OSSH nuk pajis qytetarët me fatura, përplasje në arkë për pagesën e energjisë
Kompania çeke që ka privatizuar Sistemin e Shpërndarjes së Energjisë nuk ka kryer asnjë investim në sistemin e shpërndarjes së energjisë që pas privatizimit të këtij sistemi. OSSH ka rritur çmimin e energjisë me 13 për qind për konsumatorët familjar dhe rreth 20
për qind për bizneset, por nuk kryen as detyrimet minimale ndaj klientëve të saj. Në rast të mos pagimit të energjisë së prapambetur brenda 72 orëve, teknikët e OSSH të presin lidhje. Por në shumicën e rasteve kjo kompani nuk ju dërgon abonentëve faturat në shtëpi. Faturistët lëshojnë faturat në fund të shkallës apo në mes të lagjes dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për rastet kur konsumatorët nuk mund të gjejnë faturën. Madje arkëtarët e OSSH nuk pranojnë të kryejnë pagesat pa faturën e energjisë dhe as nuk konfirmojnë shumën e shpenzuar në dokumentacionin përkatës. Qytetarët janë të detyruar të shkojnë pranë zyrave të shpërndarjes për të rimarrë faturën dhe më pas për tu drejtuar pranë arkës për të shlyer detyrimin. Operatori i Shpërndarjes nuk merr parasysh pjesën e vonesës që i duhet qytetarëve për të gjetur faturën e energjisë dhe nis aplikimin e kamatvonesës menjëherë pas skadimit të afatit.
Energjia
Shqiptarët paguajnë faturën më të shtrenjtë për energji elektrike se gjithë vendet me ekonomi të ngjashme. Kështu, fatura e energjisë në vendin tonë është 64 për qind më e shtrenjtë se në Maqedoni. Çmimi mestar i energjisë elektrike në Maqedoni është 6.7 lekë për kilovat orë. Në Shqipëri një kilovat orë energji elektrike kushton 13 lekë. Çmimi i energjisë elektrike që paguhet nga familjet shqiptare është jo vetëm më i larti në të gjithë rajonin, por edhe shpenzimet për energjinë në Shqipëri zënë peshën me të madhe në krahasim me të ardhurat mujore. Nëse do të krahasohet me Maqedoninë paga mesatare neto për një punonjës maqedonas është 20240 dinarë dhe fatura e energjisë për konsumin sipas një fature është sa 15 për qind e pagës mesatare të një punonjësi. Ndërkohë që e njëjta sasi konsumi për një familje shqiptare zë 27 për qind të pagës bruto. Nëse do të llogariteshin edhe taksat e pagës që në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon fatura e energjisë do zinte mbi 30 për qind të pagës. Tarifat e energjisë në vendin tonë janë disa herë më të larta se vendet me standarde më të larta jetese jo vetëm në rajon por edhe në krahasim me vendet më të zhvilluara të botës.
Rritja e çmimit
Nga 1 janari çmimi i energjisë elektrike është rritur me 13 për qind. Enti Rregullator, vendosi rritjen e çmimit të energjisë për të tre operatorët në treg, prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen. Enti vendosi që çmimi me të cilin KESH tregton energjinë e prodhuar, të rritet nga 1.61 lekë për kilovat në 2.03 lekë për kilovat. Rritja është me 0.42 lekë, ose 25.5 për qind. Enti vendosi që edhe OST, për transmetimin e energjisë elektrike të përfitojë nga 0.5 lekë për kilovat, 0.6 lekë për kilovat. Pra 0.1 lek për kilovat, ose 20 për qind. Ndërkohë që tarifa mesatare e energjisë që tregtohet nga OSSH, është rritur nga 8.45 në 9,53 lekë/kilovat. Rritja është 1.08 lekë për kilovat ose 13 për qind. KESH dhe OST ja shesin energjinë OSSH, e cila e faturon te konsumatorët. Nga vendimi i djeshëm i Entit Rregullator, nga 1.01 lekë që i është bërë çmimit mesatar të energjisë, 0.52 lekë do shkojnë në favor të KESH dhe OST. Pra, gati gjysma e çmimit të miratuar dje nga ERE, shkon për të përmbushur kërkesat e kompanive që administrohen nga qeveria. Duket, pak kontradiktore, por janë kompanitë shtetërore që kanë diktuar rritjen e çmim
Paralajmërimi
OSSH ju ka dërguar të gjithë abonentëve debitorë një shkresë zyrtare në të cilën renditen masat që kompania do të ndërmarrë në rast se nuk shlyhet borxhi brenda 72 orësh.Përmes këtij njoftimi ne i sugjerojmë konsumatorit të respektojë afatin që përcakton kjo shkresë zyrtare që do tu dërgohet abonentëve debitorë. Në rast të mosrespektimit të afatit 72 orësh që përcakton kompania, atëherë kompania është e detyruar të marrë masa ekstreme të cilat janë: Ndërprerja e energjisë elektrike, demontimi i linjës së furnizimit pra lënia pa kontratë furnizimi, njëkohësisht dërgimi në prokurori i të gjitha rasteve të konsumatorëve që rilidhin energjinë elektrike pa miratimin e organeve të OSSH-së. Shpjegojnë burime nga OSSH
Ornela Manjani