Lulzim Basha: “Vatra, pjesë e pandarë e Historisë së Shqipërisë”
Vizita disaditore e kryebashkiakut të Tiranës në SHBA përfundon me takimin e tij mbresëlënës me drejtuesit e Shoqërisë “Vatra”, bashkimit të diasporës që aq shumë bëri për Shqipërinë, gjatë 100 viteve të saj të pavarësisë
Kryetari i Bashkisë të Tiranës, z. Lulzim Basha e mbylli vizitën e tij në SHBA me vizitën që bëri të shtunën me 4 shkurt, në Shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës, VATRA, ku u prit nga Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj dhe zv/kryetari Agim Rexhaj, si dhe bordi i Vatrës. Ai shoqërohej nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York Dritan Mishto dhe Shefi i Misionit shqiptar në Kombet e Bashkuara, FeritHoxha.
Kryetarit të bashkisë ia uroi mirëseardhjen nëVatër dr. GjonBucaj, kryetar i Vatrës. Ai e uroi z. Basha për vizitën e suksesshme në SHBA si dhe për vizionin për Bashkinë e Tiranës. Z. Buçaj e njohu shkurtazi kryebashkiakun e Tiranës me përpjekjet që po bën Federata Vatra në kuadër të 100 vjetorit të themelimit dhe e ftoi z. Basha që të jetë pjesë e festimeve këtu në New York me 28 dhe 29 prill 2012. Dr. Buçaj tha se Vatra po lufton në shumë drejtime, të riorganizimit të degëve dhe shtimit të anëtarësisë; të afrimit të brezit të ri, për të siguruar vazhdimësinë e brezave, kalimin e Vatrës tek brezi i ri si dhe po shton veprimtaritë e 100 vjetorit, duke intensifikuar fushatën. Kanë thënë shpesh, theksoi dr. Buçaj në përshëndetjen e tij, se Vatra e ka kryer misionin e vet, por vatranët si shumica e shqiptarëve të Amerikës mendojnë se misioni i Vatrës nuk përfundon, pasi në themel të punës së Vatrës është Kombi dhe në vizionin gjithëshqiptar kombi është i përjetshëm.
Z. Basha falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe shtoi se është kënaqësi që të jesh në Shtëpinë e Vatrës, e cila është pjesë e pandashme e historisë së Shqipërisë dhe paraprirëse e Pavarësisë së Shqipërisë. Kontributi i Vatrës ndaj Kombit shqiptar mbetet historik, dhe kulmon në rolin e saj në Konferencën e Paqes. Ndërhyrja e Vatrës tek Presidenti Wilson fatmirësisht pati efekt pozitiv, Shqipëria shpëtoi nga copëzimi i mëtejshëm. Z. Basha mbështeti projektin e parashtruar nga dr.Buçaj për kalimin e Vatrës tek brezi i ri, ç’ka do të garantojë shekullin e dytë të saj. Më pas z. Basha vizitoi librarinë dhe arkivin e Vatrës. Editori i Diellit, Dalip Greca ekspozoi disa nga dokumentet, regjistrat dhe fotografitë origjinale që ruhen në arkivin e Vatrës, përfshi edhe rekordet e themelimit të Vatrës, dokumente origjinale të HuasëKombëtare, që organizoi Vatra për të ndihmuar Shtetin Shqiptar në vitet 1920-21, më shumë se 197 mijë dollarë, apo Fushata “Shqipëria në Rrezik”, ku për shpëtimin e Shqipërisë, vatranët dhuruan 150 mijë dollarë. Po të shtosh këtu edhe fushatat e tjera përmbajtjen e diplomatëve në Europë, apo edhe dhurimi i më shumë se 120 mijë librave për shkollat shqiptare, del më i qartë kontributi i Vatrës.
Më pas u bë një takim me bordin e Vatrës, në sallën e mbledhjeve, ku z. Basha falënderoi Vatrën për punën e saj në shërbim të kombit shqiptar për 100 vjet. Është një rast i rrallë, tha ai, që një shoqatë mbijeton për 100 vjet dhe kjo duhet të na bëjë krenarë të gjithë ne shqiptarëve. Vatra është bërë simbol historik i shqiptarëve të Amerikës dhe vazhdon të luftojë për ta mbajtur gjallë frymën patriotike. Misioni i Vatrës nuk ka fund, sepse ajo është themeluar me mision për t’i shërbyer Kombit dhe si e tillë, nuk ka kufij kohorë. Vatra u themelua para Pavarësisë dhe orientoi që këndej për një shtet me orientim perëndimor dhe jolindor. Është i njohur kontributi i Vatrës për ta ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, takimet me presidentin Wilson, forcimin e urave të miqësisë Amerikë-Shqipëri, etj.
Pas përshëndetjes së z. Basha, falënderoi kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, ndërsa anëtarët e bordit, Lek Miraka, Asllan Bushati dhe Ibrahim Kolari shtruan shqetësime që kërkojnë përkujdesjen e qeverisë shqiptare për t’i zgjidhur. Z. Basha shoqërohej edhe nga bashkëshortja, e cila tha për gazetën “Dielli” se ndjehej krenare që ishte në mjediset e Vatrës, ku dhe gjyshi i saj Sino Bozhaj, kishte qenë anëtar dhe kontribuues në vitet historike të Vatrës 1915-1924.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit bënë fotografi me z. Lulzim Basha.