Haxhinasto pret Ambasadorin suedez Wahlund: Angazhim i plotë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe rajonit
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, priti sot në takim, Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, rezident në Shkup, z. Lars Wahlund.
Ministri Haxhinasto vlerësoi mbështetjen e Suedisë për integrimin evropian të vendit tonë dhe theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen me sukses të reformave në përputhje me prioritetet e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Ai theksoi se për Shqipërinë ka rëndësi jo vetëm ana sasiore, por edhe cilësia e adoptimit dhe e zbatimit të këtyre reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në tetor të këtij viti.
Bashkëbiseduesit diskutuan mbi situatën në rajon, me theks të veçantë mbi situatën aktuale në Maqedoni dhe Kosovë, dhe ranë dakord se të gjithë aktorët politike duhet të dënojnë çdo incident me karakter etnik dhe të angazhohen me të gjitha mundësitë për perspektivën evropiane të këtyre vendeve.