Lulzim Basha e Ina Rama përplasen në Gjykatën e Lartë
Avokati i ministrit padit Prokurorinë për shkelje
Prokuroria, gati padinë për mosparaqitjen e ministrit
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i drejtohet Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar veprimet e ndërmarra së fundmi nga Prokuroria e Përgjithshme. Kërkesa e avokatit do të depozitohet sot në Gjykatën e Lartë nga avokati i z. Basha, Zef Nikaj, ndërkohë që objekti i saj do të jetë i njëjtë me kërkesëpadinë e depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë. Arsyeja pse avokati është duke iu drejtuar edhe Gjykatës së Lartë për parregullsitë e konstatuara gjatë thirrjes së klientit të tij si i pandehur në Prokurorinë e Përgjithshme, është fakti që ministri Basha është në të njëjtën kohë edhe deputet dhe kjo gjykatë është ajo që shqyrton kërkesat ndaj ose të një deputeti në ngarkim të tij ose nga vetë ai. Ndërkohë që këtë javë pritet të nisë shqyrtimi gjyqësor nga gjyqtarja Fatmira Hajdari për kërkesën e depozituar disa ditë më parë nga avokati Nikaj. Sipas avokatit Nikaj, në thelb, këto veprime në tërësinë e tyre tregojnë abuzim me pushtetin ligjor nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe shkelje të dispozitave të Kushtetutës së Shqipërisë që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat dhe liritë e individit për një proces të rregullt ligjor. Me anë të kësaj kërkese, avokati i Bashës kërkon që të kundërshtojë veprimet e organit të akuzës, të cilat janë konsideruara të parregullta dhe skandal politik nga Lulzim Basha e Andi Toma. Ndërkohë që edhe nga organi i akuzës ka pasur lëvizje për këtë çështje. Ata i kanë vënë afat ministrit për t’u paraqitur para prokurorit të çështjes për t’u njohur me akuzën deri ditën e premte të kësaj jave, pasi në të kundërt, edhe ata do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, bëhet e ditur se pas kësaj dite, Prokuroria do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë, si organ kompetent për t’i komunikuar akuzën, kjo për faktin se Lulzim Basha është deputet. Ndërkohë që nga organi qendror i akuzës është përcaktuar data 6 dhjetor si dita e mbylljes së hetimeve për dosjen Durrës-Kukës, datë kjo e bërë publike nga prokurori i çështjes, Arben Kraja, gjatë seancës përballë Andi Tomës e Armand Telitit, vendim që është apeluar edhe në Gjykatën e Apelit nga Prokuroria e Përgjithshme.