E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumezi: Po hetojmë edhe ne

Prishtinë, 22 gusht - Prokuroria e Qarkut të Prishtinës është duke hetuar 60 raste të dyshimeve që ndërlidhen me korrupsion. Këto raste janë të ndryshme ka njoftuar kryeprokurori Aleksandër Lumezi në një intervistë për gazetën Express.
Sipas gazetës Prokuroria e Qarkut të Prishtinës është duke hetuar 60 raste të dyshimeve për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, shpërdorimit të detyrës zyrtare, nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, marrjes së mitos dhe ushtrimit të ndikimit. Niveli i këtyre hetimeve përfshin persona prej ish ministrave e deri te punëtorët e kuvendeve komunale. Kështu thotë Aleksandër Lumezi, kryeprokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë. Ai duket se ka vendosur të vë më shumë rregull në këtë institucion të akuzës. Së paku në katin që i përket kësaj prokurorie, që e ndan të njëjtin objekt me Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, përveç rojeve shtesë, edhe zyra e tij, e cila dikur i takonte ish Kryeprokurorit Osman Kryeziu, duket se ka ndryshuar pak. Flamuri i madh shtetëror i vendosur në krye të saj është ai që bie më shumë në sy. “Nëse nuk e respekton veten dhe institucionin ku punon, kush pret të të respektojë”, thotë Aleksandër Lumezi për Express.
Lumezi ka thënë se “ Kemi gjetur numër të madh të lëndëve të pakryera. Në këtë numër nuk hyjnë vetëm ato me persona të njohur, por edhe me persona të panjohur, edhe pse prokurorët e mëhershëm kanë bërë kërkesë që të lejohet zbulimi i identitetit të kryesve të atyre veprave penale dhe të procedohet, me qëllim që të vazhdohen hetimet dhe rastet të dërgohen në gjykatë”.
Sipas Lumezit, “ka edhe lëndë që u përkasin personaliteteve publike. Ato janë lëndë të ndryshme, por shumica prej tyre kanë të bëjnë me veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Në këtë rast bën pjesë përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës, shpërdorimi i detyrës zyrtare, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, marrja e mitos dhe ushtrimi i ndikimit. Prej këtyre pesë veprave penale, kemi raste të ndryshme që janë në procedurë. Por, në shumicën e lëndëve që kanë të bëjnë me personat publikë, ndonjë proces hetimor është ndërmarrë.”

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›