INSIG humbet 9. 87 për qind të tregut në katër muaj
Para pak kohës Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka licencuar ekspertë për auditimin e pasqyrave financiare të vitit 2009, në shoqërinë e sigurimit INSIG sh.a, kohë në të cilën janë konstatuar sërish humbje tregu. Qeveria shqiptare e ka hequr kompaninë shtetërore të sigurimeve INSIG nga lista e ndërmarrjeve strategjike, si dhe ia ka hequr kompetencat e privatizimit Ministrisë së Financave për tia kaluar Ministrisë së Ekonomisë përmes një ndryshimi në Ligjin për Strategjinë e Privatizimit të Sektorëve të Rëndësisë së Veçantë. Ndryshimi i ligjit u miratua në tetor ku heqja e INSIG nga lista e sektorit strategjik bën të mundur shitjen e kompanisë me kushte më të buta. Dy vjet më parë qeveria ka miratuar një ligj të ri me anë të së cilit ofrohet për shitje 100 për qind e aksioneve dhe për këtë kompani, mund të bëjnë oferta edhe vendësit. Dy institucione financiare ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, blenë paketa minoritare aksionesh në vitin 2003 në mbështetje të procedurës së privatizimit, por as ky veprim nuk e lehtësoi privatizimin. Vitin e kaluar, të dyja institucionet nënshkruan një marrëveshje konfidenciale me qeverinë për rikthimin e aksioneve nën pronësi shtetërore, përkundrejt një çmimi që u mbajt sekret. Çmimi i përfituar nga shitja qe çmimi i blerjes plus një marzh i vogël, deklaroi pak kohë më parë një zyrtar i BERZH, i cili ritheksoi karakterin sekret të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve. BERZH dhe IFC i blenë aksionet e INSIG-ut në vitin 2003 me një çmim të përcaktuar me negociata të drejtpërdrejta. Kompania konsulente për shitësin e vlerësoi kompaninë 2.8 miliardë lekë, ndërsa konsulenti i blerësit e vlerësoi 3.2 miliardë. Në atë kohë, INSIG zotëronte vetëm asete likuide, (investime në bono thesari), me vlerë të përgjithshme prej 4 miliardë lekësh. Gjatë këtyre viteve, financat e kompanisë janë dobësuar dhe portofoli i saj i aseteve është tretur. Megjithatë, INSIG zotëron ende një treg të sigurt të përbërë nga sigurimi i makinave të institucioneve të ndryshme publike, treg që qeveria ia ka dhënë me prokurim të drejtpërdrejtë. Pas disa tentativave, qeveria iu afrua shumë afër shitjes së INSIG-ut në dhjetor të vitit 2008, kur shpalli fituese një shoqëri amerikane, e cila ofroi rreth 50 milionë dollarë. Në çmim përfshiheshin 61 përqindëshi i palës shqiptare dhe 39 për qind i aksionerëve BERZH dhe IFC. Pas heshtjes tremujore, qeveria pranoi dështimin e privatizimit. Në variantin e ri të paraqitur nga Këshilli i Ministrave, miratuar më 20 gusht 2009, thuhet se, pas negociatave me grupin e punës për privatizimin e INSIG-ut dhe me konsulentin, shoqëria amerikane ARLL u tërhoq nga procesi, ndikuar nga recesioni ekonomik botëror.