E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademia e Maqedonisë shtrembëron historinë dhe fyen shqiptarëtNga Këtë enciklopedi duhet ta lexojnë kujdesshëm edhe historianët në Tiranë e Prishtinë, si dhe politikanët e atjeshëm “paqedashës dhe pro-evropianë”, që më në fund ta kuptojnë se si pë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Akademia e Maqedonisë shtrembëron historinë dhe fyen shqiptarëtNga

Këtë enciklopedi duhet ta lexojnë kujdesshëm edhe historianët në Tiranë e Prishtinë, si dhe politikanët e atjeshëm “paqedashës dhe pro-evropianë”, që më në fund ta kuptojnë se si përdoret toleranca e tyre dhe cili është kontributi i tyre për mirëkuptim dhe bashkëpunim me këtë shtet fqinj

Që pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur Maqedonia u shpall shtet i pavarur, ajo është përfshirë në një konflikt me Greqinë për shkak të emrit. Për shkak të këmbënguljes së Greqisë, Maqedonia njihet nga OKB si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ndërsa Shkupi këmbëngul në emrin Republika e Maqedonisë dhe shumë shtete, mes të cilëve edhe Shqipëria, në marrëveshje bilaterale e kanë njohur me këtë emër. Në fillim të vitit, Maqedonia nuk u anëtarësua në NATO së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë, siç ishte parashikuar, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për shkak të emrit. Greqia, si anëtare e NATO-s, përdori veton kundër anëtarësimit të saj.

Por Maqedonia duket e pakujdesshme në marrëdhëniet me kombësitë e tjera, brenda apo jashtë saj.

Një enciklopedi e botuar së fundmi nga Akademia e Shkencave e Maqedonisë i ka zemëruar keq shqiptarët në Maqedoni dhe jashtë saj.

Në këtë enciklopedi pretendohet që shqiptarët janë vendosur në territoret e Maqedonisë së sotme në shekullin e 18 duke përzënë maqedonasit, për UÇK thuhet se forcat e saj u stërvitën nga britanikët dhe amerikanët etj.

Partitë politike dhe personalitete të kulturës shqiptare në Maqedoni reaguan menjëherë.

Partia Demokratike Shqiptare e Maqedonisë i kritikoi dje autorët e tekstit për nacionalizëm primitiv dhe falsifikim të historisë.

“Nacionalizmi primitiv që po shfaqet nga kjo qeveri po merr përmasa shqetësuese, pasi po bëhen falsifikime të historisë dhe po fyhen, jo vetëm shqiptarët, por edhe amerikanët e britanikët”, - deklaroi dje anëtari i Kryesisë së PDSH, Imer Aliu.

Partia tjetër parlamentare shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, ishte në të njëjtën linjë me PDSH në kritikat e saj ndaj enciklopedisë maqedonase.

“Ky publikim është i papranueshëm, i pavërtetë, tendencioz dhe shovinist në raport me shqiptarët e Maqedonisë. BDI kërkon që kjo enciklopedi të tërhiqet”, - deklaroi anëtari i Kryesisë së BDI, Xhevat Ademi.

Ali Aliu është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë. Dje ai u shpreh se enciklopedia e Shkupit është një projekt antishqiptar i financuar edhe me paratë e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Është një projekt antishqiptar dhe është fatkeqësi që ky projekt financohet nga paratë tona. Shqiptarët fyhen dhe kjo gjë mbështetet nga autoritetet politike. Tirana nuk duhet të jetë indiferente”, - deklaroi Ali Aliu.

Për shoqatën e historianëve shqiptarë “Maqedonia, ngaqë është në krizë identiteti e shfryn gjithçka kundër shqiptarëve. Kjo enciklopedi përmban fyerje që tejkalojnë përmasat njerëzore.”

“Veprimet e vazhdueshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë krijojnë përshtypjen që detyra e vetme e këtij institucioni është që të funksionojë si laborator për përvetësimin e figurave historike shqiptare, falsifikimin e historisë, në veçanti asaj të popullit shqiptar, si dhe të shpëlajë trurin e popullit të vet. Dyshojmë që projektet e ASHAM përpilohen në Beograd dhe kanë qëllime djallëzore”, - reagoi lëvizja qytetare “Zgjohu”.

Reagimi i Tiranës

Tirana politike vazhdoi të merret me punët saj me qetësi ditën e djeshme.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili atë pak informacion që kishte për enciklopedinë e kishte marrë vetëm nga mediet, tha se Akademia e Maqedonisë duhet të kishte konsultuar faktet historike të botuara nga historianë të vjetër.

Historiani Pëllumb Xhufi u shpreh dje se “fakti që ndodh në shekullin e 21 nga një shtet që ka probleme të tjera, siç është çështja e emrit, është për t’u keqardhur. Ky qëndrim nuk gjen asnjë konfirmim historik, ndërkohë që burimet thonë se para shekullit të 15, trojet që sot i quajmë Maqedonia Perëndimore, konsiderohen si treva shqiptare me popullsi shqiptare.”

Studiuesi Dritan Egro deklaroi për mediet se Maqedonia është ajo që nuk përmendet para shekullit të 15 dhe se ajo u krijua si shtet për të kënaqur fuqitë e mëdha.

“Më duket e pavend sot, kur dokumentacioni historik për Maqedoninë, nga shekulli i 15, nuk përmendet fare. Ky shtet u krijua për të kënaqur fuqi të mëdha”, - u shpreh Egro.

Shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, shkruante dje në një koment (më poshtë po botojmë një fragment prej tij) se enciklopedinë e Maqedonisë duhet ta lexojnë me kujdes edhe “historianët në Tiranë e Prishtinë, si dhe politikanët e atjeshëm “paqedashës dhe pro-evropianë”, që më në fund ta kuptojnë se si përdoret toleranca e tyre dhe cili është kontributi i tyre për mirëkuptim dhe bashkëpunim me këtë shtet fqinj.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›