Lulzim Basha mban fjalimin e lamtumirës për Leka Zogun
-Përkujdesje për imazhin e Lulzim Bashës edhe në ceremoninë mortore të Leka Zogut. Basha: Leka Zogu ishte i përkushtuar për demokracinë
Pasi kanë mbaruar homazhet në sallën e Kuvendit, arkivoli i Leka Zogut është nxjerrë jashtë sallës, ku katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare kanë bërë një lutje të përbashkët. Siç raporton edhe Associated Press, Shqipëria, një republikë parlamentare ka hapur dyert e Kuvendit për një mbret të vetëshpallur.
Megjithatë ajo që ka rënë në sy ka qenë se fjalimin e lamtumirës e ka mbajtur për çudi Lulzim Basha, kryebashkiak i Tiranës. Madje, duket se ka qenë një rast i mirë për të bërë marrëdhënie me publikun ky varrim. Mediat janë lidhur direkt me sallën e homazheve kur ka mbërritur aty Lulzim Basha dhe kanë fokusuar disa herë fytyrën e tij të pikëlluar. Basha është kujdesur që të dalë në kamera si një njeri që gati po i dalin lotët. Basha e pati punësuar të birin e Lekës kur ishte ministër i Jashtëm si këshilltar të tij.
Më pas ka mbajtur një fjalim plot vlerësim për Leka Zogun. Mbreti Zog tashmë është një figurë historike, tha Basha. Ai vlerësoi aftësinë shtetformuese të babait të Leka Zogut. Duke folur për largimin e tyre nga Shqipëria në prag të pushtimit fashist, Basha tha: Kjo familje u shkëput me dinjitet, kurse familjet e tjera u bashkuan me të fortët. Familja Mbretërore nuk u bë kurrë vasale e ndonjë familje tjetër. As Ahmeti dhe as Leka nuk negociuan kurorën, duke e cilësuar atë kurorë të shqiptarëve.
Basha ka vlerësuar atë që e ka quajtur Përkushtimi i Leka Zogut për demokracinë. Kryebashkiaku shtoi se Kosova ishte një fushë betejë që Leka e ka zhvilluar me patos. Qëndrimet e tij ishin të pranishme në shumë kancelari e familje mbretërore.
Jemi mbledhur sot jo për të vajtuar, edhe pse i kemi zemrat me pezm, por për të nderuar me krenari kombëtare veprën e Leka Zogut, birit të Mbretit të Shqiptarëve, mbylli fjalën e tij Basha.