E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lunacek vlerëson të arriturat e Kosovës për integrime

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka vlerësuar përkushtimin dhe rezultatet e arritura deri tani nga institucionet e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimeve për BE, por edhe ka kërkuar që të vazhdohet me këtë angazhim edhe në javët dhe muajt e ardhshëm.

Këto vlerësime Lunacek i bëri të premten gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, me ç’rast kanë diskutuar për të arriturat në plotësimin e kushteve për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Evropian.

Përmes një komunikate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se ministri Rexhepi e ka falënderuar eurodeputeten Lunacek për angazhimin e deritanishëm dhe e informoi për progresin e arritur dhe angazhimet që ka ndërmarrë MPB për fillimin e dialogut për viza me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti.

Ndërsa eurodeputetja Ulrike Lunacek ka vlerësuar përkushtimin dhe rezultatet e arritura nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke kërkuar që të vazhdohet me këtë angazhim edhe në javët dhe muajt e ardhshëm.

Bëhet e ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, me fokus në pjesën veriore të vendit, me ç’rast të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se rendi dhe ligji duhet të vendoset edhe në atë pjesë të vendit, për t’i hapur perspektivë zhvillimit edhe të asaj pjese të vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›