të jetë ndërrimi i shënjestrës, sepse nga Kadareja, ‘pushkën e tij të ndryshkur’ Qosja kësaj radhe e kishte drejtuar kah dy ministra shqiptarë, Lulëzim Basha e Edmond Haxhinasto – njërin prej të cilëve madje e quan vrasës - dhe, natyrisht, drejt “mikut” të tij të kamotshëm, Ibrahim Rugovës. Si rrjedhojë, pas një analize të shkurtër – ndonëse, gjithsesi më të gjatë seç meriton ky ese – e gjeta veten duke bredhur brenda përfundimeve goxha të ngjashme me ato të shprehura në komentet e mbi 200 lexuesve të esesë së tij, në portalin e Gazetës “Express”.
Në fakt, “babai i kombit” na rishfaqet përplot urrejtje ndaj bashkëkombësve, të cilën e shpreh herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi, ndaj tre personaliteteve politike shqiptare, andej e këndej kufirit. Përderisa dy të gjallët i akuzon për veprime dhe deklarata krejtësisht të nxjerra nga konteksti i tyre i vërtetë, të tretin - atë të vdekurin, tenton ta zhvlerësojë dhe nëpërkëmbë maksimalisht. Personalisht, mendoj për shkak të tekeve e inateve personaleve karshi tij.
Si gjithnjë, edhe kjo ese e Qosjes rrezaton me kontradikta të shumta mes asaj që e thotë dhe që mendon se po e argumenton. Pa dashur të hyj në analiza bajate e monotone, të cilat pastaj edhe këtë shkrim do ta shndërronin në një ese bajate e të pafund, megjithatë, mendoj se duhen prekur disa akuza të rënda që Qosja i ngre padrejtësisht.
Qosja akuzon dy zyrtarë të lartë të Qeverisë së Shqipërisë në një kohë fushate zgjedhore atje, madje duke mbajtur ashiqare anën e krahut tjetër politik, ndërkohë që gjatë gjithë esesë së tij kinse aludon në vlerat morale që i përmend – qofshin ato shqiptarëve përgjithësisht, të UÇK’së, sakrifikimit për liri, meritave për pavarësimin e shtetit të Kosovës, etj. Ndryshe, gjatë gjithë esesë së tij dominon një qasje krejtësisht amorale, që për synim ka denigrimin e jo vetëm të këtyre tre politikanëve shqiptarë, por edhe të një numri goxha të shumtë të përkrahësve që iu qëndruan apo vazhdojnë të qëndrojnë pas tyre. Respektivisht, të rreth gjysmës së kombit në të dyja shtetet.
Në këtë mes, Qosja, për shembull, kritikon deklaratat e zëvendëskryeministrit dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, gjatë qëndrimit të tij të paradokohshëm në Prishtinë. E akuzon atë se, si diplomat, nuk guxon të përzihet në çështjet historike, të cilat nuk i di, dhe se “nuk ka të drejtë të marrë rolin e shkruesit të historisë”. Mirëpo që në paragrafin e radhës, Qosja e merr mbi vete po të njëjtin rol, derisa Haxhinastos ia mban një leksion të historisë për Rugovën dhe LDK-në, dhe për rrjedhën e meritat e luftës për pavarësi të Kosovës përgjithësisht, edhe pse vetë është gjuhëtar me vokacion. E, me qëllim të balancimit të shkrimit, Qosja pastaj mbron edhe vlerat e UÇK-së, të cilat nuk kontestohen nga askush, e më së paku nga ministri Haxinasto.
Sido të që jetë, margaritarë të këtij lloji has pothuaj në çdo të dytin apo tretin rresht të esesë voluminoze, por të paesencë të tij. Përveç nëse esencë mund të quhet përbaltja e qëllimshme e çdo mendimi apo koncepti ndryshe, dhe secila qasje tjetër për zgjidhjen e problemeve, për të cilat del se Qosja i di të gjitha zgjidhjet dhe pasojat. Përkundër faktit që nga ai nuk mbahet mend të ketë dalë asnjë ide apo zgjidhje kreative dhe e dobishme për kombin. Përkundrazi.
Në formën se si është konceptuar, shkrimi i Rexhep Qosjes nuk paraqet asgjë më tepër se një pamflet zgjedhor nga njëra anë, dhe një tentim për devijim të qëllimshëm të zhvillimeve historike dhe politike në Kosovë, nga ana tjetër. Si i tillë, ai përpos që prodhon aversion ndaj autorit, prodhon edhe një kundërefekt prej atij të synuarit në raport me protagonistët që Qosja i zë në gojë. Së këndejmi, nëse qëllimi i tij ka qenë që të bëjë një shkrim vetëm sa për të nxitur reagime të lexuesve, atëherë ia ka arritur qëllimit. Por, nëse qëllimi ka qenë që të na bindë se të gjithë politikanët e apostrofuar ishin ose ende janë gabim, atëherë kjo na bënë që të brengosemi paksa për shëndetin e akademikut tonë.
Për fund: është brengosëse se si një intelektual, akademik – njëri ndër rolet e të cilit, parimisht, do të duhej të ishte përçimi i ideve humane të mirëkuptimit, debatit intelektual, respektimit të ndërsjellë – përçon këso ndjesish të urrejtjes, përçarjes, fyerjeve, debateve skandaloze.
Atëherë, çfarë të pritet nga shtresat tjera?