E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha, pavdekshmëria politike e Berishës

Shumë bëjnë një pyetje që kur Partia Demokratike vendosi që të kandidonte Lulzim Bashën përballë Edi Ramës në Tiranë. Përse? Pse këtë emër? Personalisht mendoj se ideja e Berishës për të hedhur Lulzim Bashën në Tiranë është si prova e lakmusit për të matur habitatin e elektoratit për të ardhmen e tij politike. Siç ndodhi me Gërdecin. Megjithëse nën presionin e opozitës dhe opinionit publik, Berisha nuk “dorëzoi” kurrë Fatmir Mediun. Madje, atë e përdori të parin në rolin e lakmusit dhe eksperimenti i doli me një rezultat brilant. Mbajtja e Fatmir Mediut, me gjithë përfshirjen në tragjedinë e shpërthimit me pasojë vdekjen e dhjetëra shqiptarëve, nuk i shkaktoi asnjë kosto elektorale. Përkundrazi. Fitore dhe forcim të tij. Sot, Mediun e kemi Ministër të Mjedisit, pa ju prekur asnjë qime nga flokët e tij të dendur. Eksperimenti i dytë, me Lulëzim Bashën në Tiranë, është më i guximshëm, por nëse rezulton pozitiv, shënon pavdekësinë politike të Berishës. Vitet e fundit, me përjashtime të pakta si rasti i Marëveshjes për kufijtë detarë me Greqinë, politikani Berisha ka bërë çfarë ka dashur dhe si ka dashur, pa humbur asgjë. Të mendojmë Gërdecin, përmbytjet për keqmenaxhim të rezervave ujore në hidrocentrale. Shqiptarët (dhe këtu përfshij vërtetë të gjithë: drejtësi, media, opozitë, shoqëri civile dhe opinion publik) kanë kaluar çdo gjë. Përgjegjësia e Lulzim Bashës si ministër i Brendshëm në vrasjen e 4 protestuesve në bulevardin Deshmorët e Kombit, nëse e faktuar nga Drejtësia, do të ishte një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Sepse ajo, përpos vrasjeve, ekzekutimeve fizike, ka si pasojë dhe vrasjen e guximit për të protestuar të opozitës, apo të kujtdo protestuesi në demokracinë shqiptare. Të sjellim në mendje si kanë përfunduar të gjitha protestat që nga ajo e minatorëve dhe deri kjo e fundit e paraplegjikëve. Kush protestoi e fitoi? Berisha, politikani më ambicioz e i palodhur që jeton në trojet shqiptare, nuk i trembet sfidave. Pasi ka marrë OK e drejtësisë që nuk ka për ta bezdisur për 21 janarin Lulzim Bashën, pasi ka marrë dhe OK e ndërkombëtarëve, e hedh atë si lakmues në të tretën sfidë: atë elektoralen. Nëse dhe ky eksperiment i del mirë, (shumë intelektualë tashmë e kanë shprehur hapur pëlqimin që kanë ndaj kandidatit Basha), atëherë të gjithë të brohorasim: Habemus Berisha. Dhe pas kësaj, punët janë vërtetë vetëm në dorë të Krijuesit.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›