E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumani: Gramozi është mësuar me ndeshjet shtesë

Nga Kristi Lilo

Sulmuesi kolonjar, Muharrem Lumani, beson se ekipi i tij do të bëjë atë që ka bërë vitet e fundit me Tërbunin dhe Bylisin

Gramozi, edhe pse ka përpara transfertën me Burrelin, është përqendruar te ndeshja shtesë, që do ta luajë në kryeqytet javën e ardhshme. Kjo duket qartë gjatë seancave stërvitore, ku impenjimi i stafit teknik dhe futbollistëve është në shkallën më të lartë. Kolonjarët duan të mos i ndahen kategorisë së parë, kështu që duhet të mundin kundërshtarin nga kategoria e dytë, që ka shumë mundësi të jetë Naftëtari.

Ndryshe nga javët e tjera, trajneri Qirjako po punon me dy seanca në ditë. E gjithë vëmendja është te ndeshja shtesë, ndaj dhe Gramozi mund të mos ketë në fushë të shtunën disa nga titillarët e tij, pasi trajneri Ilir Qirjako kërkon ti ruajë nga dëmtimet apo skualifikimet. Megjithatë, Gramozi nuk do të shkojë për shëtitje në Burrel.

Sigurisht që do të shkojmë për pikë në Burrel, për ti bërë një mbyllje sa më të mirë këtij kampionati, pavarësisht se fati i tij vendoset javën e ardhshme në play-out. Besoj se do të jetë një takim i bukur dhe që do të kënaqë tifozërinë matjane. Mendoj se të shtunën, në ndeshjen me Burrelin, do të bëhet një lojë e hapur, pasi të dy ekipet nuk fitojnë apo humbasin gjë, – thotë për Sportin shiptar sulmuesi Muharrem Lumani, i cili mendohet ta nisë titullar ndeshjen me Burrelin.

Duke u përqendruar te ndeshja shtesë, ai shton: Për të qenë pjesë e kategorisë së parë edhe sezonin tjetër, duhet të bëjmë atë që kemi bërë 2 vjet më parë me Bylisin dhe 3 vjetë më parë me Tërbunin, kur kemi dalë fitimtarë. Po përgatitemi shumë seriozisht që Gramozi të mos zhgënjejë.

Do të përpiqemi me të gjitha mundësitë për ta mbajtur Gramozin në kategorinë e parë, ku i takon të jetë. Eshtë rasti më i mirë të tregojmë se vendi që kemi në tabelën e renditjes nuk tregon vlerat e vërteta të Gramozit. Kam shumë besim se do ta përfaqësojmë futbollin kolonjar përsëri në kategorinë e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›