E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoba për kuotat, PDK: Të ndëshkohet KQZ-ja që pranoi listat

Përmes një deklarate për shtyp, PDK kundërshton vendimin e fundit të KQZ-së që gjobit këtë forcë politike, ashtu si çdo parti tjetër pjesëmarrëse në zgjedhje, për mos respektim të kuotave të grave

TIRANË Vendimi i KQZ-së për të gjobitur me miliona lekë PDK-në për mos respektim të kuotës së grave në listat zgjedhore, ka xhindosur këtë forcë politike. Përmes një deklarate për shtyp, PDK-ja sqaron se këtë gjobë duhet ta marrë vetë KQZ-ja, e cila pak para zgjedhjeve i ka pranuar këto lista si të rregullta. ”Në Kodin Zgjedhor dhe më saktë, në nenin 73 të tij për verifikimin e dokumentacionit nga KQZ-ja, në paragrafin 1 të këtij neni thuhet: “KQZ-ja, ose sipas rastit KZAZ-ja, verifikon rregullsinë e dokumentacionit dhe, nëse vëren parregullsi apo mospërmbushje të kërkesave të Kodit Zgjedhor, ia kthen ato subjekteve zgjedhore për korrigjim jo më vonë se 35 ditë përpara zgjedhjeve”. Atëherë, nëse listat e kandidatëve konkurrues në zgjedhjet vendore të 8 Majit të depozituara nga partitë politike kanë qenë të parregullta dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, përse këto lista nuk u janë kthyer subjekteve zgjedhore për korrigjim, por janë pranuar si të rregullta”,- thuhet në deklaratën për shtyp të PDK-së. Kjo forcë politike nënvizon se KQZ-ja dhe administrata zgjedhore e ngritur janë autoriteti i vetëm përgjegjës për pranimin e dokumentacionit zgjedhor të partive me parregullsi dhe në mospërputhje me Kodin Zgjedhor. “Nëse dikush duhet ndëshkuar për këtë shkelje të ligjit, atëherë, subjekti që duhet penalizuar është KQZ-ja dhe jo partitë politike”, - thuhet në deklaratë. Sipas PDK-së, drejtues të KQZ-së kërkojnë të hakmerren sa kohë që nga të gjitha partitë është kërkuar rikompozimi i këtij institucioni, bazuar edhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›