Brukseli jep OK për vizat, mbeten disa detyra shtëpie

Komisioni Europian aprovoi dje një propozim për të mundësuar shtetasit e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës të udhëtojnë me pasaportat e tyre biometrike drejt vendeve të hapësirës “Shengen” pa pasur nevojë për vizë. Propozimi kushtëzohet me plotësimin e tri kërkesave të mbetura për t'u realizuar nga të dyja vendet.
“Propozimi është rezultat i punës së madhe dhe intensive të autoriteteve dhe popujve të këtyre vendeve për plotësimin e kushteve. Jam e sigurt se të dyja vendet, duke pasur parasysh rezultatet e mira të treguara tashmë, do të jenë në gjendje të plotësojnë kriteret e mbetura në kohën e duhur, në mënyrë që Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të mund të japin së afërmi dritën e fundit jeshile për këtë propozim. Më lejoni të theksoj se kjo liri duhet të shoqërohet me një përgjegjshmëri. Kështu që i ftoj autoritetet kombëtare në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë të vazhdojnë të informojnë shtetasit e tyre mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga udhëtimi afatshkurtër pa viza”, tha Sesilia Malmstrom, komisionere e BE-së për çështjet e Brendshme. Ndërkaq, Stefan Fule, komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë nënvizoi: “Ky propozim për udhëtim pa viza është me rëndësi të madhe për shtetasit e vendeve në fjalë, pasi do t'i sjellë ata më pranë BE-së. Regjimi pa viza do të ndihmojë për ta bërë perspektivën europiane më të prekshme. Kam po aq besim sa komisioneria Malmstrom se autoritetet përkatëse kombëtare në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë së shpejti do të mund të plotësojnë kërkesat e mbetura dhe do të vazhdojnë të garantojnë rezultate të qëndrueshme në zbatimin e udhërrëfyesve”. Propozimi synon të thjeshtojë udhëtimin në vendet e BE-së (përveç Britanisë së Madhe dhe Irlandës, të cilat nuk janë pjesë e politikës së përbashkët të vizave) dhe në vendet e asociuara me zonën “Shengen” (Zvicra, Norvegjia dhe Islanda) për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke hequr detyrimin e aplikimit për viza afatshkurtra. Të dyja vendeve u duhet të bëjnë hapa përpara në disa fusha ku janë identifikuar mangësi. Komisioni Europian do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet e bëra për të trajtuar me efektshmëri çështjet e mbetura dhe do t'i raportojë në kohë Parlamentit Europian dhe Këshillit mbi konstatimet e bëra. Procesi i monitorimit mund të zhvillohet gjatë verës, në mënyrë që të lejojë Këshillin dhe Parlamentin të marrin një vendim përfundimtar në vjeshtë.
#