E Diel, 1 Nëntor 2026

Lunacek: Serbisë do t’i zgjatet rruga për në BE, në pafundësi

Eurodeputetja Ulrike Lunacek në një pronocim për agjensinë Info Globi, ka deklaruar se nëse Serbia vendos ta shtyjë përpara vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në veri të Kosovës, atëherë rruga e Serbisë drejtë Evropës do të zgjatet në pafundësi.

“Jemi kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Ato janë të jashtëligjshme. Andaj nëse Serbia e shtyn tutje vendimin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, atëherë asaj do t‘i shtyhet data e fillimit të bisedimeve për Stabilizim Asocim dhe rruga e saj drejt BE do të zgjatet në pafundësi”, ka deklaruar Lunacek.

Lunacek e pyetur nga gazetarët, ka folur edhe për një cështje tjetër, edhe njëherë ajo ka konfirmuar se ka kërkuar që deputetit Azem Syla t’i kërkohet dorëheqja.

“Po kam kërkuar që Azem Syla të tërhiqet nga Kuvendi i Kosovës, sepse prezenca e një deputeti që në kohën kur ka qenë aktiv në Kosovë, ka marrë ndihma sociale në Zvicër, aq më shumë kur ngrihet akuzë ndaj tij, nuk i bëjnë nder as parlamentit e as Kosovës. Këtë e kërkova në takim me parlamentarët në Strasburg”, ka pohuar Lunacek.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›