Lumi i Tiranes mes kaosit dhe plehrave
Situata në këtë zonë të ashtuquajtur pjese e kryeqytetit, vazhdon të jetë në kaos total e në mëshirë të fatit sidomos ne këto ditë, kur temperaturat e larta vështirësojnë me shume jetesën e mijëra banorëve. Situata e mjerueshme nis qe në zonën e njohur si ura e Babrroit që lidh Paskuqanin me kryeqytetin. Prej 2 dekadash djegia e plehrave është sistematike, ndotja ka arritur ne maksimum dhe rreziku i prekjes nga sëmundjet është shtuar dukshëm. Merush Asllani është një prej banoreve qe pasi është zhvendosur nga zona e Dibrës jeton prej vitesh në këtë kaos plehrash, me shpresën se situata do përmirësohet nga premtimet e dhëna gjatë fushatës së 8 majit. Sot kjo pjese e Lumit te Tiranes është ne degradim total dhe askush nuk është kujtuar te paktën te frenoje hedhjen dhe djegien e plehrave. Përballë këtij realiteti, premtimi për ndërtimin e unazës ne dy anët e lumit, se bashku me sistemimin e tij, duket shume i largët. Të paktën 114 milion euro është kostoja e parashikuar vetëm për segmentin më problematik, atë nga ura e Brarit e deri tek ura e Kamzes. Por edhe tek kjo e fundit situata është mjaft problematike për shkak te qindra ndërtimeve pa leje, një pjese e te cilave ende pa u legalizuar. Ky fakt do te vendose ne pikëpyetje kompensimin e familjeve dhe sistemimin e tyre kur te nisin prishjet. Lumi i Tiranës përbën njëkohësisht dhe kufirin natyral qe bën ndarjen administrative të kryeqytetit me komunat ne veri të tij.