Kodi Rrugor, dështon mbledhja e komisionit, shkak mungesa e PS-së
TIRANË Dështon për herë të dytë mbledhja e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese për miratimin e ndryshimeve në Kodin Rrugor. Mbledhja e parashikuar për t’u mbajtur dje pasdite nuk u zhvillua për shkak të mungesës së deputetëve të Partisë Socialiste. Arsyeja e mungesës së deputetëve socialistë sa duket lidhej me zhvillimin paralel në një tjetër ambient të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Mbledhja e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese kishte si qëllim miratimin e ndryshimeve të Kodit Rrugor me kërkesë të Partisë Socialiste. Dy ditë më parë, Kuvendi shtyu seancën parlamentare, për shkak se opozita pretendonte se komisioni përgjegjës, që është ai i Veprimtarisë Prodhuese, ka ende nevojë për kohë për të diskutuar disa ndryshime të reja, të paraqitura nga nënkryetari i tij Eduard Shalsi dhe disa grupe interesi. Për këtë arsye, konferenca e mbledhur para fillimit të seancës, vendosi që ndryshimet të kalonin me konsensus në komisionin e veprimtarisë prodhuese dhe me pas për miratim në seancën e radhës.