Lulzim Basha: Problemet e Tiranës janë edhe problemet e mia

Kandidati i mazhorancës për kryebashkiak takon banorët e njësisë nr 3 në Tiranë dhe pasqyron projekte për rrugë të reja e gjelbërim në të gjithë kryeqytetin si dhe për transparencë gjatë qeverisjes së tij vendore në kryeqytet
Asfaltimi i rrugëve, gjelbërimi, pastrimi, strehimi, ambientet çlodhëse për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijët, biblioteka dhe mundësi për të penetruar falas në internet kanë qenë disa nga kërkesat që banorët e njësisë bashkiake numër 3 ne kryeqytet i kanë bërë kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie, Lulzim Basha. Basha i ka garantuar banorët se realizimi i kërkesave të tyre do të jetë prioritet i punës së tij në krye të bashkisë së Tiranës. “Një ndër problemet që ne kemi në zonën tonë për sa i përket të rinjve, është mungesa e një bibliotekë për ata që duan të studiojnë dhe nuk kanë mundësi ekonomike, ose një shërbim internet falas për ata që duan të marrin më shumë informacione”, i tha Bashës një e re banore e zonës.
Një studente që takoi kandidatin u shpreh se, “Kërkojmë krijimin e qendrave qytetare, të disa shërbimeve që të na krijojnë akses për të marrë informacione rreth shkollimit dhe punësimit, taksat që do të mblidhen, të na krijojnë shërbime të reja. Problemi i jonë në këtë zonë është që Bashkia nuk e ka kthyer kokën kurrë ndaj nesh, ndërkohë që ne i jemi përgjigjur në të gjitha drejtimet, me taksa dhe të gjitha detyrimet që kemi pasur ndaj Bashkisë”, u ankua një banor i njësisë 3 në Tiranë.
Ndërkohë Lulzim Basha i siguroi banorët se, “E para për mua është transparenca, do të tregojmë sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë. E dyta taksat nuk do i shpenzojmë për rroga, paratë do ti rikthehen qytetarit nëpërmjet shërbimeve”, tha kandidati Basha.
Basha është njohur gjithashtu me problemet e shumta që shqetësojnë banorët e kësaj njësie. Ashtu si dhe në lagje të tjera të Tiranës, infrastruktura është tejet e amortizuar dhe e lënë në harrese prej vitesh. Vende-vende, dallohet vetëm një shtresë e asfaltit të hedhur në kohë zgjedhjesh.
“Ne kemi problemet e rrugës, kemi vënë prita që të mos na hyjë uji nëpër shtëpia. I heqim çorapet edhe dalim zbath kur i çojmë kalamajtë në shkollë, se uji është mbi rrugë. Na mbytën hekurat, na mbytën plehrat, na mbytën pisllëqet. Këtu verës nuk mundemi me hap asnjë dritare prej pluhurit edhe dimrit është llucë deri në gju. Kam lënë fshatin atje ku jetoja, që është 300 banorë, atje i ka vajtur fshatit derë më derë asfalti, këtu siç e shikoni nuk është vënë dorë. Ka 20 vjet dhe nuk është ndërtuar një shkollë, nuk është ndërtuar një kopsht për fëmijët. Në qoftë se dëgjuat britmat e fëmijëve kërkojnë shpresë dhe shpresa e vetme jeni ju”, i tha Bashës një banor.
“Na duhet një shkollë këtu lart për fëmijët se i çojmë shumë larg. Lana është skëterrë. Me rrugët, aman të lutëm bëji se jemi të sëmurë”, iu ankua Bashës një qytetar.
Fëmijët janë gjithnjë të pranishëm në takimet e kandidatit.
“Ne duam parqe se këtu nuk ka fare gjelbërim. Edhe para shtëpisë tonë është shumë pis nuk ka fare pastrim”, i thanë ata dje Lulzim Bashës.
“Të gjitha këtu janë problemet parësore për komunitetin dhe janë problemet e mija jo vetëm tuajat. Ju jap fjalën që në çdo lagje të Tiranës, ne do ndërtojmë hapësira të gjelbra për fëmijët”, i garantoi Basha banorët
Kështu, në ditën e tetë të fushatës, kandidati për Kryebashkiak preku nga afër problemet specifike të zonave të ndryshme të Tiranës. Në mbrëmje, Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij Aurela ndoqën operan “Traviata” në çeljen e sezonit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Lulzim Basha ka në platformën e tij për Tiranën, gjallërimin e jetës kulturore në kryeqytet.
Gerti Bogdani
“Lulzim Basha alternativa, ide dhe projekte - Edi Rama, fushatë fyerjesh dhe shpifjesh”
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u shpreh dje me anë të një deklarate për shtyp se kreu i opozitës Edi Rama vijon fushatën e tij të shpifjeve, por nuk ofron asnjë ide, zgjidhje apo alternativa për qytetarët, në kundërshtim me kandidatin e PD-së për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, që po zhvillon një fushatë me ide dhe projekte të reja.
“Edi Rama tregoi se nuk bën asnjë ditë pushim në fushatën e tij të shpifjeve dhe përbaltjes së kundërshtarit, ndërsa mungon çdo ditë kur vjen puna për të ofruar ide, alternativa dhe zgjidhje për qytetarët e Tiranës”, tha Bogdani.
“Ju e patë se Edi Rama ishte dje në Durrës duke vazhduar luftën e tij politike, e cila nuk ndërton asnjë rrugë të re, asnjë shkollë të re, asnjë park të ri në qytet. Kjo politikë e Edi Ramës nuk sjell asnjë vend të ri pune, nuk ul as taksat dhe as çmimet. Ndërsa Lulzim Basha ishte dje, sot, dhe do të jetë çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës, duke ndarë me ta hallet dhe shqetësimet, si dhe duke komunikuar për zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka qyteti dhe jeta e përditshme”, vijoi Bogdani.
Sipas tij, “Edi Rama përsërit çdo ditë programin e fyerjeve të ulëta dhe shpifjeve jashtë çdo etike qytetare, por kjo nuk e shkurajon aspak Lulzim Bashën, i cili ka një projekt serioz për përmirësimin e jetës në Tiranë. Sepse për Lulzim Bashën, Tirana është e para, të parët janë qytetarët e saj. Dhe për këtë, ai po merr çdo ditë mbështetje nga banorët e Tiranës”.