Raboshta: Luftëtari e ka merituar plotësisht titullin
Sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, është stilisti që pothuajse në çdo ekip që ka luajtur deri tani ka çuar një kupë
Luftëtari po përgatitet që ta mbyllë kampionatin me rekordin unikal vetjak, që ka të bëjë me 15 fitore radhazi në Gjirokastër në po kaq ndeshje, kurse tifozët e tij po përgatiten për të festuar ngjitjen në superligë dhe titullin kampion të kategorisë së parë. Eshtë e qartë se edhe ndeshjes së fundit, pavarësisht se rezultati duhet vetëm për prestigj dhe rekordin e lartpërmendur, i duhen bërë gjithë shërbimet për ta kurorëzuar me sukses, sepse edhe Mamurrasi ka ambicjet e veta dhe kënaqësinë për të fituar ose barazuar me ekipin kampion, aq më tepër në transfertë.
Gjirokastritët, të cilët kanë luftuar për shumë e shumë javë me kundërshtarët dhe euforinë, duhet ta bëjnë këtë gjë edhe këtë radhë për të mos e prishur serinë, që e ka bukurinë të mbyllet me shifrën 15. Kështu do të ketë më shumë lezet edhe shpërthimi i shampanjës. Luftëtari ka gëzuar për herë të fundit në fund të sezonit 19981999, kur është shpallur kampion i kësaj kategorie.
Në atë kohë mundi Albpetrolin në Tiranë, me një gol të Devollit, i cili u kthye nga Bylisi. Atë sezon me Luftëtarin ishin trajnerë Hysi dhe Ciko, që e drejtuan ekipin edhe fazën e parë të këtij kampionati, ndërsa Kristidhi, Novi dhe Nora ishin lojtarë.
Luftëtari kapërceu me sukses edhe përplasjen më të ashpër, atë të Kukësit, sepse nuk u mbështet as në shenjtorë, as në koncerte, as në batuta helmuese as në dhunë dhe në gjëra të tjera të kësaj natyre, por kryesisht në lojën e tij racionale, në luftën sportive dhe në mendësinë e fituesit, pa mohuar edhe rolin e fatit në ndonjë ndeshje. Ekipi gjirokastrit rezulton superior me 11 kundërshtarë dhe i barabartë me 4 të tillë (Besëlidhjen, Gramshin, Lushnjën dhe Burrelin).
Faktet janë të shenjta, komentet janë të lira. Në Gjirokastër tani ethet janë për festën pas ndeshjes formale Luftëtari-Mamurrasi, kur do të shpërthejnë shampanja dhe fishekzjarret. Po ashtu, do të jepet edhe një koncert.
Raboshta Jasmin Raboshta, golashënuesi i dytë pas Norës, stilisti shkodran i ekipit gjirokastrit, për ecurinë e Luftëtarit shprehet: E quaj veten me fat, sepse me Vllazninë time kam fituar Kupën e Shqipërisë, me Elbasanin kam qenë nënkampion i kategorisë së parë dhe ekipi hyri në superiore, me Pogradecin kam qenë kampion i kësaj kategorie, ashtu si dhe me Luftëtarin së fundi.
Pra, pothuajse kudo ku kam luajtur, kam çuar një kupë. Dhe të mendosh sa e bukur dhe fantastike do të jetë sikur sezonin tjetër Luftëtari të sjellë titullin kampion të superligës ose Kupën e Shqipërisë. Por le ti lëmë shakatë. Luftëtari përballoi me sukses të plotë një kampionat, ku luajtën Elbasani, Besa, Lushnja, Besëlidhja, Burreli, por edhe Kukësi, që rezultoi kocka më e fortë.
Në ndeshjen e fundit, edhe pse në një klimë dimërore pikërisht në Kukës, dolëm ngadhnjimtarë. Në mënyrë të padiskutueshme Luftëtari e meritoi titullin dhe jam i gëzuar, ashtu si gjithë të tjerët. Them se kam ndikuar jo pak për këtë sukses. Uroj që Luftëtari në sezonet që vijnë ta thotë fort fjalën e tij edhe në superligë.
8 herë
Është shpallur kampion i kategorisë inferiore ekipi gjirokastrit dhe një herë nënkampion i superiores (1977-1978), ku do të luajë sezonin që vjen
12 gola
Ka shënuar sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga fundi i këtij kampionati
