Ekspertët ligjorë: Parlamenti të shkarkojë gjyqtarët që pushuan dosjen e MediutNga Parlamenti duhet të shkarkojë gjyqtarët që lejuan pushimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me tragjedinë e Gërd
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ekspertët ligjorë: Parlamenti të shkarkojë gjyqtarët që pushuan dosjen e MediutNgaParlamenti duhet të shkarkojë gjyqtarët që lejuan pushimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me tragjedinë e Gërdecit që shkaktoi 26 viktima, rreth 300 të plagosur, me miliona lekë dëmtime në mars të vitit të kaluar, sipas ekspertëve ligjorë të Partisë Socialiste.
“Gjyqtarët që lejuan pushimin e dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar si përgjegjës për vdekjen e 26 personave në tragjedinë e Gërdecit, duhet të shkarkohen nga parlamenti”, - deklaroi dje eksperti ligjor i Partisë Socialiste, Ylli Manjani, në një intervistë për Top Channel.
Kjo gjë, sipas Manjanit, i takon parlamentit, me qëllim që t’i dëshmojë gjithë shqiptarëve se politika ka vullnet për të vendosur drejtësi, aq e kërkuar nga qytetarët. “Në këto kushte, i takon parlamentit që të nisë procedurat e shkarkimit të atyre anëtarëve të Gjykatës së Lartë që e kanë shkelur rëndë Kushtetutën”, - thotë Manjani. Gjithashtu, sipas Manjanit, ky është momenti për të treguar se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit dhe pavarësinë e gjyqësorit, aq të trumbetuar nga kjo e fundit. Por, duke lënë mënjanë këtë të fundit, Manjani u shpreh se është detyrë e opozitës që të kërkojë në Kuvend shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët pushuan dosjen ndaj Fatmir Mediut. “Askush nuk mund të ketë imunitet dhe i takon Partisë Socialiste të çelë një hetim parlamentar, ndërsa qeveria duhet të japë konsensus”, - tha Manjani. Sipas tij, është i papranueshëm fakti që kjo gjykatë lejoi mbylljen e një prej dosjeve më të rënda gjatë këtyre viteve, duke mos shqyrtuar akuzat e ngritura ndaj Fatmir Mediut. Manjani tha se Gjykata e Lartë ka shkelur rëndë Kushtetutën në rastin e pushimit të dosjes penale ndaj Mediut, gjë që në fakt e ka bërë edhe herë të tjera. Eksperti ligjor i PS tha se gjykata ka për detyrë t’i gjykojë çështjet dhe jo t’i pushojë ato pa i shqyrtuar, kushdo qofshin të pandehurit. Ai ka marrë si shembull një rast të vitit 2001, kur ministri i Drejtësisë së asaj kohe, Arben Imami, kërkoi në parlament shkarkimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi këta të fundit kishin liruar një të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Edhe pse kjo kërkesë nuk u pranua nga ana e parlamentit, Manjani tha se politika mund të veprojë dhe ndikojë për gjykimin e Fatmir Mediut, nëse ka vullnetin e duhur.
Juristët
Pushimi i dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, sipas konstitucionalistëve, ka qenë një keqinterpretim i Kushtetutës nga Gjykata e Lartë. Sipas tyre, imuniteti e mbron deputetin për çështjet që janë nën hetim, dhe jo kur ato janë në gjykim. Ata shprehen se ekzistojnë hapësira ligjore për të rihapur çështjen. Juristi Gent Ibrahimi u shpreh pak ditë më parë për mediet se, vendimi i Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes gjyqësore në ngarkim të Fatmir Mediut ka qenë një gabim themelor dhe keqinterpretim i Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale. Sipas tij, “të paktën në tri çështje Gjykata e Lartë është shprehur për vazhdimin e procesit gjyqësor në ngarkim të personave me imunitet dhe më pas në tri rastet, për arsye të ndryshme, gjykata ka arritur përfundimin se procesi duhet të ndërpritet. Gjykata duket sikur e gjen justifikimin ligjor në dy nene. Për një arsye apo për një tjetër, gjykata duket se anashkalon një fakt shumë të rëndësishëm, fakti që qoftë Kushtetuta, qoftë Kodi, flasin për ndjekje penale për gjykim. Pra, deputeti është i mbrojtur nga veprimet me karakter hetimor të ndërmarra nga prokuroria e policia gjyqësore, por jo nga një proces penal. Të pretendosh që një deputet është i mbrojtur nga një proces gjyqësor penal, është si të pohosh se deputetët nuk janë të barabartë me të gjithë shqiptarët. Ky është një gabim themelor, keqkuptim dhe keqinterpretim i rëndë i Kushtetutës, por edhe i Kodit të Procedurës Penale. Për fat të keq kjo gjë po përsëritet”. Sakaq, ai pohoi faktin se ekziston mundësia ligjore për të kërkuar dhe rihapur çështjen gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili tashmë do të mbajë postin e ministrit të Mjedisit. “Në përgjithësi ligji e ndalon gjykimin e së njëjtës çështje dy herë, por ky është një përjashtim. Ka një nen të posaçëm në Kodin e Procedurës Penale, që mundëson rigjykimin e së njëjtës çështje, lidhur me të njëjtin person. Dhe është pikërisht ky rasti. Është nevoja për të marrë një autorizim nga Kuvendi, për të proceduar penalisht një nga anëtarët e saj. Nuk quhet që kemi të bëjmë me procedim të së njëjtës çështje. Prokuroria duhet të ri-kërkojë lejen e Kuvendit”, - tha Ibrahimi, i cili nuk nguroi të kërkonte përgjegjësitë për mbylljen e dy çështjeve më të bujshme, atë të Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës, edhe tek organi i akuzës. Juristët shprehen se një nga rrugët për ta gjykuar Mediun, është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga palët e interesuara në proces apo një grup deputetësh, që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.