E Diel, 1 Nëntor 2026

Lumi vërshues i mosbesimit ndëretnikNga Kim MehmetiMaqedonia është shtet ku shihet qartë se rrugë më e gjatë është ajo që nuk të çon askund, ajo që të sjell rreth e rrotull vetes. Pastaj Maqedonia është shtet ku më të rrezikuar janë gjyshërit dhe gjy

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Lumi vërshues i mosbesimit ndëretnikNga Kim Mehmeti

Maqedonia është shtet ku shihet qartë se rrugë më e gjatë është ajo që nuk të çon askund, ajo që të sjell rreth e rrotull vetes. Pastaj Maqedonia është shtet ku më të rrezikuar janë gjyshërit dhe gjyshet e etnitetit maqedonas: në këtë shtet, nga dita në ditë, shtohet numri i atyre që rrëfejnë përrallën për prejardhjen antike të atyre që e quajnë veten maqedonas, e që i çon nipërit dhe mbesat gjithnjë e më pak të kenë nevojë për gjyshër dhe gjyshe, gjë që mund të ndikojë keq në edukimin e gjeneratave të ardhshme të këtij populli, të cilat mund të rriten pa dëgjuar përrallën se dallimi mes njerëzve dhe botës shtazore nuk është pse kafshët nuk kanë ditë festive dhe nuk i kremtojnë fitoret e veta, por pse njeriu ka vetëdije që ta paragjykojë rrugën nga është nisur dhe ta njohë cakun që do ta arrijë.

Maqedonia është shtet ku shihet qartë se më të ngadaltë janë udhëtarët që i ka hutuar udhëtimi drejt cakut dhe për shkak të kësaj hutese, caku u duket gjithnjë e më i paarritshëm. Pastaj Maqedonia është shtet ku nuk janë të gjitha etnitetet njësoj të rrezikuara: nëse te maqedonasit etnikë më të rrezikuar janë gjyshërit dhe gjyshet, pleqve shqiptarë gjithnjë e më shumë u rritet nami, sepse ata janë rrëfyes të përrallës që e kanë dëgjuar nga të parët e tyre, përrallën që tregon për popullin që është ushqyer vetëm me durim, e që një ditë e ka arritur cakun e vet. Por edhe kjo përrallë mund të ketë ndikim të keq në edukimin e gjeneratave të reja të shqiptarëve të këtushëm, ato mund të rriten pa dëgjuar të vërtetën, se këtë përrallë e kanë shpikur ata që nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më shumë për fatin e vet, apo ata që kurrë nuk kanë mundur të vënë baraspeshë mes ambicieve të veta dhe potencialit që kanë për t’i realizuar ato ambicie.

Duke qenë e tillë, duke qenë vend ku te një etnitet shtohet numri i përrallarrëfyesve - e çka dëshmon plakjen e shpejtë të tij, dhe tek etniteti tjetër bëhen gjithnjë e më të rrallë pleqtë që me vite tregojnë të njëjtën përrallë - e që dëshmon se te ai etnitet dominon rinia, Maqedonia i ngjan trenit që nga çdo anë ka nga një lokomotivë që atë e zvarrisin në kahe të kundërta: njëra e çon nga tunelet e errëta të së kaluarës, e tjetra do ta shpjerë drejt ardhmërisë. Andaj edhe mund të ndodhë që vagonët e tij një ditë të ndahen mes veti dhe udhëtarët që kanë bindjen se udhëtojnë bashkë, të arrijnë në caqe të kundërta. Pra, mund të ndodhë që Maqedonia më në fund të arrijë aty ku mbase edhe është nisur: maqedonasit etnikë të mbeten thellë e më thellë në tunelet e së kaluarës, e shqiptarët të përballen me të vërtetën se janë nisur rrugës që nuk i çon askund. Apo të ndodhë që disa të rinjve maqedonas t’u plotësohet dëshira për Maqedoni pa shqiptarët në të, e shqiptarët e rinj ta kuptojnë se s’ka rrugë më të lodhshme se ajo së cilës i paraprijnë edhe ata që nuk e dinë nga janë anët e botës.

Se Maqedonia e sotme rrit gjenerata, të cilat kanë ideale kundërthënëse, edhe ato varësisht nga përkatësia e tyre etnike, flasin edhe mbishkrimet e shpeshta nëpër muret e shtëpive në vendbanimet e këtij shteti. Derisa nëpër muret e vendbanimeve të atyre që veten e quajnë maqedonas nuk janë të rralla mbishkrimet “Smërt za shiptarite” (“Vdekje për shqiptarët”) dhe “Makedonija na Makedoncite” (“Maqedonia e maqedonasve”), në vendbanimet shqiptare dominojnë ato që rrisin namin e njërës apo tjetrës parti shqiptare, që do të thotë, përderisa disa të rinj maqedonas kanë hallin si të realizojnë ëndrrën e prindërve të tyre që të mbeten pronarë të vetëm të shtetit, të rinjtë shqiptarë kanë brengën të përcaktojnë se cila parti do ua bëjë më të lehtë durimin gjatë udhëtimit drejt cakut të dëshiruar.

Shqiptarët e rinj bëjnë mirë që nuk i njollosin muret e shtëpive të tyre me parulla të ngjashme me ato të moshatarëve të etnitetit maqedonas, bëjnë mirë që ruajnë pastërtinë e vet njerëzore. Ata gjithashtu bëjnë mirë që janë koncentruar në dëgjimin e përrallës së njëjtë që ka vënë në gjumë edhe prindërit e tyre, por nuk bëjnë mirë pse aq verbërisht bëhen shërbëtorë të liderëve partiakë, pse lejojnë që partitë, të cilave aq ndershëm u shërbejnë, të bashkëpunojnë edhe me ata që thonë “Smërt za shiptarite”. Pra, të rinjtë shqiptarë gabojnë pse lejojnë që partitë e tyre të mbeten ura të vetme për ta kaluar lumin e ndasive etnike, pse lejojnë që liderët e tyre partiakë të mbeten të vetmit ndërmjetësues që përcaktojnë bashkëpunimin me grupet politike maqedonase. Dhe të rinjtë shqiptarë gabojnë pse nuk i pyesin liderët e tyre partiakë se çfarë të mire i solli popullit kalimi nëpër urën që ndërtojnë ata dhe çfarë dobie ka populli nga ndërmjetësimi i tyre në dialogun e këtushëm ndëretnik, nga bashkëbisedimi që fillon e përfundon vetëm në rrethet e ngushta të elitave të këtushme partiake, duke i lënë kështu popujt të jetojnë të ndarë si shumë dekada më parë. Apo thënë edhe më qartë: të rinjtë shqiptarë gabojnë pse i japin legjitimitet veprimit partiak, edhe kur ai nuk është në interes të popullit, edhe kur ai është kundër vullnetit të popullit, siç është rasti i bashkëpunimit të partive shqiptare me VMRO-DPMNE, e cila lindi nga mitra e antishqiptarisë dhe u rrit e jeton duke u ushqyer me ëndrrat antishqiptare. Mbase bashkëpunimi me kë të duan dhe si të duan, i çoi liderët partiakë të besojnë se atyre u lejohet çdo gjë, se ata nuk duhet të mbajnë llogari me cilin partner maqedonas ndërtojnë të ardhmen më të mirë shqiptare dhe se ata kanë të drejtë të përcaktojnë edhe miqësitë individuale mes shqiptarëve dhe maqedonasve të këtushëm, por jo edhe të japin llogari me kënd ata hanë dreka dhe hartojnë plane për bashkëjetesën mes popujve të këtij shteti.

Maqedonia është shtet i ngatërruar në përrallën për origjinën e atyre që veten e quajnë maqedonas dhe asaj që arsyeton durimin e shqiptarëve të këtushëm. Dhe nga kufomat e këtyre përrallave kundërthënëse ngrihen dy brigjet, mes të cilave thellohet shtrati i lumit të iluzioneve se rruga drejtë të kaluarës së etnitetit maqedonas do mund një ditë të bashkohet me atë të shtruar nga durimi i shqiptarëve të këtushëm, durim që i çon të besojnë se udhëtojnë drejt cakut që do i bëjë më të afërt me vetveten. Duke qenë shtet i tillë, nuk është çudi pse Maqedonia ka të sotme të cilën me asgjë nuk e përcaktojnë as partitë maqedonase, as ato shqiptare, por vetëm kryeqendrat që vendosin kahen e rrjedhës së lumit global. Pra si i tillë, ky shtet do ketë ardhmëri, vetëm nëse realizohet përralla, së cilës gjithnjë e më pakë dikush i beson: të bëhet anëtare e BE dhe NATO-s para se ta vërshojë lumi i tërbuar që rrjedh mes brigjeve të ngritura nga mosbesimit i ndërsjellë ndëretnik shqiptaro-maqedonas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›