E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: “Kemi goditur dhjetëra grupe të trafikut të drogës, zero tolerancë ndaj këtij krimi”

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Drogës

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogës, ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi se lufta me zero tolerancë ndaj këtij fenomeni me pasoja negative për shoqërinë dhe shtetin, mbetet prioritet i qeverisë. Duke ju referuar reformave të ndërmarra nga ekzekutivi dhe në mënyrë të veçantë strategjisë kombëtare kundër drogës, Basha tha se vetëm gjatë tre viteve të fundit, Policia e Shtetit në bashkëpunim me struktura të tjera ka bërë të mundur realizimin e disa operacioneve dhe goditjen e mbi 30 grupeve të trafikut të drogës, çka ka shënuar rënie të ndjeshme të trafikimit, si dhe transitit të drogës nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit e më gjerë. “Shqipëria është prodhuese e kanabisit dhe një pjesë e mirë e drogës kalonte nga Shqipëria për në rajon e më gjerë. Vetëm gjatë tre viteve të fundit janë bërë 31 operacione, janë arrestuar 50 persona, shifra këto që flasin për një rënie të ndjeshme të drogave që kalojnë nga vendi ynë. 6 javë na ndajnë deri në mbylljen e kultivimit të kanabisit dhe Policia e Shtetit në bashkëpunim me komunitetin, konstaton se ka një rënie të precedentëve lidhur me kultivimin e kësaj droge. Vetëm 5 muaj më parë, janë sekuestruar 11 kg heroinë, kokainë, kanabis dhe janë arrestuar 30 grupe kriminale. Janë organizuar 21 operacione speciale, 35 persona janë të proceduar”- u shpreh ministri i Brendshëm.
Për ministrin Basha, rëndësi të veçantë në luftën kundër drogës, ka luajtur instalimi i sistemit MEMEKS dhe atij TIMS në pikat e kufirit. Gjithashtu, ai tha se qeveria shqiptare ka parashikuar që të gjitha pasuritë e sekuestruara të trafikantëve të drogës t’u kalojnë në përdorim për viktimat që shkakton përdorimi i saj.
“Pasuritë e sekuestruara të trafikantëve të drogës t’u kalojnë në përdorim për viktimat”- tha ai. Këto deklarata, ministri Basha i bëri gjatë një takimi të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministri Vasili theksoi rëndësinë e veçantë që ka ofrimi i shërbimit mjekësor, mbështetja që shteti duhet t’u japë familjeve të prekura dhe trajtimi në mënyrë të veçantë i këtij problemi në shkolla. Një rol të rëndësishëm në luftën kundër drogës, po luajnë edhe mjaft shoqata humanitare që trajtojnë viktimat e përdorimit të lëndëve narkotike.
Topalli mesazh të rinjve: “Larg drogës për një shoqëri të çliruar”/Kryetarja e Kuvendit, në ditën botërore kundër drogës bën apel për një shoqëri të çliruar nga kthetrat e drogës. Në vizitën e saj në Komunitetin Emanuel, një qendër sociale riaftësuese në Tiranë, kryetarja e Kuvendit u takua me stafin e përkushtuar të qendrës dhe bisedoi me të rinjtë, që kanë pasur një varësi nga droga, dhe përmes sportit, punës, pikturës, artit, arrijnë të largohen nga përdorimi i drogës e t’i rikthehen jetës.
Kryetarja e Kuvendit gjatë kësaj vizite, lançoi nismën për ngritjen e një qendre shtetërore për riaftësimin e të rinjve, përdorues të drogës. Duke parë nga afër sallat e sportit, sallat e punimeve të drurit, punimeve artistike dhe të akomodimit, kryetarja e Kuvendit u ndal veçanërisht në sallën e artit dhe pikturës, duke thënë se këto punime janë gjeniale, shprehje e një bote të madhe, e betejës për një jetë që duhet të vazhdojë.
Në mesazhin e saj si nënë, si grua por edhe si politikane, kryetarja e Kuvendit u shpreh se
“sot është dita ndërkombëtare kundër përdorimit të drogës dhe të abuzimit me drogën”. “Në fakt, nga 350 ditë, çdo ditë e vitit duhet të jetë me një mesazh drejtuar atyre të rinjve, në mënyrë të veçantë të rinjve, të cilët bien pre nga moskuptimi, nga gjendja ekonomike nga situata të ndryshme familjare, përdorin drogën, dhe në varësi të drogës që përdorin, në varësi të dozave që marrin, natyrisht ata rrezikojnë fort. Rrezikojnë fort shëndetin e tyre fizik, rrezikojnë shumë gjendjen e tyre psikologjike, vuajnë vetë. Ky përdorim i drogës, u krijon dhimbje individualisht, krijon dhimbje te familja dhe, krijon një problem shoqëror dhe social”, deklaroi në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Sipas saj, e gjithë shoqëria jonë duhet ta shohë si diçka të cilën duhet ta parandalojmë, të cilën kur u ndodh, duhet ta marrim ta trajtojmë me kurajë, për tu çliruar nga këto droga të ndryshme, dhe për t’u integruar me dinjitet, me respektin e të gjithëve në shoqërinë dhe në jetën e përditshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›