E Diel, 1 Nëntor 2026

Lunxhëri, prezantohet plani urbanistik

Gjirokastër- Komuna e Lunxhërisë i është shtuar listës së njësive të qeverisjes vendore, të cilat së shpejti do të kenë planin urbanistik. Prezantimi i projektit, një bashkëpunim ndërmjet Këshillit të Qarkut Gjirokastër dhe specialistëve italianë është bërë sot.

Plani urban i kësaj komune, që mendohet të mbyllet brenda një periudhe dhjetëvjeçare është vlerësuar si mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e të gjithë luginës së Drinos, një pasuri e rrallë kjo në shumë aspekte.

“Do propozojmë një mënyrë të re për këtë territor, atë të trajtimit të saj si një distrikt kulturor dhe kjo është mjaft e rëndësishme”, është shprehur arkitekti Italian, prof. Piero Rovognati.

Ndërsa për kryetarin e komunës së Lunxhërisë, Ilia Kuro, përfundimi i planit urbanistik përveçse do t’u japë fund ndërtimeve pa leje në këtë zonë, do t’i japë asaj një impakt mjaft të rëndësishëm, si përsa i përket pozicionit gjeografik, ashtu edhe aspektit turistik.

Pas një sërë projektesh të implementuara nga faktorët vendas në bashkëpunim me ekspertët, si hartimi i planit urbanistik të qevndrës historike të Gjirokastrës, pikës turistike të Viroit, studimit dhe mbrojtjes së aeroportit të qytetit, qyteteve antike të Antigonesë e Hadrianopolit, tashmë në proces janë duke u hartuar planet urbanistike të bashkisë Libohovë e komunave Qendër- Libohovë e Lunxhëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›