E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumturohet Gjon Pali II

Gjashtë vjet e një muaj nga vdekja, Karol Wojtyla- Gjon Pali II, është lumturuar nga pasardhësi i tij, Benedikti XVI. Ceremonia u krye në bazilikën San Pietro në Vatikan, ku Ratzinger pranoi kërkesën e kardinalit të Romës Agostino Vallini dhe më pas lexoi formulën latine që rreshton papën polak mes të lumturuarve. Leximi i formulës së lumturimit u pasua nga një duartrokitje e gjatë dhe thirrjet për ta kthyer Gjon Palin II në një shenjt.

Pas lumturimit, fotografia e papës polak u zbulua në murët e bazilikës të San Pietros, ndërkohë që pelegrinët e pranishëm dhe të gjendur gjithandej në rrugët e Romës duatrokisnin të mallëngjyer e të gëzuar.

Relika e Papa Vojtiles, një ampule e mbushur me gjakun e tij, të marrë pak ditë para vdekjes, dhe që ka formën e rrënjës së ullirit do të ruhet në Vatikan.  Pwr lumturimin e Gjon Palit II, kisha njohu si mrekulli shërimin prej tij të motres Mari Simos Pierre nga sëmundja e Parkinsonit, një fakt që shkenca ende sot nuk mund ta shpjegojë.

Himni i të lumturuarit “Mos kini frikë, i hapni dyert Krishtit”, shkruhej në një prej parrullave, ndersa mbi një milionë pelegrinë , të vendosur në sheshin kryesor të Vatikanit, sikurse dhe sheshe e rruge të tjera në Romës ndoqën nga afër ritin fetar. 

Ceremonia u ndoq nga afër edhe nga përfaqësues të 62 delegacioneve të ardhura nga shtete të ndryshme, mes të cilëve edhe presidenti shqiptar Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Ajo që u vu re ishte mungesa e presidentit amerikan Barak Obama, ndërsa ka ngjallur polemika prezenca e presidentit të republikës së Zimbabves, Robert Mugabe.

Lumturimi i Gjon Palit II shënon rastin më të shpejtë në historinë e kishës, ndërkohë që festa për lumturimin e tij do të jetë më 22 tetor, në përvjetorin e zgjedhjes së tij në krye të kishës katolike.

Azhornuar së fundi ( e diel , 01 maj 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›