Lunaçek: Serbisë nuk i mjafton kapja e Mlladiçit për në BE

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, ka deklaruar të dielën se me arrestimin e të akuzuarit nga Haga, Ratko Mlladiç, Serbia nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE dhe se drejt kësaj rruge, vendit i duhet të punoj më shumë.
“Krijimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët, me Kosovën e pavarur, do të jetë gjithashtu i rëndësishëm”, ka thënë Lunaçek, duke shtuar se arrestimi i Mlladiçit ka qenë një hap i shumëpritur, “mirëpo Serbia nuk duhet të vetëkënaqet se me këtë do ta fitojë statusin e kandidatit”.
Gjatë një interviste për të përditshmen serbe “Dnevnik”, shumica e përfaqësuesve të PE-së mendojnë se as statusi i Kosovës e as ndarja e saj nuk mund të jetë tema diskutimi në dialogun Prishtinë-Beograd.
“Askush në BE nuk do të pranonte një Qipro të dytë dhe ndarjen e një shteti brenda kufijve që nuk njihen nga të gjithë”, ka theksuar Lunaçek.